Evropa, në marsh indietro
Gjendja në të cilën ndodhet aktualisht Evropa, ka shkaktuar një shqetësim në rritje brenda saj, pasi kriza ekonomike globale e ka lënë zbuluar në mënyrë të paparë deri më sot, si dhe ka nxjerrë në pah mangësitë dhe kufizimet e vetë Bashkimit Evropian. Tashmë është evidente se Evropa humbi diçka të rëndësishme dhe parësore, kur hoqi dorë nga miratimi i Traktatit Kushtetues: besimin në veten dhe në të ardhmen e saj të përbashkët.
Në mes të krizës më të rëndë qysh nga viti 1929, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i mundësuan vetes "një fillim të ri" nëpërmjet zgjedhjes së Barak Obamës, e deri më tash, po e marrin veten. Në të kundërt, në çdo ditë që kalon, duket se anëtarët e Bashkimit Evropian po lëshojnë terren gjithnjë e më shumë. Në vend që të rigjejë veten, nën presionin e krizës dhe të kontradiktave të brendshme, BE kërcënon se do t'i rikthehet së shkuarës, politikave të egoizmit nacional dhe proteksionizmit.
Aktualisht, Evropa ka një monedhë të përbashkët dhe Bankën Qendrore Evropiane (BQE), të cilat rezultuan një digë mbrojtëse gjatë krizës financiare, si dhe në dobi të stabilitetit monetar. Çdo lloj dobësimi apo venitje e rolit të këtyre institucioneve financiare do t'i shkaktonte dëme të rënda interesave të përbashkëta evropiane. Por, mënyra se si po veprojnë qeveritë evropiane, nëse flasim pa doreza, lë shumë për të dyshuar se gjërat po shkojnë në rrjedhën e duhur.
Ndërkohë që kriza po zgjatohet, mund të dilet në përfundimin së monedha e përbashkët dhe Banka Qendrore Evropiane, ashtu të vetme, nuk mjaftojnë për të mbrojtur tregun e përbashkët dhe integrimin evropian. Pa vënien në zbatim të politikave të përbashkëta ekonomike e financiare, të koordinuara së paku ndërmjet anëtarëve të zonës euro, dhe ngërthimit të monedhës së përbashkët dhe Bashkimit Evropian si një i tërë, ne vetë do të përballeshim me rreziqe të paprecedentë. Duket haptazi që kriza ka asfiksuar shumë vende në botë. Por, brenda Evropës, përfshirë këtu vetë zonën euro, po shpërfaqet një çekuilibër ekonomik, sa serioz aq edhe mjaft domethënës.
Në Itali, Spanjë, Irlandë, Portugali e Greqi, besimi po avullon me shpejtësi, ndërkohë që “situacioni” për ekonomitë më të fuqishme të veriut të Evropës, që gjithsesi kanë edhe ato jo pak probleme, është duke u përmirësuar. Nëse vazhdohet kështu, e nëse i jepet fund de facto kritereve të Mastrihtit duke shtuar masat e proteksionizmit nacional në format e industrisë së ndërvarur, kjo do të përbënte një rrezik serioz. Është e thjeshtë të merret me mend se çdo të thotë për Bashkimin Evropian një dështim i tillë i euros: një katastrofë e përmasave historike.
Për më tepër, shtetet e reja anëtare të Bashkimit Evropian që vijnë nga Evropa Lindore, dhe që nuk kanë as forcën ekonomike, as stabilitetin politik në masën e shteteve më të hershëm (në BE-shën.im), do të fillojnë të bien "pikiatë". Na mbetet të presim se çdo të ndodhë më pas , nëse një strategji e tillë do të keqkuptohej.
Nuk ka asnjë arsye për të besuar që kriza aktuale e ekonomisë globale tashmë ka cekur fundin. Për të shkuar pak më tej, nëse e supozojmë se kriza do të intensifikohet edhe më, Evropa do të gjendet përballë alternativave të vështira: ose që ekonomitë më të fuqishme dhe të stabilizuara të Veriut - kryesisht ekonomia më e fuqishme, Gjermane - të përdorin në masë burimet e tyre financiare për të ndihmuar ekonomitë më të dobëta të zonës euro; ose ekzistenca e euros do të jetë në rrezik, dhe bashkë me të, edhe i gjithë projekti i integrimit evropian.
Atëherë, përse të mos përdorim në mënyrë të menjëhershme instrumente të reja, si p.sh. eurobonot, për të krijuar një mekanizëm të vetë Evropës, të krahasueshëm me FMN-në. Të dyja zgjidhjet kushtojnë rëndë- mbi të gjitha për Gjermaninë - e për më tepër nuk gëzojnë mbështetje popullore ngaqë janë të kushtueshme. E në fakt, nuk janë opsione politike që merren seriozisht. Institucionalisht, nuk gjendet mënyrë tjetër për të shmangur një "qeveri ekonomike evropiane", një "koordinim ekonomik më të mirë", si të doni quajeni, që do të përfshinte gjetjen e instrumente të nevojshëm informalë, pa pasur nevojën e ndryshimit të traktateve. Fatkeqësisht, shihet qartë se “motori” franko-gjerman, shumë thelbësor që Evropa të veprojë në unison, në këtë moment është 'i bllokuar'. Tonet retorike që përdorin ndërsjelltas Franca dhe Gjermania tregojnë se ato kanë interesa të përbashkëta; por nëse në " të thënë" bashkohen, në "të bërë" ndahen si me thikë. Në gati të gjithë veprimet strategjike të përdorura ndaj krizës, Gjermania dhe Franca ndjehen të bllokuara në mënyrë të ndërsjelltë, megjithëse të dyja bashkë po bëjnë të njëjtën gjë, për të cilën dua të mos jem ironik në të shprehur. Kryesisht mendojnë vetëm për veten e tyre, jo për Evropën, që për rrjedhojë, do t'i mungonte një udhëheqësi e njëmendtë.
Bashkimi Evropian është konceptuar dhe ende vepron si pasojë e lëshimeve reciproke të institucionalizuara tashmë, dhe si i tillë duhet të veprojë edhe në të ardhmen, edhe pse tashmë gjendet në mes të vorbullës së një krize ekonomike globale. Nëse Gjermania dhe Franca nuk i zgjidhin kontradiktat mes tyre për të dalë me një qëndrim strategjik të përbashkët, kjo do të dëmtonte si vetë ata, aq sa edhe bashkimin e kontinentit. Nuk duhet harruar asnjëherë se Evropa është një projekt i dizajnuar për progres ekonomik të ndërsjellë. Nëse kjo hallkë ekonomike do të këputej, interesat nacionale do të nxirrnin kokë, duke bërë copë e çikë vetë projektin. Evropës nuk i mungon sot fuqia ekonomike, por vullneti politik për të vepruar në unison. E pikërisht prej këtu, Gjermania dhe Franca duhet të marrin mbi vete përgjegjësinë dhe iniciativën për të ecur përpara.
* Ish-Ministër i Jashtëm i Gjermanisë
Përgatiti në shqip: Zamir Gjurgji