Edvini realizon vetëm 57 % të investimeve, fondet e tjera mbeten peng i interesave të tij elektorale
Zëdhënësi i Grupit Parlamentar të PD-së Aldo Bumçi, njëkohësisht favoriti për të marrë kreun e degës së PD-së për kryeqytetin, në një deklarim për mediat ka sulmuar sot “djegien” e fondeve të investimeve nga bashkia e Edvinit, duke i zgjatur planet e investimeve në dhjetëra vite e duke cënuar cilësinë e jetës për banorët e kryeqytetit. Zoti Bumçi ka kujtuar se për 2008 ishin investuar vetëm 57 % e fondeve të parashikuara, paçka se Edvini ka në bashki një ushtri të tërë kalecësh, të cilët duket se janë atje për motive elektorale, dhe jo për t’u shërbyer qytetarëve të Tiranës.
Deklarata e plotë e deputetit Aldo Bumçi
Gjatë vitit 2008 Bashkia e Tiranës kishte planifikuar të investonte rreth 3 miliard lekë të reja (2,979 miliard) për të përmirësuar cilësinë e jetes së qytetarëve të Tiranës. Në fund të vitit 2008 Bashkia e Tiranës nga 3 miliard lekë investime të parashikuara ka arritur të investojë vetëm 1,7 miliard lekë ose 57.24%. Kjo është e ashtuquajtura qeverisje moderne dhe eficente e Bashkisë së Tiranës. Ky është modeli Rama, që investimet e një viti të zgjaten në dy vite. Investimet në infrastrukturë, janë realizuar në masën 59.5 %. Cfarë do të thotë së rrugë të cilat duhet të ishin ndërtuar gjatë vitit 2008 i mungojnë qytetarëve të Tiranës. Ose punime të tejzgjatura duke sjellë vështirësi në qarkullimin e qytetarëve dhe rritjen e pluhurit dhe ndotjes në qytet. Investimet në sistemin shëndetësor, janë realizuar në masën 38 %. Investimet në shërbimet sociale, janë realizuar në masën 46.1%. Paisje për cerdhe, kopshte dhe qendra sociale. Investimet në strehim, asnjë fond i parashikuar nga ky zë nuk është realizuar. Duke përfshirë këtu fondet me burim të brendshëm dhe të huaj. Cfarë emri ti vemë kësaj papërgjegjshmërie? Kryetari i Bashkisë z. Rama djeg fondet për të pastrehët. Ky është modeli qeverisës Rama, dhe ndjeshmëria e tij ndaj shtresave në nevojë. Bashkia e Tiranës me një personel 2 herë më të madh se Ministria e Punëve Publike, por me një buxhet investimesh 23 here me të vogël (3 miliard krahasuar me 70 miliard) arrin të kryejë vetëm 57% të investimeve përkundrejt 99% të realizuara nga Ministria e Punëve publike. Kjo është qeverisja moderne dhe eficente e z. Rama.
...