E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morali i mendjeve të zaptuara



Të nderuar lexonjës.

Ka kohë që në nënqiellin tonë jetojnë njerëz të shastisur, që ballafaqohen me përditshmërinë e tyre të zymtë politike, ekonomike, sociale, kulturore... etj. Janë njerëz të ndershëm por të hutuar nga varfëria e skajshme. Ata në vijmësi do të dhunohen nga të marrët e të çmendurit. Këta njerëz do të mundohen që ta njohin dhe ta definojnë nocionin e moralit kolektiv. Dhe këtë shkrim do ta filloj pikërisht me konceptimin e moralit të një fabule që llafos një ndodhi që ka si personazhe dashin dhe pleshtin:

Një ditë prej ditëve dashi, pa lejen e bariut të tij, kishte vendosur të degdisë në shehër. Në të dalë nga sinori i fshatit, atë e kishte takuar pleshti, i cili i kishte thënë: “A do më marrësh edhe mua me vete?” Dashi i përgjigjet: “As që më shkon nëpër mend. Me atë thumb që ke ti, mund të më sulmosh dhe të më mbysësh”. I thotë pleshti: “Po pse duhet ta bëj një gjë të tillë? Në qoftë se do të mbysja ty, do të ngordhja edhe unë”. Dashi i tha: “Betohu që nuk do të më helmosh”. “Të betohem!” Dhe pleshti ngjitet në kokën e dashit. Kur veç kishin kaluar gjysmën e rrugës, ndjeu pa pritur një thumbim në qafë. “Përse e bëre?”, - i thërret dashi. “Tani do të ndërrojmë jetë të dy!”, - i përgjigjet pleshti: “Më fal, nuk mund të rrija pa e bërë. E kam në gjak, në natyrë. Pickimi është instinkti im!”

Që në fillim do të bëj përpjekje që t’i shmangem një “paralelizmi jo logjik dhe të kotë” në mes fabulës së lartpërmendur me katër konceptet në vijim: Koncepti i intelektualit (jo)publik, (qoftë në fushën e shkencës, kulturës, teknikës apo ndonjë fushëveprim tjetër); koncepti i mësuesit, respektivisht shërbëtori i popullit; koncepti i platformave të partive politike dhe ai i institucioneve shtetërore, të cilët duhet t’i mbështesin dhe t’i mbrojnë intelektualët dhe mësuesit. Dhe kështu siç konceptohen këto nocione, duhet të jenë autonome gjegjësisht, që dallojnë mirë njëra nga tjetra. Dy të parët, në mungesë të një demokracie të mirëfilltë, do të jenë nën vartësinë “morale dhe materiale” të politikës së kulaçit (që bëhet herë me të mirë e me premtime të bukura) dhe të kërbaçit! (me kërcënime, me shtrëngim e me dhunë). Kjo vartësi “morale dhe materiale” u pamundëson intelektualëve që të frymojnë lirshëm dhe të ndërtojnë mendim të pavarur. E gjithë kjo do të jetë rezultat i mungesës së kujdesit dhe të ushtruarit të kompetencave të shtetit, që pa dyshim duhet të dalin në mbrojtje të tyre. Partitë politike, në vijimësi do bëjnë çmos që në radhët e tyre t’i angazhojnë intelektualët, të cilët do ta kenë për detyrë hartimin e programit të mirëfilltë të partisë, mandej do të duhet të dalin para turmës “së dëgjueshme dhe të organizuar mirë dhe me dhunë”, sa për të hetuar çështjen e psikologjisë së tyre. Paradimi (parakalimi) dhe komunikimi i tyre gjithsesi do të jetë i detyrueshëm, do të jetë i sajuar, i kontrolluar, i kufizuar dhe i drejtuar. Të gjithë intelektualëve do u pamundësohet që t’i vënë në funksion “veshët dhe gojën”...! Duke ua larë trutë, atyre do ua “arrestojnë dhe emigrojnë gjegjësisht do t’ua davarisin” higjienën e mendjes, lirinë e fjalës dhe ndërgjegjes, si dhe veprimin autonom të tyre. Thjesht: të gjithë aktivitetet e tyre do të mbikëqyren. Të gjithë ata që do të pishmanohen karshi “angazhimit vullnetar” në rrjedhat e ngjarjeve të lartpërmendura dhe ata që do çojnë kokë për të thënë se janë manipuluar, do të etiketohen si tradhtarë të kombit. Dhe ja pse, të nderuar lexonjës, intelektualët nuk duan të duken jetë e mot afër turmës, afër institucioneve që nuk përkojnë me profesionin, karakterin dhe psikologjinë e tyre. Ata që nuk do të pajtohen me opinionet e mia do të thonë se ky shkrim kushtuar politikës aktuale dhe “dembelizmit” të intelektualëve ka një grafikon skajshëm të çrregullt! Ndoshta kanë të drejtë. Kjo inatosje dhe ky mospajtim i politikës dhe intelektualëve ka një ngjashmëri të madhe: “... me punën e asaj virgjëreshës që kishte qenë një çikë me barrë”. Pse gjithë kjo homofobi dhe kjo nëpërkëmbje dhe poshtërim i dinjitetit dhe autoritetit të intelektualëve, një autoritet, që sot e gjithë ditën e Perëndisë, ka ngelur nën “kontrollin dhe përkujdesjen e makiavelistëve bashkëkohorë!” Dhe sot nuk është rastësi e thjeshtë, pse intelektualët heshtin edhe atëherë kur domosdoshmërish duhet të dalin në mejdan që të sugjerojnë, të këshillojnë, të qortojnë dhe të kritikojnë. Disa intelektualë këtë nuk do ta bëjnë dot, për faktin se kanë frikë nga humbja e vendit të punës, ca të tjerë do thonë se nuk duan që dikush të tallet me identitetet e tyre, ata nuk do lejojnë të pickohen, të tjerët për mosangazhimin e tyre në politikë, kanë “hazër-xhevap”: nuk duam më të punojmë për “honorar badihava?” qoftë për parti politike, qoftë për komb e vatan. Ndoshta kanë të drejtë! Ku ta dijë njeriu? Sikur në këtë shkrim të kishte hise Mitro Çela nga Shqipëria do thoshte: “Pse na janë pakësuar intelektualët në çarshi!”

Çka me statusin moral dhe material të mësuesit – shërbëtorit të kombit, i cili edhe këtë vit do festojë një përvjetor, atë të 7 marsit, një festë e harruar edhe prej tij, ndonëse kjo ditë i takon dhe i dedikohet vetëm atij. Mësuesi edhe në këtë vigjilje do të thotë: Eh, sa mirë do të ishte sikur ky përvjetor të mos identifikohet me zanatin tim; eh, sikur kjo ditë mos t’i kushtohet barkut tim të boshatisur dhe të shtypur; eh, sikur mos t’i dedikohet lavdisë së veprës sime të anashkaluar dhe të davaritur; eh, sikur mos t’i dedikohet moralit të pagës s’ime dhe idealeve të mia; eh, sikur edhe të jetë kështu siç është, atëherë ata që kanë pak etikë le t’i japin këtij 7 marsi PAK MË SHUMË DASHURI, siç veproi dikur Mit’hat Frashëri, i cili konsiderohet si i pari politikan që njohu institucionin e dorëheqjes. Njohësit e mirë të retrospektivës së tij thonë se ai, në qeverinë e Ismail Qemal Bej Vlorës, duke qenë ministër e kishte braktisur atë post, me qëllim që të ushtrojë detyrën e MËSUESIT…?! Megjithatë mësuesi ynë, edhe pa “ndërhyrjen e moralit të institucioneve”, do ta kapërcejë gjendjen e tij materiale. Todi Lubonja, i cili ishte një nga intelektualët e dënuar të diktaturës komuniste, në veprën e tij: “Pse hesht shtëpia e muzikës”, për mësuesit e popullit do të thotë: “Kujtimi ndaj tyre nuk guxon të jetë i shtrirë si një statujë e ngurosur dhe i rrëzuar si një fosil i përjetshëm”.

Tek e fundit, rruga e lavdisë u takon atyre.

Lavdi mësuesit tonë të dashur!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›