Benedikti XVI: “Të krishterët ta duan jetën, familjen, drejtësinë e solidaritetin”
Pas përshëndetjes në Sheshin e Kapitolit, në Akuilea, rreth orës 17.00, Benedikti XVI hyri në Bazilikë, ku filluan punimet e mbledhjes, që i parapriu fazës së fundit përgatitore të takimit II Kishtar të kësaj zone së Italisë, me temë: “Duke dëgjuar atë, që Shpirti Shenjt u thotë Kishave të Verilindjes”. Mbledhja e madhe kishtare organizohet njëzet vjet pas takimit të parë të Akuilesë, më 1990. Në bazilikë ishin mbledhur ipeshkvijtë e Trivenetos, anëtarët e këshillave baritore dioqezane dhe të ftuar të tjerë.
Kujtojmë se simbolika e këtij takimi të madh shprehet në emblemën e zgjedhur për vizitën papnore, e cila duket në të gjitha afishet: dy duar, që ia dorëzojnë njëra -tjetrës Ungjillin. Në sfond, Kryqi i Akuilesë. Dora, që dorëzon Ungjillin, është ajo e Shën Pjetrit; dora, që e merr, e Shën Markut, pajtor i Venedikut; Kryqi, në sfond, simbol shprehës i bashkimit ndërmjet Kishave të Verilindjes!
Në përfundim të takimit, mbajtur në kornizën madhështore të Bazilikës, Papa u drejtoi fjalën 30 pjesëmarrësve në asamble, përfaqësues të 15 dioqezave të Triventos si dhe atyre të Kishave të Sllovenisë, të Austrisë, të Kroacisë, të Bavarisë e edhe të Hungarisë. Të takohesh në Akuile, shpjegoi Benedikti XVI, do të thotë të rikthehesh tek rrënjët, për të qenë përsëri e gjithnjë gur të ndërtesës shpirtërore, me themele në Krishtin e në dëshmitarët më të njohur të kësaj Kishe, Ermagora e Fortunati, Hilari e Taziani, Krizogoni, Valeriani e Kromaci. Të kthehesh në Akuile, do të thotë, sidomos, të mësosh nga Kisha e lavdishme e këtij vendi, që ju lindi, si të impenjoheni sot, në një botë krejtësisht të ndryshme, për ungjillëzimin e ri të trojeve tuaja e për t’u dorëzuar breznive të reja, trashëgiminë e çmuar të fesë së krishterë: “Kush ka veshë, të dëgjojë atë që u thotë Shpirti Shenjt Kishave”- kujtoi Papa ftesën që u kanë bërë barinjtë të gjitha kishave të tyre. E Shpirti Shenjt u kërkon t’i lexojnë me sytë e fesë shndërrimet e mëdha në vijim, sfidat e reja, pyetjet, që kërkojnë përgjigje të ngushtme, ndërmjet të cilave, pyetjet më aktuale: “Si ta kumtojmë Jezu Krishtin, si ta komunikojmë Ungjillin e si t’i edukojmë njerëzit me mësimet e fesë?”.
Këtyre pyetjeve Papa iu përgjigj, duke kujtuar punën e madhe, që ka bë Kisha vendase, dioqezë për dioqezë, në përgatitjen Takimit të madh të 2012-tës, për të përballuar sfidat e ungjillëzimit të ri, të rrënjosur në fenë e shekujve të kaluar e të përtërirë me gjakun e forcën e kohëve të reja. Benedikti XVI vijoi të kujtonte traditën e lumnueshme të këtyre trojeve, rolin e pamohueshëm të Ungjillit të Krishtit, frymëzim i përhershëm për jetën shoqërore e politike, gjurmët e të cilit nuk mund t’i shlyejë dot shoqëria e sotme e shekullarizuar: “Misioni parësor, që Zoti na beson sot, është ta dëshmojmë dashurinë e Tij për njeriun, porositi Papa, duke shpjeguar, në vijim, se kjo mund të arrihet përmes veprave të dashurisë së krishterë, në ndihmë të njerëzve më të pambrojtur: të varfërve, të moshuarve, të sëmurëve, njerëzve me kufizime fizike e mendore, atyre që Shën Pali i quan pjesa më e ligshtë e bashkësisë kishtare”. Në vijim Papa kujtoi edhe kujdesin për familjen, si qelizë themelore e shoqërisë dhe e bashkësisë kishtare, duke vënë theksin mbi krizën e jetës bashkëshortore e djepat e zbrazur; të rinjtë, pastaj, që sot e shikojnë ardhmërinë me mosbesim, sepse shpesh herë jetojnë në kushte të rënda, ndonëse vijojnë të kenë uri e etje për Zotin e që prandaj, kërkojnë përgjigje.
Papa kujtoi sfidat kryesore, që duhet të përballojë Kisha, në një kohë kur njeriu shpesh herë kërkon vetëm mirëqenien materiale e bota kalon fazën e një krize të rëndë ekonomike e financiare, e sunduar nga materializmi e subjektivizmi. Në këto situata të ndërlikuara, porositi me forcë Benedikti XVI, Kisha duhet t’i edukojë njerëzit me vetëdijen e krishterë për jetën, përmes kumtimit të Ungjillit: “Fjala e Zotit, vijoi Ati i Shenjtë, duhet të hyjë në të gjitha mjediset, me bindjen se nga feja e jetuar me guxim, lind, si dje, ashtu edhe sot, kultura e dashurisë për jetën, nga zënia deri në perëndimin e natyrshëm; lind promovimi i dinjitetit të njeriut, vlerësimi i familjes, të bazuar mbi martesën besnike, që i hap rrugën jetës së re, lind impenjimi për drejtësi e solidaritet”.
Ndryshimet kulturore, kujtoi Papa, kërkojnë nga ju të jeni të krishterë të bindur, të gatshëm për t’i dhënë përgjigje kujtdo që t’ju pyesë për arsyen e shpresës, të cilën e keni në shpirt, të aftë për të përballuar sfidat e reja kulturore, duke respektuar të gjitha subjektet, që jetojnë në shoqëri. Prej këndej, Papa, duke kujtuar Letrën e Diognetit, nënvizoi edhe domosdoshmërinë e dialogut me njerëzit, që besojnë ndryshe, duke ua propozuar të gjithëve Krishtin, që është Rruga, e Vërteta, Jeta:
“Vijoni, prandaj, ta dëshmoni me zell të pashuar dashurinë e Zotit, sepse një dëshmi e tillë i shërben edhe së mirës së përbashkët të mbarë shoqërisë civile. Nga një dëshmi e tillë lind një brezni e re burrash e grash, të aftë për të marrë mbi vete përgjegjësi të rëndësishme në fushat e ndryshme të jetës shoqërore, në mënyrë të veçantë, në politikë. Pikërisht kjo fushë ka më shumë nevojë se kurrë, sidomos për të rinj, të aftë për të ndërtuar një jetë më të mirë, në shërbim të të gjithëve”. Nga një impenjim i tillë nuk mund të heqin dorë të krishterët, që janë shtegtarë drejt qiellit, por që vijojnë të jetojnë mbi tokë, në pritje të amshimit”.
Kronika/Ati i Shenjtë filloi dje vizitën baritore dyditore në Verilindje të Italisë. Viziton Akuilenë, Venedikun, Mestren, që e presin me moton: “Ti përforcoje fenë tonë!”. Njoftimin për vizitën papnore në trojet venete e pati dhënë, më 7 tetor 2010, patriku i Venedikut, kardinali Anxhelo Skola, ndërsa programi zyrtar i këtij shtegtimi të rëndësishëm, u njoftua nga Salla e Vatikanase e shtypit, më 15 shkurtin e kaluar.
Ati i Shenjtë u nis nga Vatikani drejt aeroportit të Çampinos në orën 15.00. Arriti në Aeroportin “Friuli-Venecia-Xhulia” të Ronkit, rreth orës 16.15. Për ta pritur kishin dalë autoritetet më të larta shtetërore, politike e kishtare, ndërmjet të cilëve, patriku Skola, kryeipeshkvi i Goricies, imzot Dino de Antoni dhe i Udines, imzot Andrea Bruno Macolato; kryetari i rajonit, i nderuari Renco Tondo dhe autoritete të tjera. U ndalua, së pari, në Akuilea, qytet që i përket kryedioqezës së Goricies, seli e lashtë e Patriarkatit, në provincën e Udines. E pritën, në Sheshin e Kapitolit, para Bazilikës, autoritetet më të larta kishtare e shtetërore vendase. Pas urimit të mirëseardhjes nga ana e kryetarit të bashkisë akuilease, Ati i Shenjtë u drejtoi përshëndetjen e tij të përzemërt të pranishmëve, banorë të një zone në evolucion, që përpiqet të përballojë pasojat e krizës ekonomike e të globalizimit, të cilat ndikojnë fuqimisht mbi vendin dhe mbi jetën e njerëzve, duke krijuar mundësi të reja tekniko-shkencore, rend të ri botëror e marrëdhënie të reja ndërpersonale, por edhe rreziqe të reja, siç është humbja e identitetit. E Verilindja Italiane nuk dëshiron të heqë dorë nga rrënjët e veta të lashta, ku mund të gjejë edhe çelësin për planifikimin e ardhmërisë. Prandaj i viziton Papa këto troje: për t’u kujtuar të gjithëve se Jezusi, biri i mishëruar i Hyjit, është bashkëkohas me ne. E kemi shok udhe. Vizita baritore papnore është përvojë konkrete. Tregon ç’do të thotë të jesh popull, që dëshiron të jetë pranë vëllezërve në praninë e Shëlbuesit, për të menduar së bashku për një verilindje të re, si urë ndërmjet Lindjes e Perëndimit, por edhe ndërmjet Veriut e Jugut.
Aktuale, vizita Papnore. Na nxit të gjithëve të reflektojmë për gjendjen e sotme shpirtërore, shoqërore, ekonomike të mbarë botës, pa harruar se kur Papa flet, prej ngado që të flasë, i drejtohet njerëzimit.
Sapo arriti në Benedikti XVI përshëndeti jo vetëm besimtarët e Trivenetos, por edhe ata të Sllovenisë, të Kroacisë, të Austrisë e të Bavarisë e më pas, duke cituar vargjet e ipeshkvit-poet Paolinit, kujtoi lashtësinë e këtij qyteti që, i lindur në vitin e largët 181, lulëzoi në shekujt e mëpasëm, duke u bërë një nga qendrat më të bukura të zonës e, sidomos, më i famshmi për klerin e për kishat, që i kushtoi Krishtit.
Nga zanafilla e Akuilesë, mendimi i Papës shkoi në provincën e largët të Sirisë, ku lindi Biri i Zotit. Nga Jeruzalemi, përmes Kishës së Aleksandrisë, lajmi i mirë i shëlbimit të Krishtit, arriti edhe këtu, duke u bërë farë për lulëzimin e shpresës së madhe, që i dhuroi këtij qyteti, asokohe i nënti në Perandori e i katërti në Itali, për nga rëndësia, një bashkësi martirësh e dëshmitarësh heroikë të besimit në Krishtin e ngjallur, që e përhapen me guxim Ungjillin edhe në zonat fqinje.
Tokë e bekuar, i quajti Papa këto troje, sepse të vaditura me gjakun e martirëve, të cilëve iu lut të ndërmjetësojnë që kësaj Kishe të mos i mungojnë kurrë dishepujt e guximshëm të Krishtit, të bindur e bindës.
Vijoi me një sintezë të historisë së kësaj Kishe të lashtë Papa, duke nisur nga liria e kultit të krishterimit, në shekullin IV, deri tek sfidat e ditëve tona, e duke u ndaluar posaçërisht tek figura e Bariut të lashtë, Kromacit, të cilit, kujtoi Ati i Shenjtë, i kam kushtuar katekizmin e 5 dhjetorit 2007. “Jam sot ndërmjet jush pikërisht për të përtërirë traditat e lashta të Kishës së Akuilesë, nënvizoi Ati i Shenjtë, por sidomos për t’ju përforcuar në fenë e thellë të etërve tuaj. Në këtë orë të historisë, rizbulojeni e praktikojeni me gjithë shpirt këtë të vërtetë themelore: ‘Vetëm nga Krishti njerëzimi mund të marrë jetë, shpresë, ardhmëri; vetëm në të mund të gjejmë forcën për të falur, për të kërkuar drejtësinë e për të vendosur paqen”.
Pastaj, thirrja e fuqishme e Atit të Shenjtë drejtuar të pranishmëve, duke i ftuar të jenë për Kishat e tyre e në gjirin e shoqërisë, “quasi beatorum chorus”, siç pohonte Jeronimi i klerit të Akuilesë, domethënë të punojnë të bashkuar për unitetin e fesë, studimin e Fjalës së Zotit, dashurinë vëllazërore, harmoninë gazmore e shumëplanëshe të dëshmisë kishtare.
Duke i ftuar të kujdesen në mënyrë të veçantë për të varfërit, Papa u kërkoi barinjve të Kishës së Verilindjes së Italisë të jenë gjithnjë të bashkuar rreth “Grazhdit”, siç shprehej Kromaci, domethënë rreth elterit…
“…ku ushqim është vetë Krishti, Bukë e jetës, forcë në persekutime, shujtë, që të shpëton nga çdo mosbesim e ligështi, gjellë e guximit dhe e flakës së pashuar të dashurisë së krishterë”. Kujtimi i Kishës Shenjte Nënë të Akuilesë ju ndihmoftë e haptë para jush shtigje të reja misionare, në këtë periudhë të trazuar historike, duke ju bërë luftëtarë të unitetit e të mirëkuptimit ndërmjet popujve të trojeve tuaja, tha Papa, që e përfundoi përshëndetjen, duke iu drejtuar edhe përfaqësuesve të kishave të tjera, në gjuhët përkatëse: gjermane, sllovene e kroate.