E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimet, ulen çmimet referencë për efekt pagim tatimi



Pagesa e tatimit prej 10 për qind kur shitet një ndërtim, do të jetë më pak për shkak se çmimet e referencës kanë pësuar një ulje. Sipas udhëzimit të fundit të Ministrisë së Financave, por edhe asaj të Drejtësisë, në të gjitha rrethet e vendit është ulur çmimi referencës për metër katrorë. Udhëzimi i lëshuar në datën 26 shkurt, e që tashmë ka hyrë në fuqi, thotë se në rastet kur në kontratat e shitjes së një prone, vlera është më e ulët se ç’ka përcaktuar shteti për efekt tatimi, atëherë do të ketë një mënyrë të re për tatimin e tyre. Udhëzimi përcakton se kur shitet pronat e paluajtshme, atëherë paguan një taksë prej 10 për qind të vlerës në shtet herën e parë dhe më pas paguan për diferencën mes çmimit kur rishitet. Udhëzimi i ri ka përcaktuar se për banesat e privatizuara me ligjin 7652 të vitit 1992, por edhe banesat e ndërtuara nga vetë individët të regjistruara deri në datën 31 dhjetor të vitit 2004, çmimi për metër katror do të jetë 70 për qind e vlerës të llogaritur nga Drejtoria e Tatimeve. Pra, në rast se shitet apartamenti, pronari do të paguajë taksë duke iu referuar 70 për qind të vlerës që i bie 30 për qind më lirë se të tjerët. Çmimi për 1 m2 sipërfaqe ndërtimi për dyqane mallrash apo shërbimesh në Tiranë është 2 herë më i lartë se çmimi i sipërfaqeve të banimit sipas zonave. Çmimi për 1 m2 sipërfaqe ndërtimi për garazh të mbuluar është 70 për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas zonave. Çmimi për 1 m2 sipërfaqe ndërtimi zyra është i njëjtë me çmimin e sipërfaqeve të apartamenteve. Çmimi për 1 m2 sipërfaqe ndërtimi për parkim i hapur është 30 për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas zonave.

Rrethet

Të njëjtat kushte janë edhe për rrethet e tjera të vendit për sa u përket apartamenteve të cilat janë privatizuar në vitin 1992 dhe ato që janë hipotekuar para vitit 2004. Do të ketë 30 për qind ulje. Çmimi për 1 m2 sipërfaqe ndërtimi për dyqane mallrash apo shërbimesh është 1.5 herë më i lartë se çmimi i sipërfaqeve të banimit. Çmimi për 1 m2 sipërfaqe ndërtimi për garazh të mbuluar është 70 për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas zonave. Çmimi për 1 m2 sipërfaqe ndërtimi zyra është i njëjtë me çmimin e sipërfaqeve të apartamenteve. Çmimi për 1 m2 sipërfaqe ndërtimi për parkim i hapur është 30 për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas zonave. Për komunat çmimi minimal llogaritet 70 për qind e çmimit të qytetit përkatës.

Shembuj

Në rast se një banor i një fshati të caktuar ka përfituar një tokë me ligjin 7501, për shembull 10 mijë metra tokë dhe ka vendosur ta shesë, atëherë përcaktohet vlera e taksës për shtetin. Në rast se shitja po ndodh për herë të parë, atëherë merret çmimi i tokës në atë zonë, i caktuar me vendimin e qeverisë. Pastaj ky çmim toke pjesëtohet me normën e inflacionit në vitin kur është marrë toka. Në rast se kjo tokë ka një vlerë për shembull 1300 lekë për metër katror, nga shumëzimi që bëhet me sasisë e metrave të përgjithshme dhe duke u shumëzuar me diferencën mes inflacionit dhe çmimit të tokës, atëherë tatimi për t’u paguar është rreth 7 milionë lekë të vjetra. Në rast se dikush ka një tokë në qytet dhe brenda saj ka një ndërtim dhe vendos të shesë një copë truall, atëherë ka një tjetër procedurë. Në rast se trualli që shitet, destinohet për ndërtim, atëherë vlera e tij do të llogaritet në masën 120 për qind. Bëhen përpjesëtimet dhe më pas paguhet 10-përqindëshi në shtet. Një shembull jepet edhe vetë nga udhëzimi. Në rast se një individ ka blerë një truall në vitin 2002 në masën 300 metra katrorë dhe më pas ka ndërtuar një objekt në masën 100 metra katrorë. Ta zëmë se kjo pasuri kushtoi 3 milionë lekë. Në rast se ai vendos të shesë 50 metra, atëherë bëhet përpjesëtimi me inflacionin e vitit 2002 me vlerën e tokës dhe më pas bëhet shumëzimi i 50 metrave në bazë të vlerës së tokës në vitin 1999 me 10-përqindëshin.

Tatimi

Sipas udhëzimit, kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë apo ndërtesa, tatohet me 10 për qind të fitimeve kapitale të realizuara. Tatimi do të paguhet nga individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme para kryerjes së regjistrimit të pasurive, në përputhje me aktet ligjore. Pasuria e paluajtshme nuk regjistrohet, pa provuar pagimin e detyrimit pranë zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ndërkaq, me kalim të së drejtës së pronësisë do të kuptojmë një akt shitjeje apo dhurimi të pasurive të paluajtshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›