Monti kërkon ndërprerjen e futbollit në Itali

Kryeministri italian, Mario Monti ka kërkuar që futbolli italian të ndërpritet për 2-3 vjet, pas zbulimit të trukimit të ndeshjeve në Itali, ku u arrestuan 19 njerëz dhe po hetohen shumë të tjerë.
“Nuk e kam ndërmend ta bëj një propozim, e as nuk është një propozim që vjen nga Qeveria, por është një dëshirë që nganjëherë e kam në mendje. Ndoshta për faktin se isha pasionant i futbollit shumë vite më parë. Por, ndiej në vete se, për t’u vetëdijesuar ne si qytetarë italianë, duhet të suspendohet ky sport”, ishte deklarata shokuese e kryeministrit italian.
Ai ka kërkuar që të hetohen në detaje ndeshjet e dyshimta për kurdisje dhe ta marrin dënimin e merituar ata që u morën me këto punë.
Italia ishte goditur nga ky sindrom edhe në vitin 2006, me Calciopolin, ku më së keqi e pësoi Juventusi, i cili ishte larguar nga Serie A.