E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monumenti në Kavajë, Rama: Shëmti, do e heqim. Berisha: 2 gishtat të duken si bajoneta

TIRANË-Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët paraditen e sotme Edi Rama foli dhe mbi debatin e hapur mbi monumentin me 2 gishta në sheshin ‘Demokracia” në qytetin e Kavajës. Por përkundër deklaratës së Ramës mbi monumentin me 2 gishta në qendër të Kavajës, vjen deklarata e Berishës nga Bërzhita e Tiranës gjatë një takimi elektoral. Kryeministri u fokusua pikërisht tek simboli i 2 gishtave përpjetë.

Kreu i PS vlerësoi se ky monument është një shëmti nga ana estetike dhe cilësoi se demokracinë nuk e solli Berisha, por qytetarët e Kavajës.

“Monumenti nuk ka lidhje me simbolin, por me formën, Kavaja nuk e meriton, sheshi demokracia ka qenë dhe do të mbetet, demokracinë nuk e solli Saliu, por studentët, intelektualët, shqiptarët, era e ndryshimit, Kavaja ka një rol shumë të madh”,- tha Rama.

Kryetari i selisë rozë theksoi se Bashkia e Kavajës do e rindërtojë sheshin 'Demokracia" dhe se Berisha nuk mund të ndërhyjë në punët e pushtetit lokal.
“Ne do e ndërtojmë sheshin dhe do i japim Kavajës përmasat e një qyteti mesdhetar dhe t’i japim atij komuniteti një shesh me dimension tjetër do jetë sërish sheshi “Demokracia”, por ai monument është siç e tha kryetari i Bashkisë së Kavajës, nuk është tamam monument, nuk janë tamam as dy gishta dhe ajo është një farsë. Nuk i takon Saliut të vendosë së çdo bëjë me monumentin kur Kavaja drejtohet nga Elvis Roshi dhe për më tepër që kryeministri ende në detyrë ka thënë se asnjë fond nuk jap për këtë qytet unë, përderisa Kavaja zgjodhi atë si kryetar bashkie”.

BERISHA
Por përkundër deklaratës së Ramës mbi monumentin me 2 gishta në qendër të Kavajës, vjen deklarata e Berishës nga Bërzhita e Tiranës gjatë një takimi elektoral. Kryeministri u fokusua pikërisht tek simboli i 2 gishtave.
“Në këtë fushatë elektorale përballen dy alternativa. Alternativa e lirisë dhe besimit tek vlerat, alternativa e integrimit të Shqipërisë në Europë. Alternativa tjetër është alternativa e shpifjeve dhe mashtrimit, alternativa e bllokimit. Bëni çdo përpjekje me çdo të ri të bashkohet me ju me te ardhmen, me fitoren, me shkollimin tuaj. Alternativa tjetër është alternativa që ka kundërshtuar çdo hap të prindërve tuaj të shqiptarëve për anëtarësim në NATO. Ndaj ju ftoj sot me 2 gishtërinj krenarë si 20 vjet më parë me këta gishtërinj përpjetë ne përmbysëm diktaturën më të egër në Europë.
Shembëm regjimin e etërve të Edi Ramës. Me këta gishtërinj përpjetë nisëm rrugën e Europës, rritëm ekonominë shqiptare 400 herë, morëm anëtarësimin në NATO. Edi Rama bllokmen deklaroi në Vlorë se 2 gishtërinjtë janë bajoneta që u është ngulur në sy shqiptarëve. Rama është njëlloj si Ramiz Alia, dy gishtat i duken si bajonetë. Ramës gishtrinjtë tuaj i duken bajoneta, trikoja ime i duket pazmore ndërsa nesër stilografi im do t’i duket shpatë, furrë që do e përvëlojë, ne do ecim përpara”.

(d.b/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Roshi, Berishës: Nuk ta kam frikën, Kavaja do të të bëjë copash me vota

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›