Salihi, i abonuar me golin: shënon të 13-in
Sulmuesi i SV Riedit, Hamdi Salihi, duket se është abonuar me golin. Në këto javë të fundit ai ka shënuar rregullisht. Një gjë të tillë e ka bërë edhe dje, kur është luajtur java e 35-të e Bundesligës austriake. Sv Riedi luante në shtëpinë e Austria Kernten, të cilin e mundi me rezultatin 2-1. Vendasit kishin kaluar të parët në avantazh në minutën e 39‘. Riedi ka mundur të barazojë rezultatin në 1-1 në minutën e 76 me anë të Mader. Sulmuesi shqiptar, i cili kishte krijuar disa raste të mira për shënim në këtë takim, ka vulosur edhe fatin e kësaj ndeshjeje në minutën e 91-të, kur ka realizuar edhe golin e fitores 2-1. Ky është goli i 13 bomberit shqiptar në këtë sezon të kampionatit austriak, duke rikonfirmuar edhe një herë formën e mirë që po kalon, që është edhe protagonisti i padiskutueshëm i një sezoni të mirë për skuadrën e tij, Sv Riedin.