E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Meta do të vazhdojë rrugën e vjetër, ne do vazhdojmë rrugën e re

Kryetari i PS, Edi Rama, që ndodhet në SHBA për të marrë pjesë në Konventën e demokratëve, flet për “Zërin e Amerikës”

Ky është Kuvendi i parë i një partie politike që ju ndiqni këtu në Shtetet e Bashkuara. Si po e përjetoni zhvillimin e Kuvendit?

Është një shfaqje e jashtëzakonshme e pasionit politik, është një shprehje e cilësisë më të lartë e faktit që politika është pasion për të ndryshuar, është vullnet për të bashkëpunuar me të gjithë ata, me të cilët ndan së bashku, vlera dhe ambicie për veten, për komunitetin, për vendin dhe për kombin tënd. Është arti i vetëqeverisjes dhe i qeverisjes i komunitetit dhe një populli. Kjo shfaqje e këtij pasioni është vërtet një ngjarje e jashtëzakonshme dhe është një dritë në horizontin e çdokujt, që dëshiron t’i japi vetes mundësinë për të marrë pjesë në një hapësirë si politika në demokraci. Në një hapësirë që nuk është një ekskluzivitet apo një monopol i zanatçinjve të politikës, i politikanëve të zanatit, por është një hapësirë për çdo qytetar, për të reja, të rinj, të moshuar, gra, burra, të bardhë, të zinj, pa dallim, të cilët kanë pasionin për të mos e pranuar status quo-në, kanë pasionin për t’i dhënë jetë një energjie të re, për një hap të ri përpara. Kjo është historia e Amerikës, kjo është historia e një politike, e cila është politika e njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit, e arrin t’i çojë njerëz të ardhur nga hiçi, siç është kandidati për president dhe kandidati për zv/president në SHBA sot, në krahun demokrat, deri në Shtëpinë e Bardhë dhe siç kanë qenë plot të tjerë dhe siç do të jenë plot të tjerë. Në një vend ku asgjë nuk është e pamundur për askënd, mjafton pasioni dhe mjafton vullneti për të bashkuar zemra, për të bashkuar mendje, për të bashkuar energji në shërbim të komunitetit dhe të vendit tënd. Megjithatë, ju e shihni këtë dhe duket fare e natyrshme, duken thuajse organike për një sistem politik, por në këtë vend ama, që është një demokraci me rrënjë të thella, një demokraci e stabilizuar.

Por, për një vend si Shqipëria, që hedh akoma hapa jo të qëndrueshëm, çfarë mund të sillet nga kjo përvojë që ju mendoni se ka ardhur koha tashti të vendoset atje dhe të zbatohet në Shqipëri?

Politika e mirë, politika e njerëzve, politika me njerëzit dhe për njerëzit nuk është një çështje e traditës, por është një çështje e pasionit politik, e vullnetit të mirë, e energjive pozitive. Këtë pasion, këtë vullnet, këto energji ne duhet t’i zbulojmë te njëri-tjetri dhe duhet t’i bashkojmë për t’i dhënë jetë në Shqipëri një ndryshimi të madh, një ndryshimi të ri, i cili nuk është thjesht ndryshimi i një qeverie me një qeveri tjetër, i një ngjyre në një ngjyrë tjetër në pushtet, por është ndryshimi themelor, rrënjësor, i pakthyeshëm i procesit politik, që duhet të jetë procesi i grave dhe burrave, pavarësisht moshës, pavarësisht prejardhjes, pavarësisht diferencave dhe kategorive, në një përpjekje të përbashkët për t’i dhënë Shqipërisë atë që Shqipëria kërkon prej shumë dhe shumë kohe dhe që për fat të keq i është privuar nga një politikë e keqe, nga një politikë e vjetër, nga një politikë zanatçinjsh, që e kanë kapur peng procesin politik dhe që duke e kapur peng këtë proces i kanë privuar gjithë të tjerët nga pjesëmarrja. Kjo që shohim ne këtu sot, është shfaqja e pjesëmarrjes, e pjesëmarrjes së madhe qytetare, e pjesëmarrjes së madhe së gjithë atyre njerëzve që duan të japin një kontribut për vendin e tyre, që nga vullnetarët më të thjeshtë, deri te kandidati për president i SHBA, është një shfaqje, e cila duhet t’i tregojë të gjithëve, se politika nuk është dhe nuk mund të jetë pronë e një grushti njerëzish. Se kur ajo është pronë e një grushti njerëzish si në Shqipëri, atëherë dhe vendi mbetet peng, edhe ëndrrat vriten dhe rivriten, shpresat varrosen dhe rivarrosen,. Për këtë arsye, edhe mesazhi i politikës së re që vjen edhe nga kandidati i këtushëm për president i SHBA, Obama, është një mesazh që ka ardhur në vijimësi, pavarësisht nga kampet ku ka qenë gjithmonë krahu në opozitë, që i ka dhënë një shtysë të re ndryshimit. Është mesazhi kuptimplotë, për faktin se gjithmonë që një popull kërkon të shkojë përpara, ka nevojë për një politikë të re dhe në Shqipëri është koha e një politike të re, e një politike të njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit.

Megjithatë, pjekuria politike është ajo që kërkohet dhe duhet respektuar procesi politik, ajo që thatë ju që nuk duhet të jetë kurrë monopol politika…

Duhet ndryshuar, transformuar rrënjësisht politika në Shqipëri. Se të respektosh këtë proces politik, do të thotë të respektosh akuzën e pabazë, do të thotë të respektosh mungesën e etikës, apo një status quo, e cila është status quo e tmerrshme, që ka bërë që njerëzit normalë, që nëse do t’i përmbledhim, të gjithë ata njerëz që duan të komunikojnë, të dialogojnë apo të dëgjohen, t’i qëndrojnë politikës larg apo ta konsiderojnë politikën si një shfaqje të neveritshme. Ndërkohë që politika është shfaqja më e bukur e pasionit njerëzor për të ndryshuar jetën e përbashkët dhe në këtë sens, kjo konventë, këto konventa, siç unë jam i bindur që po këtë pasion politik, po këtë forcë për të afirmuar një vizion, një objektiv, një ambicie të përbashkët, do të jetë edhe konventa tjetër e një jave më vonë, ne ta kthejmë në një shprehje të domosdoshmërisë. Është domosdoshmëri që t’i kapërcejmë kufijtë. Edhe këtu flitet për kapërcim kufijsh, përtej atyre hendeqeve që partitë kanë vendosur, përtej atyre barrikadave që janë ngritur mes të kuqve dhe bluve, përtej tifozllëkut politik dhe duke marrë një shprehje të bukur nga një fjalim i konventës: “Sfida nuk është, nëse vendi do të shkoj majtas apo djathtas, por nëse vendi do të ngjitet më lart apo do të zhytet më poshtë”

Si ju ndihmon kjo përvojë, duke qenë se në kampin e majtë keni patur probleme?

Më lejoni t’ju them se unë kampin e shoh shumë më gjerë sesa kufijtë e vjetër të partive, sesa kufijtë e vjetër mes partive, e shoh shumë më gjerë. Është koha t’i japim një horizont të ri të gjithë atyre që duan një ndryshim të vërtetë në Shqipëri, të gjithë atyre që duan ta lënë pas këtë proces politik, që fut përditë në shtëpitë e tyre stres, neveri, baltë, dëshpërim përmes akuzash, shpifjesh, gënjeshtrash, mllefi dhe mbi të gjitha mungesash më elementare të etikës së komunikimit, qoftë mes njerëzish të të njëjtit kampi apo kampeve të kundërta. Duke marrë natën e sotme, ku do të shndrisë ylli i Hilari Klintonit në qiellin e konventës, është një mësim i madh, një mësim i shkëlqyer se çfarë është politika. Politika nuk është një hapësirë, ku ai që fiton zhbën të tjerët, ashtu sikundër nuk është një hapësirë, ku ai që humbet, humbet përgjithmonë. Por është një hapësirë, ku së bashku afirmohen vlera, ku së bashku punohet për një program, ku së bashku luftohet për disa objektiva, ku së bashku krijohet ajo energji e madhe pozitive, që po krijon kjo konventë me këtë solidaritet të jashtëzakonshëm mes dy rivalësh të mëdhenj, të të gjithë këtij viti paraelektoral, ku Klinton është sot këtu, që t’i ftojë të gjithë që me të në krye të mbështetin Obamën. Ja pra, kjo është politika si pasion për të ndryshuar jetën, jo si zell për të shkatërruar tjetrin. Kjo është politika e alternativave që së bashku brenda një vizioni, krijojmë energji, program vlerash, një bashkësi idesh dhe objektivash dhe jo një rezultat mizerabël, të një lufte shkatërrimtare mes personash apo të një hakmarrjeje dhe një mllefi personal, që degradon deri në mohimin e së drejtës së mijëra, qindra-mijërave njerëzve mbrapa, për ta parë veten në pushtet.

Zoti Rama, përveç pasionit si forcë aktive në opozitë, ju tani përgatiteni për zgjedhjet, ku keni ambicie për të ardhur në pushtet. Po e majta, sa e bashkuar është dhe sa po përgatiteni për këto zgjedhje? Sa mundësi keni dhe si e shihni mundësinë që të dilni si e majtë e bashkuar me LSI?

Kjo është politika e vogël e ditës së bërë zakon. Unë kërkoj dhe ne socialistët kërkojmë një politikë të re të një dite të re, kundër kësaj force zakoni. Duhet një bashkim i ri, që të shkojë përtej kufijve të partive, një bashkimi të ri me shqiptaret dhe shqiptarët që duhet dhe do të marrin prej nesh mesazhin se janë ata arsyeja pse ne bëjmë politikë. Ky bashkim po ndërtohet përditë dhe këtu nuk ka rëndësi, nëse një parti politike sillet në mënyrë të vjetër dhe do të vazhdojë në rrugën e vjetër. Rruga jonë e re është rruga e bashkimit të ri dhe ne po e bëjmë të mundur dhe përmes këtij bashkimi, ne do të fitojmë pa një parti apo partizë tjetër, që vazhdon me inercinë e vjetër, në batakun e vjetër, me akuzat e vjetra. Mllefi nuk është program. Me mllef nuk ndërtohet e ardhmja. Ne duam të ndërtojmë të ardhmen me një program të ri, përmes një politike të re, një politikë të re, e cila do të jetë politika e të gjithë atyre që duan të ndahen nga politika e vjetër, e një shfaqjeje banale luftërash personale, e një monopoli zanatçinjsh të politikës, e një grushti njerëzish, të cilët duhet t’i hapin rrugë politikës së qytetarëve, për qytetarët dhe me qytetarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›