Papërgjegjshmëtarët
• Elsa BallauriMë duhet të rithem shumë gjëra që po përsëriten përditë në të gjitha mediat. Megjithatë, për herë të parë nuk e ndjej veten të bezdisur nga përsëritja. Është një shtysë e brendshme që nuk të pengon dot fjalën, pëshpëritje qoftë kjo, apo ulërimë: ajo që ndodhi dhe vazhdon të ndodhë, ajo që ka ndodhur dhe do të ndodhë akoma. Papërgjegjshmëria dhe papërgjegjshmëtarët, ne nuk rreshtim së jetuari pa këtë realitet dhe së qeni të tillë…Tragjedia që ndodhi 10 ditë më parë në Gërdec të Vorës, shumë afër kryeqytetit, me pasojat e pothuaj 20 të vdekurve, disa dhjetëra të plagosurve dhe të pastrehëve, u shndërrua në një "puzzles" që përmban në vetvete të gjitha copkat jo vetëm të një skene që ndodhi në një orë e në një ditë të caktuar, por të një skene shumëshekullore psiko-shqiptare që është përsëritur me mijëra herë, skenë e raportit të njeriut me një nga aspektet më të rëndësishme të jetës së tij: rrezikut. Ky fenomen është më shumë se i madh në vendin tonë: është i përbindshëm dhe për fat të keq arriti u rikujtua shumë shëmtuar në mesditën e 15 Marsit. Duke lexuar dje Gerdeciadën e Tupes, jam e bindur që atij i ka ardhur keq të shprehet për një të vërtetë të hidhur në lidhje me përgjegjshmërinë kur thotë; …"me këtë nuk dua të them që jemi një popull i papërgjegjshëm, por ama, që prodhojmë papërgjegjshmëri, kjo është e vërtetë…". Në të kundërt, unë mendoj se NE JEMI NJE POPULL I PAPERGJEGJSHEM që natyrisht prodhon papërgjegjshmëri. Nëse do të ishim të përgjegjshëm nuk mund të prodhonim papërgjegjshmëri, por vetëm shfaqje tangente të saj. Nuk jemi thjesht të papërgjegjshëm, jemi më shumë se kaq: jemi PAPERGJEGJSHMETARE, pra njerëz që udhëhiqen në jetë nga mungesa e përgjegjësisë prindërorë, qytetare, shoqërore, shtetërorë, njerëz që e kanë bërë papërgjegjshmërinë pjesë të filozofisë së tyre për jetën. Ne na mungon të jetuarit modern dhe realist, jetojmë në mënyrë virtuale, e shtyjmë jetën me intuita dhe jo me logjikë. Papërgjegjshmëria jonë është e vjetër dhe kaq shumë e lidhur me origjinat, traditën, kulturën, aq sa është bërë genetike. Më vjen shumë keq ta them se këto janë veprime dhe sjellje primitive. Në ç'vend të shpellës jemi, sa do të duhet të dalim prej saj… Ndofta jemi në prag… sa kohë dhe ç'shtysë do të na bëjë të fluturojmë jashtë. Apo do të vazhdojmë të hezitojmë për të kapërcyer pragun. …Papërgjegjshmëtarët shqiptarë janë të shumtë, jemi ne të gjithë. Na vjen çudi kur shohim madje gjëra të përgjegjshme. Nëse në një ndërtesë që ndërtohet do të ketë rrjeta mbrojtëse dhe masa të tjera që merren për të mos dëmtuar qytetarët, jemi ne që çuditemi të parët dhe menjëherë bëjmë lidhjen me kulturat e huaja. Nuk më duket normale që gjithçka e kujdesshme, e përgjegjshme të konceptohet në Shqipëri me idenë se "vjen nga vende të zhvilluara" dhe ne automatikisht përjashtojmë veten, bëhemi pre e papërgjegjshmërisë sonë aktive. Kemi vite që kalojmë ngjarje të vështira, edhe tragjedi. Për çudi, pas mbytjes së skafit në 9 janar 2004 në Vlorë, ndodhi një tjetër ngjarje ujore absurde: Farka. Këtë radhë nuk ishte një ikje nga vuajtjet ekonomike dhe mospajtimi me realitetin politik: ishte thjesht një gëzim dhe të papërgjegjshmit nuk kursyen as fëmijët e tyre të vegjël. Pra, ndërtesa jonë jetësore, sociale, psikologjike lidhet ngushtë me fenomenin e mungesës së përgjegjësisë: është ajo që na drejton, jemi në dorën e saj dhe nuk bëjmë përpjekje ta ndryshojmë. "Të dalë ku të dalë", është shprehje që përdoret dendur. Të jetuarit vetëm të aktit, pa pasojat, të jetuarit sot për sot, pa u menduar ç'vjen nesër. Papërgjegjshmëria shqiptare fillon që në marrëdhëniet e thjeshta në familje, pastaj ajo merr përmasa më të dukshme në shoqëri…Është e vështirë për një vend të ecë mbi mina të tilla. Diku dhe diçka shpërthen një ditë. Por ajo që e bën shpërthimin më të fortë dhe tragjedinë më të frikshme, është papërgjegjshmëria shtetërore. Përgjegjshmëria sociale, e cila në radhën e termit përgjegjshmëri, është nga më delikatet dhe më të rëndësishmet, është një teori etike ose idealogjike, ku shteti, korporatat, organizatat ose individët, kanë përgjegjësi përpara shoqërisë. Duke u nisur nga ky përkufizim mund të bëjmë dallimin e madh që ka një vend i përbërë nga qytetarë të papërgjegjshëm, nga një tjetër vend që ka edhe qytetarë, edhe shtetarë të papërgjegjshëm. Nëse kemi një popull (më vjen keq ta përsëris, por do ta bëj këtë) primitiv në konceptet humane dhe njohjen mbi shoqërinë njerëzore, kjo mund të jetë gjysma e së keqes. Por kur kjo masë njerëzish UDHEHIQET nga psikologjia e papërgjegjshmërisë, kjo është tragjedi e vërtetë.Gërdeci po na bën ta njohim më mirë dhe më shumë veten tonë. Gërdeci mund të na bëjë të shohim brenda vetes sonë. Është rasti për të gjithë ne të përpiqemi për këtë.