E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moratoriumi i skafeve, qeveria e shtyn edhe tre vjet

Kryeministri Berisha ka paralajmëruar dje në mbledhjen e qeverisë se sa kohë do të jetë në pushtet, do të lejojë moratoriumin e skafeve


TIRANË- Të gjitha lëvizjet e mjeteve motorike lundruese shqiptare në ujërat territoriale dhe të brendshme të Shqipërisë do të vazhdojnë të pezullohen edhe për një periudhë tre vjeçare. Ky është afati, që ka përcaktuar dje kryeministri i vendit, Sali Berisha, në mbledhjen e djeshme të qeverisë.


Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se, moratoriumi i skafeve do të zgjasë edhe tre vite të tjera, duke shtuar madje se sa kohë do të jetë në pushtet, një moratorium i tillë do të ekzistojë. Berisha vuri në dukje se skafet që lundrojnë në brigjet shqiptare nuk kanë asgjë të përbashkët me turizmin, pasi sipas tij, këto mjete motorike janë industri e mafies dhe trafiqeve ilegale.


"Qeveria merr këtë vendim për të zgjatur afatin në kuadrin e luftës kundër trafiqeve dhe mafies. Këto mjete të vogla të shpejta lundrimi nuk kanë asgjë të përbashkët me turizmin.


Por janë tërësisht industri e mafies dhe trafiqeve, ndaj dhe si një dëshmi e vullnetit të hekurt të kësaj mazhorance për t'i dhënë përgjigjen më të mirë për të parandaluar krimin dhe mafien, ne zgjasim edhe 3 vjet të tjera dhe vazhdimisht sa të jemi në pushtet këtë moratorium", - tha dje Berisha.


Sipas tij, vendosja e këtij moratoriumi ka pasur efekte pozitive, pasi sipas numrit një të qeverisë, janë shmangur viktimat në ujërat e deteve Adriatik dhe Jon. Ndërkohë që, sipas Berishës, para vendosjes së moratoriumit në brigjet shqiptare, janë shënuar viktima si pasojë e trafiqeve klandestine.


"Ky moratorium ka pasur efekte jashtëzakonisht pozitive. Së pari, fatmirësisht gjatë këtyre viteve nuk kemi numëruar më viktima në Otranto as dhe në brigje të tjera të vendit. Ndërkohë që para moratoriumit vetëm të regjistruar janë 420 burra gra e fëmijë, të cilët kanë humbur jetën në thellësitë e Jonit apo të Adriatikut", - u shpreh Kryeministri. Ky vendim i marrë nga qeveria, sipas Berishës, është një masë shumë e përshtatshme. "Së dyti, ne po shkojmë drejt lëvizjes së lirë dhe heqjes së vizave.


Në këtë kontekst, heqja e vizave është përgjigja më e shkëlqyer e dëshirave, nevojave dhe problemeve të qytetarëve shqiptarë për të lëvizur në hapësirën e Bashkimit Evropian. Kështu që, sërish famëzezat skafe ngelen vetëm për trafiqe kriminale, ndaj edhe ujërat tona do të mbeten të pastra prej tyre.


Mendoj se është një masë shumë adekuate, shumë e përshtatshme, që në betejën e shpallur për luftën me zero tolerancë ndaj mafies është edhe kjo një hap shumë i rëndësishëm", - nënvizoi ai. Ligji ka hasur shpeshherë në kundërshtime midis qeverisë dhe poseduesve të këtyre mjeteve.


Pikat kryesore të moratoriumit


Përjashtohen nga ky moratorium:
a) mjetet motorike lundruese në përdorim të organeve shtetërore dhe të shërbimeve portuale;
b) mjetet lundruese të destinuara vetëm për peshkim, sipas ligjit nr. 7908, datë 5.4.1995 "Për peshkimin dhe akuakulturën", të ndryshuar;
c) mjetet e transportit detar, që shërbejnë për transportin e mallrave;
ç) mjetet e transportit detar, të licencuara për transport pasagjerësh dhe të klasifikuara nga Regjistri Detar Shqiptar si mjete lundruese për transport udhëtarësh.


Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe kundërvajtësi dënohet me gjobë në masën 800 000 - 1 000 000 lekë dhe me konfiskim të mjetit.


Vendimi për masën administrative merret nga shefi i komisariatit të juridiksionit të konstatimit të shkeljes.
Kundër këtij vendimi, brenda 10 ditëve, bëhet ankim te drejtori i policisë së qarkut.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›