Moore: Nuk ka argument të fortë ligjor për shkarkimin e Muhos. Podesta i manipulon fjalimin
Do na pëlqente të shikonim një përfaqësim të plotë në KQZ. Kështu u shpreh drejtori i Departamentin Amerikan të Shtetit për Çështjet e Evropës Qendrore e Jugore, Jonathan Moore. Duke folur nga ambientet e Ambasadës Amerikane në Tiranë, zyrtari i DASH-it, shprehu shqetësimin për situatën dhe zhvillimet më të fundit në vendin tonë, teksa theksoi se fokusi kryesor duhet të jetë krijimi i një klime besueshmërie në mbarëvajtjen e zgjedhjeve me qëllim që populli të ketë besim në rezultatin e këtyre zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.
Deklarata
Në disa prej takimeve kemi diskutuar disa zhvillimet te fundit në parlament. Ndonëse dallojmë disa shqetësime për balancën e formimit të KQZ, besojmë se nuk ka argument të fortë ligjor, për mënyrën si ka votuar Parlamenti. Megjithatë duam të shikojmë që KQZ të funksionojë, dhe të shikojmë si do zhvillohet procesi i zgjedhjeve, tha Moore. Në vijim, zyrtari amerikan bëri edhe apelin e tij për klasën politike të vend ku u kërkoi këtyre të fundit, që të realizojnë zgjedhje sipas standardeve të kërkuara. Pra pritja e respektimit të ligjeve, pritja e zhvillimit të një fushate zgjedhore profesionale, pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të shikojmë Shqipërinë të bëhet vend më i begatë dhe i suksesshëm teksa vijon të punojë drejt anëtarësisë në BE. Por, mesazhi për drejtuesit politik është se kjo nuk është gjë automatike, por nevojitet punë që kjo të realizohet. Për këtë arsye inkurajojmë shqiptarët dhe drejtuesit politik që të bëjnë këtë të mundur, deklaroi Moore.
Kastriot Islami
Jonathan Moore ka shprehur shqetësim edhe mbi atë që ai e quajti presion mbi deputetin Kastriot Islami. Sipas Moore, parimet demokratike kërkojnë jo vetëm zgjedhje demokratike por dhe që njerëzit të bëjnë zgjedhjen e tyre të lirë. ”Jemi të shqetësuar nga ajo që kemi parë , është niveli i lartë i tensioneve politike. Sërish me akuza për çështjen e ligjshmërisë. Dua të them se dje jam takuar dhe me z. Islami. Parimet demokratike kërkojnë që jo vetëm të zhvillohet zgjedhje, por dhe të bëjnë zgjedhjet e tyre. Jemi të shqetësuar dhe të zhgënjyer se ka pasur presion në shtëpinë e anëtarit të Parlamentit. Duke ushtruar jo vetëm presion politik, por dhe ndaj familjes së tij”, përfundoi Moore.
Podesta manipulon qëndrimin e SHBA, censuron fjalitë e Moore
Kompania lobuese Podesta përfshihet në një skandal duke censuruar dhe manipuluar qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për situatën më të fundit politike në Shqipëri. Në një e-mail për mediat ndërkombëtare, Podesta ka ndryshuar fjalinë e Jonathan Moore duke hequr kritikat me pikëpyetjet e forta për votimin në Kuvend për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Jonathan Moore, zyrtari amerikan që mbërriti me urgjencë në Tiranë pas tensionimit të klimës politike deklaroi se ne besojmë se ka një argument të fortë ligjor, që vë në pikëpyetje mënyrën se si ka votuar parlamenti për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së. Sipas Moore, Shtetet e Bashkuara duan që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të funksionojë dhe nëse kjo nuk ndodh, zgjedhjet nuk mund të zhvillohen më 23 Qershor. Do të shikojmë se si procesi do të vijojë. Jemi të shqetësuar nga ajo që kemi parë, niveli i lartë i tensioneve politike, ndërsa futemi drejt këtyre zgjedhjeve, sërish me pyetje edhe akuza në çështjen e ligjshmërisë, tha Moore./TCH