E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria shtetëzon tokën tek "Tajvani"

Këshilli i Ministrave vendosi që të shtetëzojë rreth 1350 m² tokë në parkun Rinia. Toka i ishte shitur një investitori privat


TIRANË- Qeveria kaloi nën administrimin e Ministrisë së Punëve Publikë Transportit dhe Telekomunikacionit 1350 m² tokë në Parkun Rinia. Vendimi për shtetëzimin e kësaj sipërfaqeje toke erdhi pas denoncimit që Kryeministri Berisha i bëri vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës në vitin 2005 për shitjen e kësaj sipërfaqeje toke një investitori privat me arsyetimin se ajo është dhënë me çmim më të ulët se tregu.


"Rreth 1350 metër katrorë tokë janë përvetësuar me një çmim qesharak në një kohë kur toka nuk ka qenë private, në një kohë kur toka nuk ka qenë pronë e Bashkisë së Tiranës, por tokë publike, pronë e shtetit, për të cilin përgjegjëse direkte është qeveria qendrore.


Të regjistrimin e pronave që është bërë në vitin 2006 Agjencia e Trajtimit të pronave përcakton se kjo është një tokë publike, jo në autoritetin e Bashkisë së Tiranës. Sidoqoftë toka i kalon Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit", - tha Berisha.


Krahas kësaj, Berisha nuk ngurroi të ndërhyjë edhe në kompetencat e qeverisjes vendore, duke i kërkuar Këshillit Bashkiak të Tiranës që të rimblidhet për të anuluar vendimin për shitjen e kësaj sipërfaqe tokë të cilën ai e cilësoi të paligjshëm. "Këshilltarët duhet të mblidhen dhe të anulojnë vendimin e paligjshëm.


Kjo nuk ka të bëjë me pronësinë. Vendimin e paligjshëm që ka marrë Këshilli Bashkiak para disa kohësh më 2005 apo kur e ka marrë, jashtë çdo lloj kompetence që të përvetësojë trojet publike", - tha Berisha.


Prona e paluajtshme shtetërore, "Lulishte Parku Rinia", të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që janë në juridiksionin territorial dhe administrativ të bashkisë Tiranë, të Qarkut të Tiranës, miratuar me vendimin nr. 834, datë 13.12.2006, të Këshillit të Ministrave",- thuhet në vendimin e djeshëm të KM-së.

Reagon kompania: Toka e legalizuar është lulishte. Kemi investuar një milionë dollarë për ta rregulluar


E vërteta e kompleksit "Taiwan"


Kompleksi "Taiwan" që ngrihet ne Parkun Rinia ne Tirane është në pronësi private të shoqërisë shqiptare 'Taiwan Shpk'. Kompleksi 'Taiwan' është ngritur mbi sipërfaqen e kompleksit të dikurshëm me të njëjtin emër.


Në vitin 2001, nëpërmjet kontratës me nr. 1250 rep dhe nr.332 Kol datë 09/04/2001 e noter Myrvete Përmeti, shoqëria "Taiwan Shpk" ka blerë objektin "lulishte Rinia"dhe truallin funksional të tij me sipërfaqe 1815 m2 të ndodhur në Parkun Rinia, në zonën kadastrale nr 8380, me numër pasurie 7/189 të qytetit të Tiranës.


Pas blerjes se kompleksit ekzistues dhe truallit nën të, shoqëria "Taiwan Shpk" aplikoi në bashkinë e Tiranës për leje ndërtimi me synim prishjen e kompleksit ekzistues dhe ngritjen mbi të, të një ndërtese të lartë mbi 20 kate për zyra dhe shërbime.


Pavarësisht kërkesës se shoqërisë "Taiwan" pronare e truallit dhe godinës ekzistuese, Bashkia Tirane miratoi lejen e ndërtimit sipas Vendimit te KRRT nr. 48 datë 21.07.2001 vetëm për ndërtimin e një godine me lartësi prej dy kate mbi tokë dhe dy kate nën tokë me destinacion shërbimesh dhe tregtie duke ruajtur destinacionin origjinar të objektit.
Gjatë kryerjes së punimeve të ndërtimit doli nevoja e kryerjes së punimeve shtesë për disa nga sipërfaqet nën tokë dhe të disa sistemimeve mbi tokë.


Për këto punime shtesë jashtë lejes së ndërtimit, shoqëria "Taiwan" aplikoi për legalizim në përputhje me ligjin nr. 9209 datë 23.03.2004 "Për Legalizimin e Shtesave në Ndërtime".


Sipërfaqja prej 1310 m2 i është shitur nga Bashkia Tirane subjektit privat në kuadër të procesit legalizimi të shtesave të lartpërmendura të ndërtimit të kryera nga shoqëria në procesin e rikonstruktimit të kompleksit "Taiwan" në përputhje me dispozitat e nenit 2 pika 11 e ligjit nr. 9209 date 23.03.2004 "Për Legalizimin e Shtesave në Ndërtime" i cili shprehet se: "...


Për sipërfaqet tej lejes së miratuar, që kanë cenuar drejtpërdrejt ose tërthorazi pronësinë publike, të bëhet vlerësimi i sipërfaqes së truallit të cenuar, duke marrë për bazë mesataren e vlerës së shitblerjeve për zonën përkatëse që ka Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP) në tre muajt e fundit nga data që bëhet kërkesa.


Në bazë të çmimit të caktuar për vlerësimin e sipërfaqes së truallit, këshilli i njësisë vendore vendos për kalimin në pronësi private të sipërfaqes së pronës në favor të kërkuesit të legalizimit të sipërfaqes tej lejes se ndërtimit."


Vlerësimi i pronës është kryer në bazë të procedurave ligjore të vlerësimit duke marrë për baze referencat e dala në periudhën e legalizimit nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në përputhje me parashikimin e ligjit të sipërcituar.


Sqarojmë se edhe sot, pas pesë vitesh nga përfundimi i procesit të legalizimit, çmimi i referencës i miratuar nga Këshilli i Ministrave për trojet e ndërtimit në zonën në fjalë është 51,800 Lek për metër katror.


Kalimi i pronës në favor të subjektit privat është kryer duke ndjekur të gjitha hapat procedurale të parashikuara nga ligji për legalizimet dhe është miratuar në instancë të fundit me vendim pothuaj unanim të të pranishmeve në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, ku kanë votuar pro përfaqësues të të gjitha forcave politike.


Në përfundim të këtij procesi, Bashkia Tiranë ka lidhur kontratë të rregullt shitjeje me nr.1319 rep dhe nr.74 kol datë 10/03/2005 tek noter Boris M Skendi, me subjektin privat për kalimin në pronësi të sipërfaqes së tokës prej 1310 m2 që shërben për sipërfaqe funksionale te objektit.


Përveç çmimit të blerjes, shoqëria "Taiwan" ka paguar edhe vlerën prej afro 550,000 USD për legalizimin si dhe ka sistemuar me fondet e veta të gjithë Parkun Rinia dhe rikonstruksionin e trotuarit dhe rrugës publike përballë kompleksit duke përballuar një kosto prej mbi një milionë USD.


Në përfundim, sqarojmë se sipërfaqja e truallit prej 1310 m2 e legalizuar është një sipërfaqe ndihmese e kompleksit "Taiwan" e cila aktualisht është pjese e lulishtes hyrëse dhe ambienteve ndihmese ne kompleks ndërkohë që vetë kompleksi "Taiwan" dhe trualli nën te është prone private e blere nga shoqëria "Taiwan" shpk nga pronarë private.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›