E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morati zgjedh heshtjen: Për Calciopolin, no comment

Masimo Morati, presidenti i Interit

Ende asnjë reagim nga Interi pas dënimit me 5 vjet e 4 muaj të Luçiano Moxhit në lidhje me Calciopoli. Presidenti i zikaltërve, Masimo Morati, tani për tani ka zgjedhur heshtjen, teksa reporterëve që e prisnin në zyrat e tij në Milano, u tha: “No comment.” Ndërkohë, Interi, pasditen e së martës ka bërë seancën e parë të trajnimit dhjetëditor, deri në rifillimin e kampionatit, kur zikaltrit do të luajnë të shtunën e 19 nëntorit, kundër Kaljarit. Lajm i mirë për Ranierin është zbrazja e infermierisë, duke pasur parasysh grupin e plotë. Kambiaso zhvilloi një seancë individuale të martën, ndërkohë që në pjesën e të dëmtuarve ka punuar Koutinjo, Forlan, J.Cesar, Nagatomo, Maikon dhe Viviano. Në Pinetina mungonin nëntë lojtarë zikaltër, të angazhuar me kombëtaret e tyre, ndërsa kapiteni Havier Zaneti ka udhëtuar drejt Dubait për një miqësore bamirësie, të titulluar “Miqtë e Fëmijëve të Libisë.”

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›