E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njohja e pasaportave, “njohje e pavarësisë”

Autori i Lajmit: red.
Zv.kryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, ka thënë së se me njohjen e pasaportave të Kosovës edhe Maqedonia edhe Mali i Zi e kanë njohur faktikisht realitetin e krijuar dhe me këtë edhe pavarësinë e Kosovës.
Manaj ka thënë se edhe Serbia në një të ardhme jo të largët do ta njohë pavarësinë e Kosovës në interes, siç tha, të popujve të të dyja vendeve. Por zv.kryeministri e ka cilësuar si të panatyrshme dhe të paperspektivë kërkesën e Serbisë për ta vlerësuar ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Sipas Manaj, procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës po ecën në trendin e tij të natyrshëm, por ka shtuar se ai varet nga shumë faktorë. Ai tha se Kosova brenda pak vitesh do të bëhet anëtare me të drejta dhe obligime të barabarta e OKB-së.
Zoti Manaj, ka patur shumë debate rreth procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ka 46 vende të botës që e kanë njohur atë. Mund të më thoni se si e përcaktoni ju trendin e njohjes së pavarësisë?
“Deri tani shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës e kanë njohur 46 shtete. Njohja e fundit vjen nga Malta, gjatë ditës së djeshme. Ky është një proces që ka ecur, po ecën dhe shpresojmë se do të ecë në trendin e tij të natyrshëm. Procesi i njohjes së vendit të pavarur, krahasuar ose mbështetur në të drejtën ndërkombëtare publike, është një proces që varet nga shumë faktorë. Ne e dimë procesin e shtetformimit të Republikës së Kosovës, dimë rrjedhën e deritanishme dhe të njohjes nga vende të ndryshme të botës, që është një njohje jashtëzakonisht cilësore, e dimë se atë e kanë njohur shumica e madhe e vendeve të BE-së, shumica e madhe, dhe vetëm ende një vend nuk e ka njohur nga G8, dhe ky proces vazhdon. Për ne është e rëndësishme që të ketë një numër më të madh të vendeve që e njohin Republikën e Kosovës. Shpresojmë se do të ketë njohje të tjera në vazhdimësi.
Por opozita dhe shoqëria civile thonë se qeveria e Kosovës nuk ka bërë aq sa duhet në lobizim?
“Mendimet janë nga më të ndryshmet. Në fakt qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë bërë maksimumin e mundshëm për të lobuar procesin e njohjes. Nuk varet vetëm nga qeveria dhe institucionet e Kosovës, por është një proces që varet nga shumë faktorë. Realiteti i tanishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, në konjunkturën e tanishme të procesit të njohjes, varet nga pozicione të ndryshme politike, nga interesa të ndryshme dhe struktura të ndryshme që vende të ndryshme respektojnë për të marrë vendim për njohjen e një vendi dhe, në këtë rast të Kosovës.
Para jush është mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ka një nismë të Serbisë për ta vlerësuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë?
“Është e dukshme që Serbia po përpiqet që këtë problem, me të cilin është e ngarkuar panatyrshëm, ta zhvendosë nga brendia e vendit dhe në një mënyrë ta ndërkombëtarizojë. Përpjekjet e tilla kanë për synim që të neutralizojnë reagimet e brendshme. Ne i dimë raportet në mes partive politike, të strukturës së organizimit politik në Serbi, demokratik e radikal dhe ultranacionalist, kështu që përpjekjet janë për ta zhvendosur nga Serbia dhe ta ndërkombëtarizojnë këtë çështje. Është fare e qartë se është një kërkesë e panatyrshme, një kërkesë e paperspektivë. Megjithatë duhet të shohim se si do të pranohet kjo nga shumica e vendeve të OKB-së. E gjithsesi nuk pritet të ketë ndonjë efekt dhe nuk pritet të marrë shumicën mbështetëse për të proceduar më tutje, respektivisht për të dërguar kërkesën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
A jeni optimist se qeveria e re e Serbisë do të mund të bëjë hapin drejt njohjes së shpejtë të pavarësisë së Kosovës?
“Nuk jam optimist se do ta bëjë shpejt. Por, është e pashmangshme dhe e ardhmja do të konfirmojë të vërtetën se është domosdoshmëri e kohës që dy vendet të jetojnë në fqinjësi të mirë dhe në marrëdhënie të mira në interes të qytetarëve dhe të dy popujve.
Pse zoti Manaj, vendet e rajonit siç janë Maqedonia dhe Mali i Zi ende nuk kanë vendosur që ta njohin pavarësinë?
“Janë probleme të brendshme që reflektojnë edhe nga struktura e popullsisë. Ato përpiqen që të gjejnë momentin më të përshtatshëm të duhur, kur do të jetë më pak i reagueshëm nga një pjesë e popullatës së tyre. Ne i dimë problemet e brendshme edhe të Maqedonisë edhe të Malit të Zi, por megjithatë në një mënyrë të dyja këto vende veç e kanë njohur. Ato i kanë njohur pasaportat e Republikës së Kosovës dhe kjo në fakt është njohje faktike e realitetit të krijuar dhe me këtë edhe e pavarësisë së Kosovës.
Kur mendoni se Kosova do të mund të bëhet pjesë e OKB-së?
“Ne do të bëjmë gjithë përpjekjet për të arritur standarde që sa më shpejt të jemi anëtarë të OKB-së. Nuk mund të parashihet ndonjë datë ose vit. Besoj se kjo nuk do të jetë periudhë e gjatë dhe e dekadave. Por për pak vite ne shpresojmë se do të bëhemi anëtarë me të drejta të barabarta dhe obligime të barabarta, si gjithë të tjerët në OKB”.
Ky lajm është publikuar: 23/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›