Montanelli, ky shkrimtar kontrovers, zëmadh: gazetar ndër më të zotët
Para pak vitesh, kur është botuar në shqipe libri i tij “Shqipëria një dhe një mijë”, e kam quajtur autorin e tij një shkrimtar kontrovers. Duke shtuar: Aq më mirë, ngase ky shkrimtar kontrovers është vetë Indro Montanelli zëmadh: gazetar ndër më të zotët, historian ndër më të shquarit jo vetëm italianë, por edhe evropianë. Ai është shkrimtar kontrovers posaçërisht në këtë libër: jo vetëm për nga fryma e një agjit-propi të caktuar ideologjik që fryn hera-herës faqeve të tij, por edhe për nga ato lajthime të tij historike që mund të na ngjajnë neve sot qesharake; për ndonjë ose më shumë se ndonjë, punë pa mend që formulon lidhur me çështjen e besimeve të shqiptarëve, për shembull për Krishtërimin ortodoks apo Islamin shqiptar; po ashtu për një përmasë gati monomaniake kolonializmi ekonomik e kulturor, të cilën, me sa kuptohet, në kohën kur shkruante për Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk e ka përmbajtur dot. Mirëpo pikërisht edhe për këtë arsye, me gjithë pasaktësitë e atykëtushme që në këtë libër të tijin ndeshen, me gjithë traditën e bizarive ose tuhafërive prej të cilave as ai, si bir i denjë i udhëtarëve të qëmoçëm italikë në Arbëri, nuk ka hequr dorë plotësisht, librin e tij është më mirë ta njohim sesa t’ia lëmë pluhurit të bibliotekave italiane. Duke e zhveshur prej leskrave të ideologjisë së kohës, me siguri mjaft gjëra do të na mbeten prej leximit të tij: disa përfundime që qëndrojnë ende në fuqi dhe që dëshmojnë mprehtësinë e vrojtimit, njëherësh të analizës dhe sintezës, të gazetarit shumë të aftë që ai ishte. Rrjedhur prej tyre, edhe një varg të vërtetash gjithnjë të pavenitura nga kalimi i kohës, madje befasueshmërisht të pavenitura, që për mendimin tim ndodhen në pikëprerjen e asaj çfarë është historike me atë çfarë është eterne te shqiptarët. Duke qenë se të vërteta të tilla nuk ndodh të nxirren në dritë prej çdofarë gazetashkruesi të huaj, ato i bëjnë nder zbuluesit dhe formuluesit të tyre, duke vërtetuar se “montanelët” nuk mbijnë në gazetari orë e çast, mbrapa çdo kioske gazetash.
100 vjet Indro Montanelli
Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, Biblioteka Kombëtare organizon një sërë aktivitetesh. Më datë 23 prill, “100 vjet Indro Montanelli”, është cilësuar veprimtaria më e rëndësishme gjatë kësaj dite, në kuadër të celebrimit të Ditës Botërore të Librit. Në prani të shumë personaliteteve shqiptare, është ftuar të marrë pjesë edhe historiani, gazetari Sandro Gerbi, i cili pritet të mbajë një konferencë speciale për aktivitetin e shkrimtarit Indro Montanelli. Veç kësaj, sipas burimeve nga institucioni publik, në Bibliotekën Kombëtare do të realizohet edhe një paraqitje në trajtën e një ekspozite nga vepra e këtij autori, Monatanelli, i cili është përzgjedhur si përfaqësues i kësaj dite. “Shqipëria një dhe një mijë”, është libri i cili pritet të promovohet në këtë ditë, si përkthim i vetë drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari.