Ambasadori rus: Nuk ka akuza zyrtare për shitje armësh
“E mbajmë këtë konferencë kushtuar njërit prej problemeve që ka tërhequr vëmendjen e mbarë opinionit, në radhë të parë mjeteve të informacionit masiv në gjithë botën”, - tha Aleksandër Prishchepov, ambasador i Rusisë në Tiranë.
“Kjo lidhet me njohjen nga Rusia të pavarësisë së Osetisë Jugore dhe Abkhazisë”, - tha ai.
Presidenti rus, Medvedev, dekretoi të martën njohjen nga Rusia të pavarësisë së dy krahinave separatiste gjeorgjiane. Të hënën, pavarësia e këtyre dy krahinave, e cila u dënua ashpër nga shumë vende perëndimore, u njoh nga Këshilli i Federatës dhe Duma shtetërore.
“Shtrembërimet” në media, sipas zotit Prishchepov, kanë dy shkaqe: “për shkak të largësisë së këtij rajoni” dhe punës së “kompanisë së mashtrimit që ka shpërthyer nga presidenti i Gjeorgjisë, Saakashvili. Rusia e mori këtë hap aspak të lehtë, duke qenë e vetëdijshme për domosdoshmërinë e mbrojtjes së jetëve të njerëzve në këto dy republika të vogla para agresionit të Tbilisit”.
“Në bazën e kursit të sotëm të presidentit gjeorgjian, Saakashvili, qëndron parulla e vitit 1989, e shpallur nga Zviad Hamsakhurdia (ish-presidenti gjeorgjian), “Gjeorgjia vetëm për gjeorgjianët”, - tha ai.
Konflikti, sipas tij, ka nisur në vitin 1992, kur Gjeorgjia u hoqi dy krahinave të saj autonominë. Atë vit në Osetinë Jugore dhe në vitin 1994 në Abkhazi u vendosën trupat paqeruajtëse ruse, por, sipas ambasadorit, perspektivat për paqe u prishën pas ardhjes në pushtet të M. Saakashvilit, në 2003.
“E dimë që në etapa të caktuara tutorët e huaj u përpoqën ta frenonin M. Saakashvilin nga aventura të çmendura ushtarake, mirëpo u duk qartë që ai doli nga kontrolli”, - tha ambasadori.
Sipas tij, “SHBA dhe disa vende, kryeqytete evropiane, i premtojnë Saakashvilit mbrojtje nga ana e NATO-s, bëjnë thirrje për riarmatosjen e regjimit të Tbilisit dhe që tani kanë nisur ta furnizojnë me armë të tjera. Kjo është nxitje e drejtpërdrejtë për aventura të reja.”
I pyetur disa herë, përse Rusia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, kur dihet që aty u krye gjenocid, zoti Prishchepov tha të njëjtën përgjigje të shkurtër pa asnjë lloj komenti: “Kosova është një rast i veçantë, apo jo? Ju vetë keni shkruar.”
“Abkhazia nuk u sulmua nga ushtria gjeorgjiane, pse Rusia e njohu pavarësinë e saj?” – u pyet ambasadori.
“Ne kemi marrë të dhëna se i njëjti agresion përgatitej edhe kundër Abkhazisë”, - tha ambasadori.
Pyetjes tjetër, pse Gjeorgjia nuk u lejua nga Rusia ta trajtonte mosmarrëveshjen me një krahinë separatiste të saj, Osetinë e Jugut, ashtu si Rusia trajtoi çështjen e saj me Çeçeninë, ambasadori iu përgjigj:
“Rasti i Çeçenisë me Osetinë Jugore dhe Abkhazinë është i ndryshëm. Rusia nuk ia ka hequr asaj statusin e autonomisë.”
SHBA dhe shumë vende të tjera perëndimore e dënuan njohjen nga Rusia të pavarësisë së Osetisë Jugore dhe Abkhazisë. Presidenti amerikan Bush e quajti “vendim të papërgjegjshëm”; kancelarja gjermane Angela Merkel e quajti “shkelje të parimeve bazë të integritetit territorial dhe për rrjedhojë të papranueshëm”; ndërsa ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe bëri thirrje të mërkurën për “koalicionin më të madh të mundshëm kundër agresionit rus ndaj Gjeorgjisë.”
Trafiku i armëve
Ambasadori rus ka bërë disa sqarime, duke thënë se akuzat për përfshirjen e Shqipërisë në tregtinë e armëve në Tbilisi i ka marrë vesh vetëm nga mediat... Ai sqaroi se “nuk ka akuza zyrtare. Nëse do të kishte diçka serioze, ne do të reagonim në kanale diplomatike. Shqipëria është përmendur në listën e vendeve, armët e të cilave janë gjetur në Gjeorgji”.
Për sa iu takon akuzave të kryeministrit Berisha një ditë më parë për qëndrimet e Rusisë ndaj shqiptarëve, ambasadori tha se “nuk e lejonte mandati diplomatik për t'iu përgjigjur këtyre thënieve”. Por ai pohoi se ka bërë kërkesë që të takohet me presidentin, Bamir Topi dhe me kryeministrin Berisha për të diskutuar mbi këto çështje. Ai ka deklaruar gjithashtu se reagimet e Shqipërisë kanë qenë emocionale.