E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, nisin procedurat për rrugën Bankë - Ura e Dajlanit



Ndërtimi i rrugës së re, e cila do të çlirojë përfundimisht nga rëndesa trafikun e Durrësit, pritet të marrë “OK” të menjëhershëm në KRRTRSH. Ky ka qenë sipas bashkiakëve, premtimi i Kryeministrit Berisha, i cili duke folur për investimet për qytet-portin më të madh të vendit, gjatë vizitës së fundit në Durrës, deklaroi se “vlera e tyre do të trefishohet në mandatin e dytë pas 28 qershorit”. Nga ana e saj, edhe Bashkia e Durrësit është e vendosur në projektin e saj për ndërtimin e rrugës së re nga Banka deri te Ura e Dajlanit, edhe pse përpara saj gjenden disa pengesa ligjore, të cilat kanë të bëjnë me pronësinë mbi territorin që do t’i duhet t’i kapërcejë me ndihmën e ministrive të linjës. Fillimisht puna do të nisë me prokurimin për hartimin e këtij projekti që ka të bëjë me studion që do të projektojë rrugën. Më pas, projekti do të kalojë në Këshillin Bashkiak për miratim. Pas hartimit, projekti do të udhëtojë për në Tiranë për të marrë miratimin e qeverisë për shkak se një pjesë e territorit nga do të kalojë kjo rrugë, i përket portit detar dhe hekurudhës. Në mënyrë që këto institucione t’i kalojnë këto sipërfaqe në pronësi të bashkisë kërkohet ndërhyrja e qeverisë, thonë në bashki. Bashkia e shikon ndërtimin e kësaj rruge të re si një mundësi për të normalizuar trafikun e dendur të automjeteve në qytetin bregdetar. Atje thonë se janë në gjendje që ta realizojnë me fondet e buxhetit të vet këtë rrugë, por nëse qeveria e merr përsipër ndërtimin e saj, do të ishte një ndihmë e madhe për të gjithë qytetin, kanë shtuar bashkiakët. Rruga do të jetë e gjatë 2 km dhe me 3 korsi. Ajo do të kalojë pothuajse paralel me rrugën kryesore të portit e cila gjithashtu përfundon te Ura e Dajlanit. Rruga e re pritet ta zgjidhë përfundimisht problemin e trafikut në Durrës, i cili rëndohet veçanërisht në sezonin veror dhe dimëror, kur vërshojnë emigrantët. Në fakt, bashkia e qytetit të Durrësit, ka vite që synon ndërtimin e kësaj rruge, po për shkak të pengesave të cilat kanë të bëjnë me pronësinë e territorit nga ajo do të kalojë, nuk i ka hyrë realizimit të këtij projekti. Për të mbërritur deri në qeveri, procedurat do të kalojnë përgjatë një periudhe 90-ditore, bëjnë në ditur në bashki.

Mustafa Taçi, “Qytetar Nderi” i Ersekës

Dje, në sallën e bibliotekës të qytetit të Ersekës, në prani të qindra banorëve të këtij qyteti, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të titullit “Qytetar Nderi” i Ersekës, akorduar nga Këshilli Bashkiak, zotit Mustafa Taçi, me motivacionin “Pasardhës i familjeve fisnike që kanë qeverisur Kolonjën e më gjerë. Mbartës i vlerave të shkëlqyera të familjes së tij dhe të krahinës së Kolonjës. Kontribut të shquar në pasurimin dhe përhapjen e këtyre vlerave në ditët e sotme, kontribut të pazëvendësueshëm në rritjen e cilësisë së jetës sportive në qytetin e Ersekës”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›