E Diel, 1 Nëntor 2026

Dade nga Strasburgu: “Topalli dërgoi letër, pranoi parregullsinë”

Autori i Lajmit: Redaksia

Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Socialiste, Arta Dade, deklaroi nga Strasburgu se grupi i deputetëve socialistë ku përfshihen edhe Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj, pritet të takojë sot Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Referuar debatit për kredencialet e Shqipërisë, Dade ka deklaruar se Shqipëria ka rifituar kredencialet e saj të plota pas premtimit te kryetares Topalli për të ndryshuar përbërjen e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ajo ka rikonfirmuar edhe një herë faktin se letra e dërguar nga Partia Socialiste ka qenë konform rregullave dhe ka pasur të bëjë vetëm me shkeljet e bëra në përzgjedhjen e delegacionit nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. “Kryeministri nuk duhet të merret me letrën, sepse letra është konform kërkesës sonë për të respektuar rregulloren e Parlamentit të Shqipërisë dhe Asamblesë Parlamentare. Ka edhe një letër tjetër të Topallit, të cilën e ka dhënë për median, e cila deformon realitetin. Me sa duket, Topalli e ka bërë një premtim që do ta ndryshojë përbërjen e delegacionit”, - u shpreh Dade. Ajo ka shtuar se përfaqësia e PS-se ka marrë pjesë në mbledhjen e grupit socialist në Asamblenë Parlamentare ku është mbështetur draftrezoluta e komisionit të monitorimit. Dade hodhi poshtë edhe deklaratat e Kryeministrit sipas të cilave në mbledhjen e Grupit socialist, laburistët britanikë kanë kritikuar vijën zyrtare të PS-së duke kërkuar edhe rikthimin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. “Ne kemi deklaruar atë që ka thënë edhe kreu i PS-së, se grupi socialist nuk do ti humbasë mandatet”, - u shpreh Dade.

Ky lajm është publikuar: 28/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›