E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja si duhet të plotësohet Formulari i Korrigjimit të Pasaktësive

Autori i Lajmit: red.
Bashkë me Librin e Transparencës në formë elektronike, është dhe Formulari i Korrigjimit të Pasaktësive, që lidhen me të dhënat personale dhe notën mesatare të çdo maturanti. Ky formular plotësohet vetëm prej maturantëve që kanë kontestime për të dhënat e tyre në Librin e Transparencës.

Nëse konstatohen pasaktësi, maturantët duhet të plotësojnë formularin e korrigjimeve. Bashkë me Librin e Transparencës në formë elektronike, është dhe Formulari i Korrigjimit të Pasaktësive, që lidhen me të dhënat personale dhe notën mesatare të çdo maturanti. Ky formular është përgatitur për të evidentuar ndryshimet që duhen bërë për një maturant. Ky formular plotësohet vetëm prej maturantëve që kanë kontestime për të dhënat e tyre në Librin e Transparencës.
Plotësimi
Në pjesën e parë është e detyrueshme të plotësohen të dhënat për Rrethin, Bashkinë/Komunën, Shkollën dhe ID e maturantit. Në çdo kuti shkruhet vetëm një
shkronjë ose një numër. Shkronjat duhet të jenë kapitale dhe numri me shifra arabe.
Këto të dhëna janë të domosdoshme për identifikimin e maturantit, cili konstaton pasaktësi në të dhënat e tij.
Pjesa e dytë
Në pjesën e dytë, në seksionin “Si ishte”, janë të detyrueshme të plotësohen të gjitha të dhënat: Emri, Atësia, Mbiemri, Datëlindja, Nota Mesatare (me shifra dhe me shkrim si në Formularin A2). Praktikisht këto të dhëna janë si në Librin e Transparencës.
Në seksionin “Si bëhet”, do të plotësohen vetëm ato të dhëna ku kërkohet ndryshimi: P.sh. nëse kërkohet ndryshim tek emri, te rreshti “Emri” shkruhet si duhet emri i saktë. Mund të ndodhë të kërkohen dy ose më shumë ndryshime: p.sh. edhe datëlindja edhe nota mesatare. Pasi kërkesa për ndryshimet të jetë plotësuar me kujdes, maturanti shkruan Emrin, Mbiemrin dhe firmos në vendin përkatës. Këto ndryshime që kërkohen nga maturanti duhet të konfirmohen nga mësuesi kujdestar, drejtori i shkollës, si dhe nga drejtori i DAR/ZA. Pjesa e fundit e Formularit të Korrigjimit të Pasaktësive, plotësohet vetëm nga APRIAL. DAR/ZA, pasi mbledhin të gjithë Formularët e Korrigjimit të Pasaktësive, të plotësuar siç shpjegohet më lart, i përcjellin ato në APRIAL, sipas afateve të përcaktuara nga MASH.

Si lexohen të dhënat e LIBRIT TË TRANSPARENCËS

Në Librin e Transparencës nuk përfshihen maturantët që rezultojnë mbetës në një nga katër provimet e Maturës Shtetërore

Në Librin e Transparencës, çdo kandidat maturant gjen të gjitha elementet përbërëse të rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme, të provimeve me zgjedhje, preferencat e përzgjedhura prej tij për programet e studimit (degët), që ofrojnë IAL-të për vitin akademik 2008-2009. Mbi bazën e elementeve të lartëpërmendura në libër janë dhënë dhe pikët e fituara nga secili maturant për çdo preferencë, të llogaritura në bazë të koeficientëve të përcaktuar nga IAL-të. Libri i Transparencës, këtë vit do të botohet për secilin qark me të dhënat e kandidatëve maturantë të shkollave të çdo rrethi. Për secilin rreth janë renditur shkollat e mesme të tij dhe maturantët e çdo shkolle. MASH specifikon se nuk përfshihen në Librin e Transparencës maturantët që rezultojnë mbetës në një nga katër provimet e Maturës Shtetërore. Secili kandidat maturant ka kutinë e tij ku në rreshtin e parë jepen: Numri rendor; numri identifikues i maturantit (ID), që e ka shoqëruar gjatë gjithë procesit të Maturës Shtetërore; Emri, Atësia, Mbiemri, Datëlindja; djathtas janë vendosur emërtimi i profilit të shkollës së mesme që ka mbaruar (është një nga 48 profilet e plotësuar në Formularin A1) dhe së fundi numri i këtij profili. Në pjesën majtas janë emërtesat dhe notat e shkallëzuara të 5 elementeve të Maturës Shtetërore, në bazë të të cilave llogariten pikët. Këto elemente janë dhënë jo vetëm me numrin e programit të studimit, por dhe me emërtesën përkatëse. Më tej vijohet me preferencat e kandidatit, të renditura siç janë kërkuar prej tij në Formularin A2. Preferencat përmbajnë numrin dhe emërtesën e programit të studimit. Në krah jepen tre koeficientët për secilin program studimi sipas kësaj renditjeje: I pari: koeficienti i shkollës (KSH); I dyti: koeficienti për provimin e parë me zgjedhje (KZ1); I treti: koeficienti për provimin e dytë me zgjedhje (KZ2). Llogaritja e pikëve të secilit prej kandidatëve bëhet në bazë të kombinimit të formulave të realizuara në një program kompjuterik për programet e studimit pa konkurs dhe për programet e studimit me konkurs (Akademia e Arteve, Akademia e Sporteve, dega e Arkitekturës, UPT). Në të dhënat e maturantëve të veçantë mund të ketë preferenca bosh. Kjo do të thotë se maturanti:
1. Nuk e ka zgjedhur atë preferencë, e ka mbushur me 000 në Formularin A2.
2. Nuk ka marrë pjesë në konkursin e atij programi studimi.
3. Ka marrë pjesë në konkurs, por nuk ka fituar pikët e mjaftueshme për kualifikim.
Libri i Transparencës është një libër pune, ku secili mund të kontestojë për ndonjë pasaktësi në të dhënat që shikon, por për çdo ndryshim, do të kërkohet dokumentim zyrtar nga Drejtoritë Arsimore të rretheve. Libri i Transparencës, është bërë tashmë element përbërës i Maturës Shtetërore. Sikurse vitin e kaluar mësimor, edhe këtë vit, Libri i Transparencës plotëson kuadrin e informimit të saktë dhe të drejtë të maturantëve dhe publikut, i cili përshkon gjithë procesin e Maturës Shtetërore dhe pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik (IAL).
Ky lajm është publikuar: 23/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›