“Kurajo” dhe “Tifozat Kuq e Zi” dorëzojnë 150.000 lekë të reja, si dhe dhurata për fëmijët me vlerë 1 100 Euro

Ndeshja e bamirësisë për fëmijët e “Zyber Hallullit”, në Tiranë
Ka përfunduar me sukses mbledhja dhe dërgimi i dhuratave në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, në Tiranë nga Qendra Mediatike "Kurajo" dhe grupimi i ultrasve Tifozët Kuq e Zi. Drejtues të dy organizatave kanë dorëzuar sot 33 pako për fëmijët me vlerë 150.000 lekë të reja, ku lodra të ndryshme apo këpucë të firmës “PICARRI” kanë qenë disa nga artikujt e shumtë që ishin mbledhur për fëmijët. Shuma e të hollave do të dorëzohet në “Credins Bank” ku edhe është llogaria e hapur, në prani të masmedias për të bërë sa më transparentë këtë aktivitet, i cili nën moton “Koha për Qytetarë Aktivë” ishte i pari në llojin e vet për nga organizimi. Eugen Kondi, përfaqësuesi i Tifozëve Kuq e Zi pasi ka uruar fëmijët për festat, u ka premtuar atyre këto organizata “jo vetëm sot, por gjithmonë dhe kudo do të jenë pranë tyre, madje ata që e adhurojnë futbollin”. Kondi u ka premtuar fëmijëve se në ndeshjet ku luan skuadra kombëtare, fëmijët e “Zyber Hallullit” do të marrin pjesë. Leonard Olli, një nga organizatorët e eventit, u shpreh se shoqëria duhet të jetë edhe më pranë problematikës që kanë sot shtresa të caktuara sociale.
Ai u shpreh se nismat për t’u ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve, edhe pse modeste synojnë të sjellën sensibilizim më të madh. Drejtuesi i Qendrës Mediatike Kurajo, Hamza Hatika, u shpreh se jo rastësisht dhënia e dhuratave u la për festën e Krishtlindjeve. Ai u shpreh se, edhe këta fëmijë kanë të drejtë që të festojnë si gjithë fëmijët e tjerë, të kenë dhurata, por dhe dashuri njerëzore.
Hatika deklaroi se vitin e ardhshëm Qendra “Kurajo” do të zhvillojë shumë aktivitete të tjera në ndihmë të fëmijëve jetim. Hatika u shpreh se, Qendra “Kurajo”, Tifozat Kuq e Zi dhe përfaqësues të medias do të jenë më aktivë pasi vitin e ardhshëm eventet dhe problematikat akute do të trajtohen me më shumë kurajë nga gazetarët.
...