E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Monun”, rrugica-ekspozitë e amatorëve të artit

Autori i Lajmit: red.
Artistët krijojnë suvenire me simbole antike, të cilat tërhiqen shumë nga turistët e huaj

Rruga "Mbreti Monun", që nis në sheshin "Liria" në qendër të Durrësit dhe gjarpëron për rreth 400 metra mes banesave të reja e të vjetra, ka "mbledhur" disa nga artistët amatorë më të pasionuar të qytetit bregdetar. Ata i bashkon kënaqësia që ngjall puna me një vepër artistike, duke krijuar edhe mjaft suvenire me simbolet e qytetit antik, të cilat janë mjaft të kërkuara në stinën e verës.
Barkat prej druri
Met Lila, ustai i barkave prej druri, 30 vjet më parë, kur i refuzuan kërkesën që të punojë si marinar në një nga anijet e flotës sonë tregtare, nuk u mërzit. Përkundrazi, ai zgjodhi një mënyrë tjetër për të qëndruar pranë detit, madje, edhe më shumë se kaq: Meti filloi të "prodhojë" anije. Punonte gjithë ditën me karrocë në ndërmarrjen komunale të qytetit, ndërsa pjesën tjetër të kohës ia kushtonte modelimit të anijeve prej druri. Në një konkurs kishte fituar edhe një çmim nderi e të nesërmen ishte kthyer përsëri te karroca. Shumë vjet pasi ka ndërtuar barkën e parë prej druri, 55- vjeçari nga Durrësi tashmë përpiqet që të jetojë me këtë zanat. Në rrugicën me emrin "Monun", që zbret nga sheshi qendror i qytetit bregdetar drejt stacionit të vjetër të trenit, kalimtarët çdo mëngjes përshëndesin mjeshtrin e drurit, që punon i mbështetur në murin e godinës së vjetër ku banon. "Në fakt, më pëlqen më shumë që të ndërtoj anije me vela, anije të lashta ilire. Por klientët kërkojnë gjëra të tjera", - sqaron Meti. Shumë prej atyre që blejnë modelet e krijuara nga Meti janë emigrantë, por nuk mungojnë edhe të huajt, të cilët kalojnë rastësisht aty pranë. Ustai i drurit nuk ka shumë dëshirë të flasë për çmimet e punëve të tij, të cilat duket se në krahasim me mundin dhe kohën e harxhuar janë të ulëta. Meti nuk e di se çfarë është marketingu dhe, megjithëse banesa e tij ndodhet vetëm 30 metra larg sheshit qendror të qytetit bregdetar, ai shumë rrallë guxon që të ekspozojë punimet e tij pranë atyre që shesin rëndom cigare apo çamçakizë. "Para një viti, më propozuan të punoj në një punishte të vërtetë, pasi më thanë se në Durrës askush nuk bën më sende me simbolet e Durrësit, me kalanë për shembull, apo me Teutën. Dëshironin që unë të mësoj edhe nxënës të tjerë dhe të prodhonin, si i thonë, suvenire për turistët e huaj. Në dyqanet e dhuratave gjen vetëm një pjatë porcelani me foton e torrës antike dhe asgjë tjetër nga Durrësi", - thotë Meti, i cili disa kohë më parë modeloi në dru edhe amfiteatrin e qytetit. "Punishtja" në shkallën e banesës me një dhomë të vogël, ku jetojnë 7 vetë, "hapet" çdo ditë në të njëjtën orë. Meti rreshton mbi tavolinën e drurit veglat e pakta dhe nis e skalit në dru suveniret e qytetit antik.
Dëshmorët e UÇK-së
"Unë jam me fat që kam punuar bustet e dëshmorëve të luftës së Kosovës. Ata kanë dhënë jetën për lirinë e Atdheut, ndërsa unë i përjetësova në bronz." Të gjitha monumentet dhe bustet e derdhura në bronz janë të lartë nga 1 deri në 2.5 metra dhe mbajnë firmën e skulptorit Ibrahim Reçi. 51-vjeçari Reçi është një artist që ka lindur dhe është rritur në rrugën "Monun". Ai ka mbaruar Liceun Artistik "Jordan Misja" në Tiranë dhe që prej 35 vitesh punon si restaurator në Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Në studion e tij pranë shtëpisë ai ka bocetet e monumenteve që tashmë kanë zënë vend në disa nga qytetet dhe fshatrat e Kosovës. Në oborrin e shkollës "Gjergj Fishta" të fshatit Bishtazhin, pranë Gjakovës, ndodhen pranë e pranë busti i poetit tonë të madh Fishta dhe ai i dëshmorit të UÇK-së, mësuesit të kësaj shkolle, Gaspër Karaci. Bulevardi "Pal Paluca" në dalje të Prizrenit ka në krye monumentin e këtij dëshmori të UÇK-së, ndërsa në Rugovë është vendosur monumenti i Haxhi Hotit, një dëshmor tjetër i lirisë. Në studion e tij gjen gjithçka. Bimçes, siç i thërrasin bashkëmoshatarët, i pëlqen të krijojë suvenire me figurinat prej terakote që janë zbuluar gjatë ekspeditave shumëvjeçare në qytetin tonë antik. "Shenjtorja Afërditë ka pamjen e zadrimores dhe mua më pëlqen ta riprodhoj si një bashkëvendase tonën", - thotë ai, ndërsa ngjesh baltën e fortë së bashku me dy nga fëmijët e tij, të cilëve po ua mëson të fshehtat e artit. Në duar merr një këmbanë, në të cilën ka skalitur emrin "Durrës" dhe pas saj është gdhendur kulla mesjetare.
Artisti i mermerit
Jo më shumë se 50 metra larg shtëpisë së usta Metit, që ndërton barkat prej druri, Tako, siç e thërrasin shokët Isa Shuaipin, i është kushtuar rikrijimit të amfiteatrit antik, torrës mesjetare, mureve bizantine, forumit rrethor apo xhamisë së qytetit. Monumentet më të rëndësishme historike dhe arkeologjike të Durrësit tashmë kanë maketet e tyre të punuara në materiale të përngjashme me ato të cilat janë ndërtuar shekuj më parë. Artisti 49-vjeçar Shuaipi thotë se fillimisht ka rikrijuar torrën veneciane. "M u deshën disa muaj për të sjellë në maket atë që unë shihja te monumenti pranë të cilit jam rritur", - thotë Isai. Më pas erdhën muret bizantine, forumi rrethor, etj. Isai shton se gjithçka rikrijohet me pjesëza të vogla kubike me brinjë 2 cm. "Unë vëzhgoj me kujdes fotot nga drejtime të ndryshme të monumentit, e më pas nis puna. Duhen muaj punë për atë që bëj", - thotë ai, duke treguar me kokë nga tavlla e mbushur me bishtat e cigareve. Kohët e fundit ai ka krijuar një nga monumentet më të bukura të trashëgimisë së kulturës botërore. "Koloseu, amfiteatri i Romës së lashtë, më ka ngacmuar gjithnjë", - tregon ai. Në tavolinën e punës, monumenti dymijëvjeçar duket thuajse i përfunduar. Vetëm për të rikrijuar shkallaret e spektatorëve janë përdorur 600 pjesëza travertinash, një lloj mermeri që është përdorur gjërësisht edhe në ndërtimin e "gjigantit", ku janë ndeshur gladiatorët në Romë.

“Monumentet më të rëndësishme historike dhe arkeologjike të Durrësit tashmë kanë maketet e tyre të punuara në materiale të përngjashme me ato që janë ndërtuar shekuj më parë”

Ky lajm është publikuar: 23/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›