Trukimet, Shkumbini rrezikon ndëshkimin
Shkumbini rrezikon të jetë "kurbani" i parë për çështjen e trukimeve, i cili dyshohet se ka prekur sërish futbollin shqiptar në këtë fundsezoni. Të hënën, Federata Shqiptare e Futbollit bëri të njohur hapjen e një "hetimi" nga vetë institucioni i futbollit në lidhje me dyshimet për manipulime në disa ndeshje të javës së 32 të Kategorisë Superiore dhe në qendër të vëmendjes ishte pikërisht takimi i zhvilluar të shtunën e kaluar në Elbasan mes Shkumbinit e Bylisit, që përfundoi me rezultatin 0-2 për ballshiotët. Menjëherë pas takimit "u përfol për tolerim nga ana e peqinasve, të cilët favorizuan kështu Bylisin në luftën për të mos rënë nga kategoria". Por tentativat e para të të ngarkuarve të FSHF-së për të zhvilluar hetimin rreth kësaj akuze, kanë rezultuar të dështuara. Kjo ka bërë që të shtyhet për të tretën herë mbledhja e Komisionit të Disiplinës. Ishte parashikuar për t‘u mbledhur të mërkurën, por sipas një burimi të mirinformuar pranë këtij komisioni, "kjo nuk ka qenë e mundur, për shkak të mungesës së bashkëpunimit të drejtuesve të klubit të Shkumbinit, që nuk i janë përgjigjur ftesës së komisionit për t‘u paraqitur në Tiranë. Dhe të enjten, FSHF-ja ka dërguar inspektorët e saj në Peqin për të marrë përgjigjen e drejtuesve të klubit rreth akuzave për trukim, por edhe këtë herë askush nuk ka pranuar të flasë. Sot pritet të bëhet edhe tentativa e fundit, dështimi i të cilës do të sillte pasoja për Shkumbinin". Burimi ynë bën të ditur se, "nëse peqinasit nuk do të pranojnë të japin versionin e tyre për çështjen, atëherë ata rrezikojnë të dënohen ashpër nga Komisioni". FSHF-ja po nxiton të nxjerrë një vendim përfundimtar për çështjen e shumëpërfolur të trukimeve, për shkak të ultimatumit të Elbasanit: verdheblutë, ndër më të rrezikuarit për të rënë nga kategoria, i kanë kërkuar FSHF-së të hetojë sa më shpejt ndeshjen Shkumbini-Bylis, në të kundërt ata do të bojkotojnë ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Teutës.