E Diel, 1 Nëntor 2026

Monumenti i 100-vjetorit të pavarësisë, përzgjidhet boceti fitues

Boceti fitues

Komisioni për përzgjedhjen e monumentit të 100-vjetorit të pavarësisë ka përzgjedhur fitues projektin e kosovarit Visar Obrija dhe Gjermanit Kai Roman Kiklas. Juria ka rënë dakord me votën e qytetarëve, të cilët kanë votuar online dhe drejtpërdrejt monumentin që do ti ngjajë një libri.

Por përmasat jo fort të mëdha të monumentit kërkojnë një shesh jo shumë të madh, për gjetjen e të cilit do të ngrihet një tjetër juri.

I pranishëm në mbledhjen e sotme, kryeministri Berisha theksoi se Tirana ka nevojë edhe për një monument të madh që të ketë shqiponjën si simbol i kombit.

Ndërkohë, në lidhje me monumentin fitues, ministri Bumçi u shpreh se ai është monumenti i 100-vjetorit të Pavarësisë dhe jo monumenti i Pavarësisë.

Projekti i propozuar nga bashkëpunimi mes dy arkitektëve nga Mynihu frymëzohet nga banesa tradicionale shqiptare. Ajo është e lartë, e gjatë dhe e gjerë prej tetë metrash dhe njerëzit mund të kalojnë lirisht përmes hapjes së saj. Në faqet e brendshme anësore të monumentit do të ketë elementë të vizatuar me lazer si Deklarata e Pavarësisë, simboli kombëtar i shqiponjës dhe figura njerëzore. Hapja e banesës simbolizon çlirimin e kombit shqiptar dhe kapërcimin nga izolimi drejt lirisë dhe pamjen nga e ardhmja, thuhet në përshkrimin e monumentit fitues. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›