E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lula, babai i të varfërve dhe mrekullia ekonomike e Brazilit

Elizete Piaui qëndron qetësisht në pritje dhe nuk lodhet, edhe pse temperatura është mbi 40 gradë Celsius dhe dielli shkëlqen fort në qytetin e vogël të Sertaos, në qendër të Brazilit. Por ajo nuk ankohet, sepse sot është një ditë shumë e rëndësishme, dita e takimit me Presidentin, i cili do të furnizojë barakën ku ajo jeton me ujë të pijshëm. Ndërkaq, dëgjohet zhurma e helikës së helikopterit. Me të zbritur në tokë, prej andej ulet Presidenti i Brazilit. Një limuzinë e çon në vendin ku do të zhvillohet ceremonia. Lula zbret nga makina, i veshur thjeshtë, vetëm me një këmishë, ndryshe nga të gjithë zyrtarët që janë mbërthyer deri në grykë me kollare. Ndërsa ecën, njerëzit përreth e brohorasin. Lula ndalet për t‘i përshëndetur dhe përqafuar ata që i ndodhen pranë. Ai ndihet si në shtëpinë e tij në këtë rajon kaq të varfër të vendit, ku njerëzit vështirë se mund të kenë parë ndonjë ditë të bardhë në jetë. E, megjithatë, ata kanë ende shpresë… Presidenti kaloi tri ditë në qytetin e varfër dhe zonat përreth. Në këtë rajon, ka ardhur 15 vjet më parë, për herë të parë. Atëherë ndaloi në çdo fshat dhe takoi qindra njerëz. 15 vite më pas, në pozicionin e Presidentit të vendit, ai ka një helikopter dhe limuzinë në dispozicion, por njerëzve u duket sërish si njëri prej tyre, ndaj vazhdojnë ta presin si shumë vite më parë, me të njëjtin entuziazëm. Vetë Lula është shumë i familjarizuar me problemet e hallet e Nordestinos, siç quhen banorët e rajonit verior të Brazilit, një ndër më të varfrit e vendit. A ka lindur në Sertao, por e ëma vendosi që ta linin shumë shpejt qytezën e vogël e të vendoseshin në Sao Paulo, rreth 2000 kilometra më larg. Edhe vetë ngritja e Lula-s në pushtet e ka zanafillën te lagjet industriale të periferisë së Sao Paulos. Nga e ëma trashëgoi nismën dhe dëshirën për të ndryshuar jetën për mirë, si dhe për të sakrifikuar për ëndrrën e jetës. Pas kaq vitesh, tashmë, ëndrra e Lula-s është që të sjellë ujin e pijshëm në zonat më të varfra të vendit dhe, mbi të gjitha, për të shndërruar zonat e shkreta në rezervate të gjelbra. Por për këtë duhet ujë, duhen tubacione, duhen para dhe përkushtim e vendosmëri për ta çuar realizimin e projekteve deri në fund. Sipas planit të Presidentit, dy kanale do të sjellin ujë nga lumi përgjatë një hapësire prej 600 kilometrash, i cili pritet të ndryshojë jetët e njerëzve. "Është më e pakta që mund të bëj për ju", u thotë Lula banorëve që marrin pjesë në ceremoninë e përurimit të punimeve. Megaprojekti, që kërkon edhe shumë punime infrastrukturore për shkak të relievit me shumë ulje e ngritje, ka një kosto prej 2.6 miliardë eurosh. Për të filluar punimet Lula ka dërguar ushtarët që të gërmojnë kanalet, ndërsa inxhinierët merren me projektimin e ujësjellësit që do t‘u ndryshojë jetën dhe të ardhmen 12 milionë brazilianëve. Përfundimi i kësaj vepre është parashikuar në vitin 2015 dhe është projekti më i madh dhe më i kushtueshëm i së gjithë Presidencës së Lula-s, por edhe më problematik dhe më i kundërshtuari. Mbështetësit e krahasojnë Lulën me ish-presidentin amerikan, Franklin D. Roosevelt, që vuri në shfrytëzim vrullin e ujit të lumit Tennessee në vitin 1930 për prodhimin e energjisë elektrike dhe që më pas lançoi edhe "New Deal" ose programin masiv të investimeve për të kaluar periudhën e Depresionit në Madh. Por kritikët e Presidentit e shohin këtë projekt si një vrimë të zezë që thith pa fund para.
Dikur Brazili quhej Belindia, madje ishte një emër që iu vu nga një biznesmen që e shihte vendin me një hapësirë gjigante, një ndërthurje mes Belgjikës dhe Indisë, një vend ku kishte të pasur si në Europë dhe të varfër si në Azi dhe ku dallimi mes të varfërve dhe të pasurve ishte i jashtëzakonshme. Lula ishte i pari President i vendit që arriti të ngrinte një urë mes këtyre dy poleve të kundërt, duke u përpjekur që të normalizonte këtë situatë që mund ta kishte çuar vendin në një katastrofë. Falë kësaj politike, ai shihet me sy të mirë edhe nga bankierët e pasur, por edhe nga njerëzit e varfër. Brazili, që prej vitesh, po tërheq pareshtur investitorë të huaj nga e gjithë bota, edhe pse për dhjetëvjeçarë me radhë konsiderohet si një gjigant i përgjumur dhe i mjerë, i zhytur në varfëri dhe në një katastrofë mjedisore. Sot, Brazili, është ylli i të gjitha vendeve që bëjnë pjesë në BRIC, grupin me Rusinë, Indinë dhe Kinën dhe në vitin 2010 pritet një rritje me 5% e ekonomisë së Brazilit. Aktualisht, ky vend, po rritet shumë më shpejt se Rusia dhe ndryshe nga India nuk vuan nga konflikte etnike apo nga çështje kufijsh. Vendi me 192 milionë banorë, ka një treg të brendshëm të stabilizuar me eksporte makinash, avionësh, hekuri, nafte, sheqeri, kafeje dhe mishi që përbëjnë 13% të prodhimit kombëtar bruto. Kina ka zëvendësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri tregtar më i madh i Brazilit në fillim të këtij viti, ndaj vendi nuk është prekur nga kriza financiare që rrënoi financat amerikane dhe të disa vendeve të Europës. Bankat e Brazilit janë të fuqishme dhe të stabilizuara dhe nuk kanë pasur vështirësi gjatë krizës. Por fakti më i rëndësishëm është ai se Brazili tashmë është një demokraci e stabilizuar e stilit perëndimor. Vendi ka paguar borxhin e tij të jashtëm dhe madje është bërë huadhënës i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Qeveria ka grumbulluar mbi 200 miliardë dollarë rezerva dhe reali, monedha vendase, konsiderohet një nga më të fuqishmet në botë aktualisht. Ekspertët ndërkombëtarë parashikojnë një dhjetëvjeçar begatie dhe rritjeje ekonomike për Brazilin. Lula parashikon se Brazili do të jetë një nga pesë ekonomitë më të fuqishme në botë në 2016-ën, vit kur Rio de Zhaneiro do të mirëpresë Lojërat Olimpike. Brazili gjithashtu do të organizojë edhe Kupën e Botës në futboll në vitin 2014. Dhe më pas, Brazili, është një vend me rezerva natyrore të jashtëzakonshme, me ujë të pastër në sasi të konsiderueshme dhe me një nëntokë me shumë naftë. Industria e prodhimit të avionëve ka pësuar një rritje jo të vogël. Inxhinierët brazilianë ndërtojnë avionë për të gjitha linjat ajrore në botë, përfshi edhe ato të vendeve të Europës Perëndimore. Me fjalë të tjera, Presidenti Lula ka arsye të forta që të jetë një njeri entuziast dhe me shumë besim. Ai gëzon respektin dhe fjalët më të mira nga shumë liderë botërorë që nga Obama dhe Sarkozi, ndërkohë që adhurohet edhe nga bankat dhe bankierët e Wall Street. Së fundi ai është personazhi i një filmi me titull: "Lula, miti i Brazilit", që do të shfaqet në premierë, në muajin janar, dhe që flet për ardhjen e Lula-s në pushtet dhe transformimin e tij nga një djalosh i varfër fshati në një President shumë të suksesshëm dhe të adhuruar nga populli i tij. Aktualisht shkalla e mbështetjes që ai gëzon në popull është 80%. Opozita në Brazil thuajse është zhdukur. Lula e drejton vendin si një patriark, madje aq shumë saqë paraardhësi i tij, Fernando Henrique Cardoso, e quan regjimin e tij një "regjim totalitar" dhe paralajmëron se Brazili ndodhet në rrugën e një kapitalizmi shtetëror. Ja cilat janë aspektet që ia mbështesin këto pretendime. Lula nuk ka pasur kurrë besim në aftësinë vetëripërtëritëse të tregut dhe e konsideron shtetin si kornizën e rendit social. Ai është shumë i dhënë pas projekteve madhështore, është pragmatist, por përçmon spekulatorët. Financierët, që shkaktuan krizën ekonomike botërore ai i quajti: biondët me sy bojëqielli", duke lënë të nënkuptohej se ai akuzonte një elitë të caktuar njerëzish që i përkisnin një shkalle dhe një race të caktuar. Kriza financiare rikonfirmoi skepticizmin e Lula-s ndaj kapitalizmit. Presidenti beson se Brazili ia doli mbanë të përballonte krizën financiare më mirë se shumë shtete, sepse qeveria e tij ndërmori masa paraprake dhe kishte sistem të fortë mbikëqyrës dhe rregullator financiar. Sipas Lula-s, lufta kundër varfërisë dhe shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave nuk mund t‘i lihej në dorë tregut. Nën qeverisjen e tij, miliona brazilianë janë bërë tashmë pjesë e një shtrese të mesme që sa vjen e po shtohet në numër. Kjo duket kudo nëpër qendrat tregtare, nëpër aeroporte, rrugë. Hapësira mes të pasurve dhe të varfërve ka nisur që të ngushtohet gjithmonë e më shumë. Çelësi i asaj që konsiderohet si rishpërndarja më e madhe e pasurisë në historinë e Brazilit është programi social
"Bolsa Familia", sipas të cilit çdo nënë në nevojë, që provon se fëmijët e saj shkojnë në shkollë, merr rreth 80 euro në muaj mbështetje financiare nga qeveria. Mund të mos duket ndonjë shifër kushedi se çfarë, por kjo ndihmë qeveritare ndihmon miliona njerëz që të mbijetojnë, sidomos në zonat e varfra në verilindje të Brazilit. Fillimisht ekspertët socialë e kritikuan një nismë të tillë, por tani ajo është shndërruar në një model për të gjithë botën.
Lula ka qenë edhe me shumë fat. Paraardhësi i tij, Cardoso, arriti në njëfarë mënyre që të stabilizonte ekonominë e vendit, e cila u trondit keqas nga hiperinflacioni, kur ai ishte ministër i Financave, në vitin 1994. Ai ndërmori një reformë monetare në vend dhe miratoi ligje që nxisnin një politikë buxhetore të ndjeshme. Lula nuk ka ndryshuar asnjë nga këto politika, që në fakt dolën frytdhënëse.
Qendrat nevralgjike të ekonomisë së vendit ndodhen në dy qiellgërvishtës në qendër të Rios. Banka Kombëtare e Zhvillimit, i ka zyrat e saj në një kullë të rrethuar me qelq, lart e poshtë. Ajo është krijuar me ndihmën e amerikanëve dhe prej andej është financuar "Plani Marshall" i tipit brazilian. Në vitet ‘90 kjo bankë arriti që të përballonte me sukses procesin e privatizimeve të shumë kompanive që ishin pronë e shtetit. Sot, nga kjo bankë i jepet asistencë korporatave në përpjekjet e tyre për zgjerim apo shkrirje të veprimtarisë. Ajo është një bankë që gëzon reputacion, është përfolur më pak se të gjitha bankat e tjera për korrupsion dhe u paguan punonjësve pagat më të larta në sektorin privat në Brazil. Mbi të gjitha, ajo është një bankë që nuk ka pësuar asnjë goditje nga kriza financiare.
Kolona e dytë e ekonomisë braziliane, ose mrekullisë ekonomike të këtij vendi, ndodhet në një bllok çimentoje të ndriçuar natën me ngjyrat e flamurit kombëtar, pra verdhë e gjelbër. Këtu ndodhet selia e grupit gjysmështetëror të energjetikës "Petrobras". Kompania planifikon që të investojë 174 miliardë dollarë gjatë 4 viteve të fundit për shpime të nëntokës në mënyrë që të shfrytëzojë me efikasitet rezervat nëntokësore.
Por megjithatë Brazili nuk është një vend perfekt. Një nga sëmundjet e tij është burokracia. Pastaj modernizimi i infrastrukturës vendase është i përmasave të mëdha, por lëviz ngadalë dhe jo të gjitha paratë që janë miratuar për këto ndryshime janë lëvruar. Një pjesë e madhe mbetet në letër. Pushteti gjyqësor është gjithashtu shpesh problematik dhe vendi nuk ka pasur shumë sukses në luftën kundër krimit. Lula-s i ka mbetur edhe një vit në detyrë, pasi i qëndroi tentacionit të manipulimit të Kushtetutës, për t‘i dhënë mundësi vetes për një mandat të tretë presidencial. Megjithatë i dëshiruar për të ruajtur trashëgiminë e tij, ai emëroi shefen e stafit, Dilma Roussefg, si pasardhësin e tij, pavarësisht të gjitha kundërshtive që pati nga brenda partisë së tij. Ajo ka qenë anëtare e grupeve guerilase të majta gjatë viteve ‘60 dhe ka qenë në burg për disa vjet. Ka reputacionin e një teknokrateje kompetente, por është shumë e ftohtë dhe autoritare. Ajo e ka ndjekur pas Presidentin në udhëtimet e tij jashtë vendit dhe e njeh shumë mirë planin dhe taktikat e tij qeverisëse. Megjithatë askush nuk ka asgjë të sigurt, në një vend që po shndërrohet përditë e më shumë në një nga qendrat më të mëdha dhe të fuqishme të botës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›