Ministria e Kulturës duhet të ndahet nga sporti dhe turizmi!
Nuk kam ndërmend të futem në debatin, ose skandalin që ngjau në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Politika është politike dhe skandale ndodhin kudo!
Kjo ministri për qëllime të zvogëlimit të posteve ministrore është një ndërmarrje gjigante, e cila nuk mund të funksionojë si e tillë. Kultura dhe sporti kanë probleme totalisht të ndryshme, pavarësisht se të dyja janë pjesë e kulturës shpirtërore dhe qytetare.
Natyrisht edhe turizmi ka një destinacion krejt tjetër.
Është e pamundur të menaxhohen të gjitha së bashku, pavarësisht se përbëjnë kulturë. Bota moderne ka në princip menaxhimin dhe ministritë tona vuajnë për menaxhim dhe menaxher të zotë. Po është e pamundur të menaxhohen tri veprimtari me destinacion të njëjtë dhe me probleme totalisht të kundërta, si në planin menaxherial, politik dhe shpirtëror së bashku.
Prandaj i drejtohem Kryeministrit, që me një vendim të shpejtë të qeverisë shqiptare t’i ndajë sa më shpejt që të jetë e mundur këto tri degë, pak a shumë të njëjta. Problemi imediat për ekonominë tonë është turizmi. Ekonomia jonë e re dhe e dobët e ka të ardhmen vetëm nëpërmjet turizmit. Sezoni po afron dhe strategjitë për turizmin duhet të jenë shumë agresive dhe proteksioniste, është e pamundur që një zëvendësministër të mbulojë problemet e turizmit kombëtar. Ose duhet të krijohet një institucion i përkohshëm për turizmin, nëse qeveria nuk ka mundësi të ndajë ministrinë. Turizmi ka konkurrencën më të madhe në rajon. Kjo është botë konkurrente. As Budva, as Dubrovniku, as Athina e Selaniku nuk janë të interesuara të kemi neve një turizëm intensiv. Më të vërtetë jetojmë në një botë globale e paktesh, por konkurrenca vazhdon të jetë dhe do të jetë në këtë zhvillim. Rikonceptimi i Ministrisë së Turizmit është i domosdoshëm dhe urgjent. Të tjetra probleme ka kultura dhe sporti. Është e pamundur që një ministër të përballojë konkurrencën e fuqishme në sport, interesat gjigante, grupet e interesit në këtë fushë. Situatat e deritanishme kanë qenë të papëlqyeshme në një kohë që sporti jonë është në nivele amatore me rezultate dhe në pretendime për buxhete të mëdha. Kurse kultura është një fushë që kërkon një vëmendje të veçantë. Kultura nuk është luks për një komb.
Jo çdo projekt dhe individ përbën precedent kulturor. Nuk janë të gjithë artistë dhe talent, prandaj Ministria e Kulturës duhet të jetë e ndarë dhe të ketë principe të vlerësimit dhe të projekteve për të ardhmen.
Në kulturë ka një etje për projekte të shfrenuara. Jo të gjithë i subvencionon shteti. Mbi të gjitha, ministria aktuale ka një staf pa ide, të paaftë dhe i krijuar nga qarqe të dyshimta. Është e pafalshme që një koordinator pa emër punon në Ministrinë e Kulturës dhe ndërmerr iniciativa si koordinues. Pa u zgjatur dhe pa diskutuar për skandalin dhe skandalet që ndodhi, kam idenë që kjo ministri duhet të ndahet patjetër, pasi është e pamundur që një ministër t’i mbulojë të gjitha. Zhvillimi ekonomik i vendeve të Ballkanit Jugperëndimor është i mbështetur në kulturë.