Morati: Shkarkimi i Benitezit? Ca janë këto që thoni!
Në shtëpinë e Interit klima nuk është nga më të mirat, por Masimo Morati përpiqet të zbusë tensionet në prag të botërorit të klubeve. Duke filluar që nga Benitez. “Shkarkim edhe në rast se fiton? Ça janë këto që thoni”, u shpreh presidenti zikaltër. Të mërkurën fillohet me gjysmëfinalen: “Kemi besim, do të kërkojmë të bëjmë maksimumin me objektivin për të përsëritur atë që u bë vitin e kaluar”. “Tashmë mungojnë pak orë, ka shtuar ai, të martën (sot) do të shkoj dhe unë atje, por ekziston një klimë e mirë dhe më në fund Benitez ka në dispozicion të gjithë skuadrën”. Përfshi Zhulio Sezarin: “Jam shumë i kënaqur, më kanë thënë që skuadra ka zhvilluar një stërvitje të mirë, gjë që është shumë e rëndësishme për të krijuar një klimë grinte dhe dëshire për t’ia dalë mbanë”. Për kundërshtarët e parë, koreanët e Seongnam, Morati thotë se ka parë vetëm disa pjesëza të ndeshjeve të tyre: “Gjithsesi janë të frikshëm, vrapojnë shumë”. Me Interin e impenjuar në Abu Dhabi, kampionati vazhdon nën shenjën e Milanit. Kuqezinjtë drejtojnë klasifikimin me 36 pikë, 6 pikë larg ndjekësve më të afërt. “Është normale, ne aktualisht nuk jemi dhe ata ecin përpara”, pranon ai. Në fund një reflektim mbi Zlatan Ibrahimoviç, udhëheqësin e kuqezinjve: “E dija se ishte i fortë dhe kjo konfirmon atë që kam menduar gjithmonë. Në fakt e kemi shitur për një shifër që është baras me atë që është edhe vlera e tij reale”.