E Diel, 1 Nëntor 2026

Ronaldinjo, çdo gol vlen 10 mijë dollarë

Për çdo gol, shuma kalon për bamirësi të "Fondacionit Milan". Berluskoni entuziazt: Blerje e gjetur!

I shpëtuar nga mungesa e thirrjes në kombëtare nga ana e trajnerit Dunga për eliminatoret e "Afrikë 2010" (Kaka dhe Pato u kthyen me një model të ri folkësh "ala marins"), Ronaldinjo kishte ruajtur të dielën forcën për të shënuar gola vendimtarë. Me dygolëshin ndaj Sampdorias, dollarët e dhuruar nga "Fondacioni Milan" janë bërë 30 mijë: për çdo gol të shënuar, një nga sponsorët e brazilianit, "Nutrilite", i dorëzon 10 mijë dollarë, që ai ia kalon organizatës së drejuar nga bashkëkombasi dhe drejtuesi milanist Leonardo. Bamirësi për shumë njerëz, por Ronaldinjo është bamirës edhe në fushë. Zhbllokoi ndeshjen kundër blukaltërve dhe shënoi dygolëshin e parë me fanellën kuqezi. Basti i Milanit duket që tani i fituar.

VONESA - Siç i ndodh gjithnjë, Ronaldinjo ka kaluar shumë kohë në dhomën e vogël të antidopingut në "San Siro". Një nga defektet e pakta që i gjejnë te Milani, ku e adhurojnë, është pikërisht paaftësia për të mbyllur "operacionet" pas ndeshjes. Ka nga ata që e presin me orë, por Dinjo arrin të jetë buzagaz edhe me stadiumine boshatisur, aq sa po i pëlqen jeta e tij e re. "Duhet të falënderoj shokët, Ançelotin dhe gjithë stafin, - u shpreh sulmuesi brazilian. - Po më ndihmojnë shumë."

PROGRESE - "Rruga është e gjatë, duhet të punoj akoma, por dy javët e kaluara në Milanelo më shërbyen." Jo se Ronaldinjos nuk i pëlqen të shkojë në kombëtare, por, gjithsesi, qëndroi në Milano dhe u përpoq ta shfrytëzojë kohën. "Duhet të gjejë vazhdimësinë," - shpjegon Dunga. Është ajo që po përpiqet të bëjë. "Nuk ju pëlqeva kundër Sampit?" - i pyet ironikisht Ronaldinjo ata që e pyesin se kur do të kthehet në formë. "Mua më pëlqeu mënyra sesi luajta dhe shpresoj të jem shpejt në gjendje për të luajtur një seri ndeshjesh kështu."

KËNAQËSI - "Është lojtar me talent të veçantë," - thotë administratori i deleguar Galiani, që foli në telefon me "supersponsorin" e Brazilianit, Silvio Berluskonin. "Më tha: "Atëherë nuk paskemi gabuar aspak me blerjen e tij," - rrëfen Galiani për fjalët e presidentit. Milani po ecën mirë dhe kështu duhet të vazhdojë. "Por na duhet vazhdimësi. Para kësaj ndeshjeje isha i terrorizuar, sepse vitin e shkuar humbëm kundër Sampit dhe Atalantës, që do të ndeshemi të dielën që vjen," - e mbyll Galiani. Ronaldinjo, që ka marrë shtëpi në Vareze, në një vilë që ka qenë e Ugo Tonjacit (aktor i famshëm humori italian), tregon sesa me lehtësi është përshtatur. Shtëpia është zgjedhur, sepse i ngjante asaj që braziliani ka në Porto Alegre, por, përveç kësaj, janë njerëzit që Dinjo pëlqen më shumë: "Njerëzit që takoj më presin shumë mirë dhe shpresoj t'u dhuroj atyre shumë kënaqësi".

Erion ABULE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›