E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaka: Nuk iki nga Milani

Futbollisti brazilian, Rikardo Kaka, shikohet nga shtypi ndërkombëtar shumë pranë kalimit te skuadra e Realit të Madridit. Fjalët e presidentit Silvio Berluskoni kanë provokuar një tërmet: "Këtë herë ndoshta e shes vërtet Kakanë". Ylli i kuqezinjve ka përgënjeshtruar edhe një tjetër herë në mënyrë kategorike një largim nga Milani. Futbollisti brazilian ka folur për mikrofonat e "Milan Channel", nga ku ka lëshuar një mesazh të rëndësishëm për tifozët: "U thuaj të gjithëve se nuk do të iki, nuk do të largohem nga Milani". Prandaj, tifozët kuqezi duhet të jenë të qetë: Rikardo nuk dëshiron ta braktisë skuadrën, e cila i dha mundësinë për të demonstruar aftësitë e tij në nivelet më të larta të futbollit evropian e botëror. Megjithatë, nga të gjitha anët flitet për një shitje të detyrueshme të Kakasë nga vetë Milani, gjë që do t‘u jepte mundësinë kuqezinjve të mbushnin arkën e boshatisur të klubit. Pas asaj që ndodhi në janar, kur ish "Topi i Artë" ishte një hap larg transferimit te Mançester Siti, hipoteza e një largimi të tij me dëshirë është thuajse e përjashtuar plotësisht. Por çështja "Kaka", së bashku me atë të largimit të mundshëm të trajnerit Karlo Ançeloti, përbëjnë edhe faktorët kryesorë që kanë shkaktuar një lloj kaosi te Milani.

"Te Milani nuk ka kaos, por ide shumë të qarta, të cilat do të bëhen publike vetëm pasi të kemi siguruar vendin në Champions League, të hënën". Administratori i deleguar i Milanit ka provuar në këtë mënyrë të vërë rregull në shtëpi pas zërave të shumtë për largimin e yllit Kaka, apo edhe atë të trajnerit Karlo Ançeloti. "Vendimet e mia dhe ato të Berluskonit janë gjithmonë të njëjta. Nuk ka një vendim të presidentit dhe një tjetër të administratorit të deleguar. Prandaj shpresoj se të hënën do të bëjmë gjithçka publike", ka shpjeguar Galliani, i cili ka theksuar më pas: "Unë i di vendimet, por jam i detyruar që të hesht". Administratori i kuqezinjve driblon me buzëqeshje edhe zërat për një transferim të mundshëm të Kaka te Reali i Madridit, i cili pas pak kohësh do të drejtohet në rolin e presidentit nga miku i tij, Florentino Perez. "Është një mik i madh, jemi takuar edhe gjatë tri viteve të fundit, në të cilat nuk ka qenë president". Kështu, Galiani është munduar të shmangë çdo koment tjetër rreth çështjes "Kaka-Real Madrid". Ndërkohë që largimi i mundshëm i brazilianit në drejtim të Spanjës ka përfunduar edhe në skedinat e basteve. Bëhet fjalë për njerëz, që mendojnë se e njohin merkaton e futbollistëve më mirë se vetë protagonistët. Tashmë në Angli janë mbyllur kuotimet për kalimin e Kakasë te Reali i Madridit. Kjo jo domosdoshmërish do të thotë se dikush prej bastexhinjve ka siguruar kontratën e firmosur mes klubit spanjoll dhe brazilianit, por sepse një numër shumë i madh "lojtarësh" (bastesh) kanë hedhur aq shumë para, saqë e kanë ulur koeficientin e transferimit të Kakasë te Reali në 1,01. Nga rreth 100 milionë euro të luajtura për këtë çështje, më shumë se 99 milionë janë hedhur për realizimin e tratativës "Kaka-Real".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›