E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shqipëria, një sfidë e madhe"

Të martën pasdite, me firmosjen e kontratës për dy vjet e gjysmë (një vit me opsion rinovimi edhe për një vit e gjysmë), Josip Kuzhe u bë zyrtarisht trajneri i ri i Kombëtares shqiptare. Detajet financiare të marrëveshjes në Vjenë mbeten enigmë, ndërkohë që kroati 56-vjeçar e cilëson detyrën me kuqezinjtë si një sfidë të madhe.

Z. Kuzhe, jeni kthyer në drejtimin e një skuadre dhe tashmë do të punoni si trajneri i ri i Shqipërisë…

Konkurrenca për t‘u emëruar në stolin e përfaqësueses shqiptare ishte mjaft e fortë. Në një mënyrë apo në një tjetër, në garë ishin rreth 60 trajnerë! Besojeni apo jo, por këto ishin faktet. Emri im dhe ai i kolegëve Branko Ivankoviç e Ilija Lonçareviç u ekspozua nga mediat, por të interesuar për të punuar me këtë Kombëtare kanë qenë edhe disa trajnerë të tjerë nga Kroacia. Gjithsesi, nuk i di emrat e tyre.

Pra, kjo zgjedhje është një vlerësim i madh për të gjithë teknikët kroatë, jo vetëm për ju?

Me këtë rast dëshiroj të falënderoj Oto Bariçin që luajti një rol shumë të rëndësishëm. Në Shqipëri janë shumë të kujdesshëm dhe i kërkuan mendim. Ai më rekomandoi te drejtuesit e federatës, foli mirë për mua dhe u tha se i kisha cilësitë për të drejtuar ekipin Kombëtar. Oto tregoi të gjithë madhështinë e tij.

Duket se do të merrni plotësisht në dorë përfaqësueset e Shqipërisë, duke qenë se keni propozuar për ekipin tek U-21 Xhemal Mustedanagiç, që aktualisht është zbulues talentesh te Dinamo…

Sipas gjasave, ai mund të jetë në krye të Kombëtares Shpresa, por nëse për ndonjë arsye kjo nuk realizohet, Mustedanagiç do të jetë asistenti im.

Si ka mundësi që për Kombëtaren shqiptare interesoheshin kaq shumë trajnerë kroatë. Mos vallë i përshtaten më shumë ofertës financiare?

Në Shqipëri kanë këmbëngulur që trajneri i ri të ishte ballkanas. Në të kaluarën skuadra është drejtuar nga një gjerman (Brigel) dhe një holandez (Han), të cilët vinin nga vende me futboll shumë të zhvilluar. Megjithatë, objektivi ishte një teknik ekspert, që e njeh mentalitetin e rajonit. Tregu kroat ishte mes preferencave, pasi Oto Bariç ka lënë shenjë.

Flitet se edhe Federata Gjermane ka tentuar të "sistemojë" një trajner nga ky vend në stolin e Shqipërisë, por nuk pati sukses…

Trajnerët kroatë janë ndër më të mirët në botë! Puna jonë vlerësohet shumë, këtë e kuptova kur isha në Japoni. Problemi është se jemi një piacë e vogël. Na mungon marketingu, Liga Kroate nuk arrin të konkurrojë me kampionatet më të forta në Evropë dhe mungon transmetimi i ndeshjeve nëpër botë.

Kjo është detyra e dytë e Kuzhesë në arenën ndërkombëtare, pas aventurës me Ruandën.

Ishte një periudhë mjaft e bukur. Nuk qëndrova gjatë, pasi më erdhi një ofertë e mirë nga JEP Junajtid në Japoni.

Gjithsesi, rezultatet nuk ishin ato që prisnit dhe u larguat shpejt nga Japonia.

Punova afro një vit. Një tjetër klub, Nisami, më ofroi që të merrja drejtimin e skuadrës, por kjo nuk e realizua, pasi isha ende nën kontratë me JEF Junajtid.

A ju krijoi probleme e kaluara juaj në emërimin te Shqipëria? Sapo u zbulua se emri juaj ishte mes kandidatëve, duket se dikush kërkonte t‘ju prishte punë…

Nuk dua të flas për jetën personale! Askush nuk ka të drejtë të flasë për jetën time private. Kam një familje të mrekullueshme, e cila më dhuron shumë dashuri. Shumëkush do të ishte i lumtur me një familje kaq të mirë. Ajo është forca ime më e madhe, gjithmonë më kanë mbështetur.

Në ndeshjen e parë me Shqipërinë do të keni përballë një sfidë mjaft të vështirë, pasi më 6 qershor luani me Portugalinë.

Kombëtarja shqiptare ka dalë nga gara për t‘u kualifikuar në Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut. Ndeshjet e mbetura në grup do të më ndihmojnë të krijoj një ide më të qartë për skuadrën. Objektivi kryesor, ajo për të cilën më zgjodhën mua, është përgatitja e ekipit për eliminatoret e Euro 2012. Në Evropë, Shqipëria shihet si një skuadër e "klasit të katërt", por aty luajnë shumë të rinj të talentuar. Ata kanë ambicie dhe për këtë arsye them se kjo do të jetë një sfidë e madhe për mua. Jam i bindur se do të bëj një punë të mirë.

Oto Bariç

"Disa njerëz të këqij nuk e

donin Kuzhenë te Shqipëria"

Ishte në rolin e këshilltarit kryesor për trajnerin e ri të Shqipërisë. Gjatë interesimit të FSHF-së për disa trajnerë kroatë, Oto Bariç e cilësoi Josip Kuzhenë si "zgjedhjen ideale, pasi ai di të nxjerrë maksimumin nga skuadrat që drejton". Por, "Oto Maksimal" ka folur edhe për zërat rreth së kaluarës problematike të trajnerit 56-vjeçar dhe fiksimit të tij me kumarin. "Disa njerëz të këqij në Kroaci tentuan ta ndalonin që të emërohej në krye të Kombëtares shqiptare, duke folur për të kaluarën e Kuzhe", shtoi ish-trajneri kuqezi. "Në atë periudhë më telefonuan nga Shqipëria rreth kësaj çështjeje dhe i thashë që e kaluara nuk mund të flasë: ai ka pasur probleme, por tashmë e ka hedhur gjithçka pas shpine dhe mund të bëjë një punë të mirë". Në fund Bariç foli edhe për ambiciet e shqiptarëve: "Është një vend ekzotik, por kanë ambicie më të mëdha sesa potenciali i tyre real. Federata kërkon kualifikimin në Evropian apo Botëror, edhe pse Shqipëria luan minimalisht me dy skuadra më të forta në grupe".

Xhemal Mustedanagiç

"I nderuar nga shansi për

të punuar me Shqipërinë"

Sipas të gjitha gjasave, Xhemal Mustedanagiç do të jetë asistenti i Kuzhesë te Kombëtarja shqiptare. Zbuluesi i talenteve te Dinamo e Zagrebit është shprehur mjaft entuziast për shansin e krijuar, gjithsesi nuk zhbalancohet dhe pret zyrtarizimin nga FSHF-ja. "Jam i nderuar nga mundësia për të punuar me një skuadër evropiane, gjithsesi, ende nuk kemi përcaktuar diçka konkrete", deklaroi boshnjaku 53-vjeçar. "Mund të punoj me ekipin Shpresa, ndoshta si zbulues talentesh, por shanset më të mëdha janë që të emërohem krahu i djathtë i Kuzhesë. Me Josipin njihemi prej kohësh, pasi kemi punuar te Dinamo. Së bashku kemi promovuar lojtarë si Eduardo, Korluka e Modriç. Gjithsesi, më parë duhet të bisedoj edhe me drejtuesit e klubit këtu në Zagreb, pasi pikë së pari jam i punësuar tek ata". Mustedanagiç, që si futbollist ka luajtur edhe një ndeshje me Kombëtaren e ish-Jugosllavisë, shtoi: "Në Shqipëri do të punojmë për të krijuar një cikël të ri dhe të regjistrojmë rezultate të larta në eliminatoret e Euro 2012".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›