Monstra e Al-Kaedas
E festuar me ulërima triumfale në Shtetet e Bashkuara, vrasja e Bin Ladenit krijon më shumë hutim sesa qartësi, më shumë marramendje se lehtësim. Historia që rrëfen shumë pak ngjan me çfarë po ndodh efektivisht në botë: është pjesë e një lufte kundër terrorit që Perëndimi nuk po e fiton në Afganistan e nga e cila do të donte të dilte, pa pasë ndrequr dot asgjë. Si operacion, ajo nxjerr në dritë natyrën e turbullt, vdekjendjellëse të aleancës mes ShBA dhe Pakistanit: një fuqi, kjo e fundit, që e përdor terrorizmin kundër Afganistanit dhe Indisë dhe që, për vjet me radhë (pesë, sipas Salman Rushdie) e ka mbrojtur Bin Ladenin. Madje e ka mbrojtur deri në atë shkallë sa ta lejonte të ngrinte, në Abbottabad, një shtëpi-tempull, 800 metra larg qendrës kryesore stërvitore të ushtrisë pakistaneze.
Por operacioni fsheh dy të vërteta edhe më të thella, të lidhura mes tyre. E vërteta e parë është evidente: Bin Ladeni ishte i vdekur tashmë politikisht, i nxjerrë jashtë loje nga trazirat e ndryshme në vendet arabe; dhe mizoria e ekzekutimit të tij i përgjigjet një Lindjeje të Mesme dhe një Islami artificial, të vjetërsuar, që ende ka mbetur në mendjen e Uashingtonit. Terrorizmi mund të gjallërohet, edhe pse Amerika, së cilës iu vranë mijëra qytetarë në Kullat Binjake, me të drejtë feston dhënien e drejtësisë nëpërmjet hakmarrjes. Njëlloj si në filmin M – Përbindëshi i Dyseldorfit, vrasësi u ndëshkua, por mungon skena e fundit: ajo në të cilën një dorë e fuqishme e rrok fajtorin, e nxjerr nga skena e ekzekutimit dhe e shpie në sallën e gjyqit. Fjala që ia vë vulën filmit të Fritz Lang është: “Në emër të ligjit.” Është ajo formulë performative që nuk u dëgjua, në Abbottabad. Me kremtimet tona ndoshta kemi kontribuar në transfigurimin e M – Përbindëshit të Al Qaedës.
Përveçse i vdekur politikisht, Bin Ladeni ishte bërë irrelevant, para se të vritej. Celulat që i kanë mbijetuar nuk kanë, në fakt, nevojë për ndonjë kapo, që të veprojnë. Megjithatë, dëshira e tij për të farkëtuar një Islam botëror kishte marrë fund tashmë. Bota arabe dhe myslimane duket se i ka hyrë, që prej dhjetorit 2010, një rruge që ndahet rrënjësisht nga vizioni që ai kishte për Islamin, për pavarësinë dhe dinjitetin arab, dhe demokracinë perëndimore. Revolucioni arab nisi me një ngjarje, në Tunizi, që ai do ta kishte refuzuar: vendimi i një të riu arab për të protestuar kundër regjimit duke vrarë veten, por jo duke mbjellë vdekje si kamikaze, me përfytyrimin e ferrit jashtë vetes.
Terrorizmi si metodë emancipuese nuk ka më hapësirë në kronikat e sotme, sepse objektivi i tij strategjik perceptohet, nga miliona arabë, si vetë rrënja e së keqes: si akt që ia shpronëson pushtetin qytetarit të zakonshëm, duke e shndërruar në njeri lakuriq, të infantilizuar, të nxitur për veprim nga frika. Duke ngjallur panik, akti terrorist e bllokon emancipimin nga poshtë, pikërisht sepse vepron në emër të popullit, por jo nëpërmjet popullit. Një pjesë e madhe e Islamit nuk e ndoqi këtë rrugë, pas 11 shtatorit; dhe aq më pak e bëri të vetën ëndrrën e një kalifati teokratik botëror, që kultivonte Bin Ladeni. Kryengritjet arabe e vranë këtë para amerikanëve, me forcat e veta dhe martirët e vet: në Tunizi, Egjipt, Jemen, Siri, Marok, Libi. Sheshet nuk u zgjuan me fjalën e tij, për arsyen e thjeshtë se Bin Ladeni nuk kishte investuar në zgjimin e tyre, por në gjumin e tyre dhe, në më të shumtën e rasteve, në vdekjen e tyre (Al Qaeda ka vrarë më shumë myslimanë se jo-myslimanë, sipas një studimi të botuar në dhjetor 2009 nga Combating Terrorism Center e West Point-it).
E vërteta e dytë lidhet ngushtë me të parën dhe ka të bëjë me luftëra amerikane dhe europiane pas 11 shtatorit. Terrorizmi dhe luftërat imperiale kundër terrorit kanë qenë, gjatë këtyre viteve, vëllezër binjakë; dhe të dyve bashkë tani po u merren këmbët. Kanë ushqyer njëri-tjetrin ndërsjelltazi, derisa të vijnë e t’i ngjajnë njëri-tjetrit. Lufta kundër terrorit, që sot ka korrur fitore në një prej betejave të veta, është e njëjta që ka prodhuar Guantanamo-n dhe Abu Ghraib-in: burgjet pa proces gjyqësor, torturën e banalizuar. Pasi rrëzohen kufijtë e të mundshmes, shkruan Clausewitz-i, është shumë e vështirë t’i ngresh sërish: në fakt, as Obama nuk e gjeti dot forcën që ta mbyllte Guantanamon. Ndoshta as ka hequr dorë nga tortura, siç la të kuptonte zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Philip Crowley, para se të jepte dorëheqjen në 13 mars të këtij viti. Të hënën, në BBC, Crowley nuk përjashtoi që të jetë përdorur tortura për të nxjerrë informacion, nga të burgosurit në Guantanamo, për vendin ku fshihej Bin Ladeni. Në vigjilje të dorëheqjes, kishte folur për tortura dhe keqtrajtime të ushtarit Manning (fajtor që i kishte ofruar dokumente WikiLeaks), në burgun e Quantico-s, në Virginia. Pa pritur procesin, Obama tha, në 21 prill: “Manning ka shkelur ligjin”.
Fred Halliday, studiues i njohur i Lindjes së Mesme, ka shkruar në 2004 se në qendër të modernitetit tonë ekziston kjo bashkëfajësi mes terrorizmit dhe eksportimit të demokracisë nga jashtë: “Të dyja ua kanë imponuar me forcë politikat dhe vizionet e veta popujve që konsiderohen si të pazotët për të mbrojtur veten, duke shpallur virtytet e veta historike botërore dhe duke iu referuar projekteve politike që ato vetë i kanë përcaktuar.” Halliday përfundonte: “Terrorizmi mund të mposhtet vetëm në qoftë se moderniteti do ta lërë mënjanë këtë arrogancë qendrore” (evidente në kolonializmin e djeshëm sikurse në terrorizmin e sotëm) (Opendemocracy, 22 prill 2004).
Të dy këto lloje dhune ndaj popujve (terrorizmi dhe lufta kundër terrorizmit) janë bija ideologjish apokaliptike që nuk pyesin për realitetin. Popujt që duhej të ishin “shpëtuar”, kanë treguar se dëshirojnë të kujdesen për veten pa pasur nevojë për Zërin e Padronit. Edhe ata janë gati të vdesin, por pa e glorifikuar vdekjen, si kamikazet. Pa atë që Unamuno e quajti, gjatë luftës civile spanjolle, “kushtrimi nekrofil” i kujt kish zgjedhur për moto “Viva la muerte!”. Vrasja e Bin Ladenit është një tjetër shelbim i ardhur nga jashtë, që të zë sytë.
E megjithatë, ka ardhur koha për të hapur sytë, edhe për europianët që zakonisht i venë pas Amerikës pa fjalë. Koha për të kuptuar pse superfuqia ShBA ka tërhequr kaq shumë urrejtje ndaj vetes. Çfarë është perverse te urrejtja, në fakt, është që ajo gjithnjë fsheh një varësi, një admirim sekret, një nevojë për tjetrin, qoftë ky idhull apo Satana. Lufta kundër terrorizmit nuk filloi në 11 shtator 2011, njëlloj sikurse lufta e parë botërore nuk filloi me atentatin në Sarajevë. Fillon me luftën e ftohtë, kur Washingtoni vendosi që të luftojë kundër ekspansionit sovjetik me çdo mjet: duke ndihmuar regjime autoritare, madje edhe duke financuar dhe nxitur radikalizmin islamik në Afganistan.
Le të mos e harrojmë këtë, kur dëgjojmë Obamën të shpallë se dëshironte “t’ia dorëzonte Bin Ladenin drejtësisë” (bring to justice) pikërisht në momentin kur po e ekzekutonte. Gjatë luftës sovjetike në Afganistan, Reagan-i i quante muxhahidinët jo xhihadistë, por luftëtarë të lirisë (freedom fighters). E megjithatë, dihej se ishin terroristë dhe asgjë më tepër. Në një intervistë lëshuar Nouvel Observateur më 15 janar 1998, këshilltari i Carter-it për Sigurimin Brzezinski, tregon se si Washington-i i ndihmoi xhihadistët kundër qeverisë prosovjetike të Kabulit, në korrik të vitit 1979, ose gjashtë muaj më parë se të ndërhynte Bashkimi Sovjetik. Ndërhyrja e Kremlinit u provokua qëllimisht, “për t’i shkaktuar një Vietnam” politik-ushtarak. Brzezinski nuk është bërë pishman për këtë ndihmë ndaj terroristëve të ardhshëm, dhe gazetarit të skandalizuar i përgjigjet: “Çfarë ngre më shumë peshë në historinë botërore? Talibanët apo kolapsi i perandorisë sovjetike? Ndonjë mysliman i ndërkryer tek-tuk, apo çlirimi i Europës Qendrore dhe fundi i Luftës së Ftohtë?”
Janë deklarata të tilla që të pështjellojnë, të marrin mendtë. Gjithë këta të vdekur – në NYC, Madrid, Londër; në Tanzani, Kenia, Indonezi, Indi, Pakistan – sa peshë ngrenë, në Planet e Mëdha të superfuqive? A ia vlejnë ekzekutimin e një njeriu të vetëm? A kanë ndonjë dobi politike? Fjalë si ato të Brzezinski-t dëgjoheshin rëndom në diskursin komunist: por për demokracitë janë helm. Dhe nëse janë kështu punët, pse na kanë thënë, atëherë, që lufta kundër ndonjë terroristi mysliman të ndërkryer tek-tuk ishte lufta kritike, e pafund, madje nëna e të gjitha luftërave? Bin Ladeni ishte përbindëshi i Frankenstein-it që e fabrikuam me duart tona: në vitet 1970-1980 gur shahu në lojrat e mëdha euro-ruse; në shekullin XXI, armik ekzistencial.
Të rinjtë protagonistë të revoltave arabe kërkojnë diçka krejt tjetër: jo ndonjë armik ekzistencial (e kanë pasur këtë për dhjetëvjeçarë me radhë: Amerikën dhe Izraelin), por kushtetuta pluraliste, ligje të barabarta për të gjithë, ndarjen e pushteteve. Nuk është e thënë që t’ia arrijnë: i kërcënon despotizmi, duke filluar nga ai integralist. Por, për t’u mbrojtur nga demoni i Frankenstein-it, nuk mundemi veçse të shpresojmë në ta.