E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshkopi, Meta: Koha për rotacion, për ta çuar para Planin e Punësimit

PESHKOPI-Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar sot një takim madhështor në qytetin e Peshkopisë, takim në të cilin është prezantuar ekipi i 6 kandidatëve për deputetë në Qarkun e Dibrës. I pranishëm në këtë takim, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh se e Dibra është qarku më i harruar dhe i braktisur nga Qeveria Berisha përsa i takon infrastrukturës. Sipas Ilir Metës, qeveria nuk mbajti asnjë premtim që u dha dibranëve ndaj ka ardhur koha për rrotacion.

“Është koha që Dibra të futet në rrugën e ndryshimit dhe dibranët kanë nevojë për një reflektim të thellë në emër të së ardhmes. Dje takova shumë të rinj që kishin shumë energji dhe që nuk kishin ku ti investonin. Ndaj është koha për rrotacion për ndryshim për të ardhmen e fëmijëve tuaj për ndryshime të fuqishme që i bëjnë realitet brenda mandatit të ardhshëm. Do ndërtojmë dhe Rrugën e Arbrit që kjo të mos mbetet një legjendë”. 

Sipas Metes, Dibra ka ende te pazgjidhur problemin e ujit.
“Por jo vetëm kaq, edhe pas 8 vitesh qytetarët e Dibrës kanë vetëm 2 deri në 3 orë ujë në ditë. Nuk e meriton besoj qyteti i Peshkopisë këtë situatë edhe pse janë bërë 7 milionë euro investime, prandaj meqenëse Berisha nuk e zgjidhi as problemin e ujit të pijshëm as për këtë qytet rrëzë malit të Korabit, ka ardhur koha që dibranët t’i japin Berishës ujë me bisht të lugës dhe jo votën”, tha z. Meta. Lideri i LSI-së u shpreh se është koha që të ecet më shpejt duke vënë në jetë Planin e Punësimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Z. Meta i ftoi të gjithë qytetarët e Dibrës që të votojnë numrin 26, të votojnë LSI-së sepse kështu votojnë që Dibra dhe Shqipëria të ecin më shpejt drejt zhvillimit dhe drejt Bashkimit Evropian. Lista e kandidatëve të LSI-së në Qarkun e Dibrës kryesohet nga Përparim Spahiu, duke vijuar me Agim Hysën, Lutfie Metën. Melaim Damzin, Olsa Shatkun dhe Agron Dacin.

I pranishëm në këtë takim entuziast ishte edhe Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani. Në fjalën e tij z. Manjani u shpreh se vendi sot është në krizë. “Është në kohë të vështira, duhet ta themi këtë dhe kohë të vështira kërkojnë njerëz serioz, kërkojnë ekipe serioze, kërkojnë parti serioze. Dhe ne sot kemi një ofertë, kemi një ekip fantastik kemi një program që do ta zhvillojë ekonominë në mënyrë të qëndrueshme dhe gjithashtu do të risë punësimin në mënyrë të qëndrueshme. Por kemi edhe një lider politik, fantastik dhe i talentuar në qeverisje, ekonomist me profesion, i aftë si ai nuk është kurrkush tjetër për ta bërë këtë punë. Prandaj ju ftoj të bashkohemi të gjithë me numrin 26 që të ecim përpara më shpejt”, tha ndër të tjera z. Manjani.

Në fjalën e tij para qytetarëve dibranë, kryesuesi i listës së kandidatëve të LSI-së në Qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu, u shpreh se Dibra është lënë në harresë gjithë këto vite dhe Qarku i Dibrës është më i varfri në të gjithë Shqipërinë. “Kemi rrugëtuar për gati një vit në Dibër dhe kemi komunikuar me dibranët. Sot vetëm 20 ditë para votimeve jam i bindur se projekti ynë i përbashkët tashmë është i mundur dhe do ta realizojmë. Ne kërkojmë që të na mbështesni sepse ne e kërkojmë votën për punë në dobi të dibranëve dhe për jo për të fituar disa karrige në Tiranë”, tha ndër të tjera z. Spahiu.

Ndërkohë që kandidati për deputet i LSI-së për Rrethin e Dibrës, Melaim Damzi, në fjalën e tij u shpreh se “Për mua është vlerësim i madh të jem përfaqësues i juaj, po aq sa është një përgjegjësi angazhimi im për t’i kthyer Dibrës shkëlqimin e qytetarisë dhe vlerave për të cilat jemi krenuar çdo herë. Më 23 qershor duhet të LSI-në, sepse Dibra dhe dibranët kanë nevoje të ecin më shpejt, jo me fjalë boshe por me veprime konkrete. Ju jap fjalën time prej dibrani që LSI-ja do të jetë një derë e hapur për ju. Dibra më 23 qershor do të votojë ndryshimin do të votojë mirëqenien, do të votojë punësimin. Dibra do të votojë numrin 26, do të votojë LSI-në, do të mbështesë Ilir Metën”.

(d.b/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Video - Peshkopi, Meta: Koha që dibranët t’i japin Berishës ujë me bisht të lugës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›