E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia mes euros dhe rikthimit të dhrahmisë

08-05-2011 / Nga Ilirian Dahri

Nëse Greqia kërkon të ketë mbështetjen financiare nga shtetet e Eurozonës dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar duhet të impenjohet deri në fund për të përmirësuar dimensionin dhe shpejtësinë e rimëkëmbjes së llogarive publike. Aktualisht nuk ka asnjë lloj strukturimi për borxhin e Greqisë por gjithsesi Eurogrupi është i gatshëm të bëjë pjesën e tij edhe pse flitet se mund të shtohet paketa aktuale e ndihmës për Greqinë. Por edhe Greqia duhet të bëjë punën e saj për të bindur vendet europiane që të vazhdojnë ta ndihmojnë. Veç të tjerash, po merret në ekzaminim hipoteza e një sistemi të kontrollit të jashtëm të procesit të privatizimit që duhet të sjellë në arkat e shtetit helen rreth 50 miliardë euro. Por siç ka konfirmuar presidenti i Eurogrupit Jean-Claude Juncker, vendet e mëdha të zonës euro përjashtojnë ristrukturimin e borxhit grek sepse sipas tij flitet vetëm për një zgjidhje financiare e cila mënjanon problemet e tjera. Këto janë pak a shumë konkluzionet e mbledhjes urgjente që u mbajt në Luksemburg ku morën pjesë ministrat e Ekonomisë të Francës, Italisë, Gjermanisë, Spanjës dhe përfaqësues të Komisionit Europian, të Bankës Qendrore Europiane dhe përfaqësues grekë. Gjatë takimit është ushtruar një “presion i fortë” ndaj Greqisë dhe reformave që duhet të ndërmarrë ajo. Në fakt të gjithë pjesëmarrësit ishin mbledhur për një shkëmbim opinionesh por gjithsesi u vendos se ristrukturimi i borxhit grek (kërkohej nga ana greke zgjatja e skadencave për pesë vjet me pjesëmarrjen vullnetare të privatëve) të mos merrej parasysh. Në vend të kësaj zgjidhje doli ideja e një “sistemi kontrolli të jashtëm të privatizimeve” ku Italia dha dhe kërkon të japë një kontribut të konsiderueshëm. Më vonë Juncker është shprehur se një program rregullimi për financat greke do të diskutohet në mbledhjen tjetër të Eurogrupit. Gjithsesi, nënshkruesit privat të borxhit publik grek, dmth bankat, mbështesin tezën se eurozona dhe FMN duhet të rrisin paketën e ndihmës për Athinën edhe pas ristrukturimit të borxhit me pjesëmarrjen vullnetare të kreditorëve privatë. Në fakt mungojnë 42,5 miliardë euro, kaq është shuma e parashikuar për ndihmat e Bashkimit Europian dhe e FMN duke nisur nga trimestri I parë I 2012 por që duket një shumë tashmë e parealizueshme. Shtohet alarmi mbi efektet negative që mund të ketë ristrukturimi me baza vullnetare dhe mbizotëron frika se mund të ketë një rrezik infektimi i cili mund të sjellë një reaksion zinxhiri i cili mund të përkeqësojë akoma dhe më shumë krizën e Portugalisë dha atë të Irlandës. Ndërsa një problem tjetër është edhe besueshmëria e planeve të shpëtimit europian dhe kjo dëmton së tepërmi reputacionin e Brukselit për sa i përket aftësisë së tij për të zgjidhur krizat. Por lajmi i ditës së premte i gazetës gjermane Der Spiegel sipas së cilit pritej një dalje nga eurozona e Greqisë dhe si pasojë një kthim i mundshëm i dhrahmisë u prit me shqetësim në Greqi por edhe në Europë. Qeveria greke ka përgënjeshtruar në mënyrë kategorike hipotezën e daljes nga zona euro kështu të paktën referonte agjencia AFP duke cituar një burim të afërt të Papandreut. Ndërsa pak orë më vonë burime të qeverisë greke i kanë përcaktuar si qesharake të gjithë këto zëra. Gjithsesi këto përgënjeshtrime nuk kanë bindur tregjet dhe euro ka humbur shumë ndaj dollarit.
Në fakt Der Spiegel në artikullin e saj shpjegonte se kishte marrë informacione nga burime qeveritare gjermane mbi situatën në Greqi dhe sipas të cilave qeveria Papandreu po konsideronte idenë për të dalë nga zona euro dhe për të rivendosur dhrahminë dhe duke vlerësuar edhe një ristrukturim të shpejtë të borxhit të vendit. Gjithmonë sipas Der Spiegel, Ministri i Financës Schauble po bënte gjithçka ishte e mundur për të ndaluar Greqinë të dilte nga eurozona duke analizuar të gjitha dëmet e mundshme që mund të kishte e  eurozona nga kjo kthesë e papritur.
Ndërkaq sipas ekspertëve të politikës monetare “Braktisja e euros për dhrahminë nuk do të kishte kuptim, sepse problemet e Greqisë nuk do të zgjidheshin por ndoshta mund të shtoheshin”. Ka zëra të tjerë që e shohin si interes të dikujt që do të lëvizë tregjet dhe spekulimet e ndryshme që mund të bëhen me to.   

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›