E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikë e Re: "Projekto, mirato dhe ndërto me miq"



Prof. as. dr. Gjok VUksani

Të hënën e Pashkëve, kryetari Rama, i rrethuar nga katër persona anonimë, të pavotuar nga asnjë strukturë e partisë së tij, paraqiti para shqiptarëve programin e ri të qeverisë të ëndërruar.

Arsimi u paraqit si prioritet i tij dhe i zëdhënësve që nuk kanë asnjë orë përvojë në arsimin bazë apo atë universitar.

Ky arsimdashës i madh, që gjatë 10 viteve të qeverisjes së arsimit në kryeqytet ka ruajtur numrin më të madh të nxënësve në klasë nga 40-50 vetë.

Ky arsimdashës i thekur që ka ndërtuar më pak shkolla për numër të nxënësve se në çdo bashki tjetër, pretendon se do të ndreqë arsimin në gjithë Shqipërinë.

Ai mjeshtër që nuk është i zoti të ndreqë shtëpinë e tij, nuk ka asnjë mundësi të ndreqë shtëpitë e botës.

Ky arsimdashës i paparë, që ka lënë fëmijët tanë të ngrijnë gjatë dimrit nga të ftohtit në Tiranë, do të sigurojë ngrohje për fëmijët e Lezhës apo të Tepelenës.

Ky kryetar bashkie që ka dhënë leje ndërtimi tek të gjitha oborret e shkollave dhe terrenet sportive në Tiranë, do të mbrojë dhe ruajë të gjitha hapësirat shkollore në Shqipëri, më duket e pabesueshme.

Z. Rama, firmosësh, i lejes së ndërtimit për burrin e nënkryetares së bashkisë Mimi Kodheli, të një pallati shumëkatësh në oborrin e shkollës e ka shumë të vështirë të zbatojë politika në favor të zhvillimit të arsimit.

Kaq mendoj se mjafton për të kuptuar hipokrizinë e këtij personazhi dhe risinë që sjell ky program fatkeq.

Zoti Ramë thotë: “Bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë”.

Një pikë mjaft e rëndësishme në programin e ri të anonimëve të PS-së ishte ruajtja dhe zhvillimi i qëndrueshëm i mjedisit.

Si askund tjetër, gjatë këtyre 18 vjetëve, në Tiranë interesat e zhvillimit urban dhe hapësirave të gjelbra funksionojnë të ndara nga njëra-tjetra.

Janë ndërtuar me leje dhe pa leje me qindra dhe mijëra ndërtesa shumëkatëshe, garazhe, dyqane, në mes të lulishtes, në mes të rrugës dhe mbi kolektorët e ujërave të zeza.

Madje, edhe një personi që është akuzuar për krimin e Gërdecit, i janë dhënë 30 leje ndërtimi për të ndërtuar në qendrën e Tiranës.

Derisa kemi arritur sipas të dhënave te “Aleancës së qytetarëve” në rreth 0,5m² sipërfaqe të gjelbër/banor një gjendje ulëritëse që nuk mund ta gjesh në asnjë qytet të botës. Ja si e përshkruan arkitekti holandez, Cuyvers, situatën e hapësirës publike në Tiranë: “...Arkitektët do të shihnin që e vetmja e ashtuquajtur hapësirë publike që është zhvilluar në Tiranë, janë kafazet e futbollit: hapësirë publike e marrë me qera për orë, të cilat përdoren për të luajtur: hapësirë publike e mbyllur në të gjitha anët nga rrjetë teli edhe me ajrin të izoluar dhe të mbyllur”.

Përshkrimi i specialistëve të huaj për Tiranën është akoma më dramatik, madje edhe me nota ironie si një rast “sui generis” që nuk mund ta gjesh në asnjë libër “Guiness”.

Ndërsa përgjegjësi kryesor për këtë situatë katastrofike, kryetari i Bashkisë së Tiranës, për të treguar dashurinë ndaj mjedisit, mbjell disa dhjetëra pemë përgjatë rrugëve të Tiranës. Duket që në këtë qytet nuk ka asnjë cep të pabetonizuar, duket që presioni i ndërtuesve është aq i madh, sa i vetmi vend ku mund të mbillen pemë (nënkupto s’mund të ndërtohet) është rruga. Rama më ngjan me atë vrasësin gjakftohtë, që, pasi ka kryer krimin natën, vjen ditën dhe lë 1000 lekë në varrimin e viktimës.

Dhe ky armik i mjedisit, si kryetar bashkie në Tiranë, premton të mbrojë hapësirat publike në gjithë vendin.

Mos e dhëntë Zoti që ky njeri të bëhet një ditë Kryeministër se do të betonizojë gjithë bregdetin shqiptar nga Saranda në Velipojë dhe do të mbulojë me betonarme Thethin, Valbonën, Lurën apo vendet e tjera turistike.

Ndërsa, për sa i përket pikës tjetër të programit, atë të luftës ndaj korrupsionit. Ai është kampion i korrupsionit, madje, ai është vetë korrupsioni,

pas masakrës me lejet e ndërtimit të dhëna në konflikt interesi në mbledhjen e KRT-së të 22 marsit, ku 9 leje iu dhanë bashkëpunëtorëve me të ngushtë të tij.

Sot Rama ka ndërmend që të thyejë një tjetër rekord korrupsioni në KRT, duke dhënë dhjetëra leje ndërtimi në kundërshtim me draft-planin e datës 12 prill.

Po ndërtuesit e tjerë që nuk janë miq të tij, që nuk janë anëtarë të KRT-së si mund të ndërtojnë ata.

Mos e dhëntë Zoti që ai të behet një ditë Kryeministër se të gjitha veprat publike të Shqipërisë: rrugët, ujësjellësit, spitalet, hidrocentralet do të projektohen, miratohen dhe ndërtohen nga miqtë e tij.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›