E Diel, 1 Nëntor 2026

Morati: Asnjë inatosje pas barazimit me Dinamon

Dy fitoret e fundit kanë propozuar Milanin si një kundërshtar i mundshëm i Interit në betejën për titullin kampion. Presidenti zikaltër Masimo Morati nuk është aspak i habitur nga kjo, por shpreson që rivalët e qytetit të mbeten deri në fund në këtë distancë, pra 7 pikë larg tyre. “Shpresoj që Milani të jetë rivali ynë direkt, por me të njëjtën diferencë pikësh deri në fund, - tha Morati në momentin e dorëzimit të çmimit “Faketi” për trajnerin e Fiorentinës Çezare Prandeli. – E dinim që në fillim të sezonit se Milani do të ishte një skuadër e rrezikshme”, shtoi ai. Duke u kthyer tek Interi, Morati nuk e ka fshehur se do të ishte më i kënaqur nëse vlerat e shprehura në Champions League do të ishin të njëjta me ato të kampionatit. “Është normale, por për fat të keq në jetë nuk mund të kesh gjithçka, - u shpreh ai. – Përtej psikologjive, mendoj se është e rëndësishme ajo që tha Murinjo, se duhet bërë rrotacion për të pasur futbollistë të freskët”. Për Moratin janë të tepërta kritikat e marra nga skuadra e tij apo fakti se ai është inatosur me lojtarët pas barazimit me Dinamo Kiev. “Ndoshta janë ngatërruar me barazimin e vitit të shkuar kundër Mançester Junajtid, - tha presidenti duke qeshur. – Këtë herë nuk bëra asnjë lloj skene, sepse e kuptova se ndeshja shkoi përgjithësisht mirë. Pastaj, nuk ka ardhur ende momenti deciziv i sezonit”.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›