E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anri Sala me 12 punime në Montreal

Më se 12 punime artistike të Anri Salës po qëndrojnë të ekspozuara në Muzeun e Arteve Bashkëkohore në Montreal. Në Muzeun e Arteve Bashkëkohore në Montreal po prezantohen veprat e artistit të njohur shqiptar Anri Sala, i cili ka hapur para pak ditësh ekspozitën e tij individuale në këtë galeri. Në qendër të vëmendjes së 12 instalacioneve filmike, po edhe fotografike dhe muzikore, është filmi i tij "Përgjigjmu", që trajton një kuptim të ndarjes, vetmisë, ftohjes: një burrë dhe një grua ndërmjet Berlinit Lindor dhe Perëndimor. Debutimi me sukses në skenën europiane i Anri Salës (1974) ndodhi me videon "Intervista", ku në qendër është nëna e tij. Sot, shumë vjet pas realizimit të asaj pune, komentet janë se një vepër e tillë nuk mund të shfaqet vetëm brenda territorit shqiptar. Në të vërtetë, vepra që e bëri Salën, nuk është shfaqur në Shqipëri, sepse leximi i saj në një kontekst shqiptar do të provokonte debat. Sala dhe pothuajse të gjithë artistët e brezit të tij, që u lindën dhe u formuan pjesërisht në regjimin komunist në Shqipëri, koha e studimeve në Akademinë e Arteve i përfshiu në ndryshimet e mëdha politike, proces që e reflektuan fillimisht në artin e tyre, e dalëngadalë, duke u shkëputur prej vendit të origjinës e duke u përpjekur të mbërrijnë skenën ndërkombëtare. Ka artistë si Adrian Paci që i ka të ambientuara në Shqipëri disa punë video. Në mos qoftë Shqipëria, diskutimi i tij pamor nuk e lë jashtë vendin e tij, konkretisht Shkodrën, qytetin e lindjes. Pastaj janë shumë artistë të tjerë të arteve pamore, të cilët janë futur në botën e artit botëror me një koncept paksa më ndryshe, i cili është përfolur edhe në media dhe kritika si një art unik që vjen nga e kaluara e errët e një shteti ish-komunist. Ndërsa ekspozita e Salës do të qëndrojë e hapur deri më 25 prill dhe është një rast unik për të zbuluar veprën e artistit shqiptar, që jeton dhe punon në Berlin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›