Një deklaratë e kryeministrit që e refuzojnë të gjithë, veç televizioneve familjare
Më në fund Gerti Bogdani e gjeti çelësin e PD dje. Pardje i shkreti brodhi gjithë ditën me deklaratë në dorë ta lexonte, por nuk mundi të hynte dot në PD. Miku jonë, Flamuri, që e kishte marrë vesh që deklarata ishte kundër gazetës “TemA”, mori çelësat në qafë dhe iku. Bogdani, i cili kishte marrë me sms deklaratën nga doktori, u soll nja dy orë rrotull PD, hyri te redaksia e RD dhe e nisi me e mail. Nuk e botoi asnjë gazetë përveç gazetës “TemA”. Dje, doktori shpërtheu që në mëngjes.
- Duhet të dalësh doemos në kamera, - tha. - Mblidh gjithë gazetarët dhe lexoje. Thuaji, je kapteri i Gramoz Ruçit, thuaji je tenderlëpirës, thuaji, je gazetë personale, thuaji….urdhëro, ..aha s’the gjë. Ja këto thuaji.
Flamuri i shkretë u detyrua ta hapte derën dhe Bogdani po priste gazetarët. Erdhën kamerat. E pyetën përse e ka deklaratën.
- Është ajo që u dërgova dje me e mail, - tha, - po s’gjetëm çelësin e PD dhe do ta lexoj sot. Gazetarët ngritën kamerat dhe ikën. Bogdani ngeli prapë pa kamera. Nuk dinte si t’ia bënte. I ra në mend Petrit Beci. U konsultua me të.
- S’ka problem, - i tha Beci, - lexoje ti, se e filmoj unë dhe e shpërndaj unë kasetën.
Ashtu u bë. U regjistrua nga TVSH dhe u shpërnda. Kaloi orari i drekës dhe nuk e dha njeri. Kjo e tërboi dyfish doktorin. E thirri sërish Bogdanin, ç’kishte ngjarë. Ai ia shpjegoi situatën.
- Mirë, - tha, - se flas unë.
Në mbrëmje, më në fund, deklarata u dha në TVSH dhe në “TV Klan”. Qëllimi i arrit.
Gerti, i mërzitur nga zhvillimi i ngjarjes, u lidh në telefon me Lul Bashën. I tha të fliste pak me ndonjë nga media, meqë bëhet fjalë për një diplomat trafikant.
- Ja ta lexoj njëherë ç’ke thënë, - i tha Luli.
Pas pak e mori i mërzitur.
- Po me Gramoz Ruçin ç’ke pas o burrë? Se ia ke fut kot këtu. Se ne e kemi mik familjeje. Gruaja ime e ka si baba, se kanë pas hyrje-dalje familjare një jetë të tërë. Kot ia paske fut këtu.
- Po ç’t’i bëj o Lul, më tha ai burri.
- Aha, po të jetë ashtu, mirë. Po unë s’iu them dot, se e dinë të gjithë që e kemi mik shtëpie Gramozin.
I mërzitur Gerti u lidh me Frangaj Junior që drejton lajmet. I tha ta nxjerrë pak në dukje këtë deklaratën, sidomos pjesën ku thuhet “tenderlëpirësi”.
- Po jo mo burrë, se bie pak keq kjo. Se ne kemi marrë gjithë tenderat e reklamave, madje kemi shpikur tendera. Kemi marrë tendera të Pangos, Nishanit, Pollos, Mediut, iu kemi bërë spote, madje kemi bërë dhe një VKM për këtë punë, që t’i marrim vetëm ne më 5 gusht të këtij viti. Na bie pak ters kjo punë. Po hajt, unë po e jap të plotë, pa koment në lajme.
I mërzitur, se s’dinte kujt t’i telefononte, në fund u kujtua për ‘Mediasat’-in, televizionin privat të familjes së doktorit, ku është aksioner kryesor babai i Elvana Hanës. Mori Elvanën vetë dhe iu lut të hapte lajmet me të.
- Të lutem, - i tha Elvana, - se më vë në siklet. Se kam frikë se më nisin hetimet për përdorimin e parave të ISKSH në bankën private të burrit, dhe ajo më duhet. I kam thënë dhe teta Lilit që nuk dua të përzihem në politikë. Sa të ikin këta nga pushteti dhe do shikoj punët e mija. Boll sakrifikova.
I dëshpëruar që s’po gjente dot kush ta jepte mirë deklaratën, u lidh prapë me Becin.
- A do hapësh lajmet me këtë deklaratën ti, - i tha, - se këta të tjerët nuk pranojnë?
- Patjetër o burrë, si s’do t’i hap, - i tha Beci. - Ja të flas me Sakajevën.
- Pse ai është prapë aty? - i tha Bogdani.
- Jo mo jo, është vajza, po është e mirë kjo. I rri Kopani te koka dhe i qan lajmet. Vetëm për parashikimin e motit nuk pyesim doktorin. Për të tjerat mos ki merak.
- Jo, jo, mos përdor drurin, - i tha Bogdani. - Thjesht thuaja me takt.
- Jo, mos ki frikë, se Kopani është mbiemri i drejtorit të lajmeve, s’ka lidhje me drurin, - i tha Beci.