Fieri, 48 orë pa ujë të pijshëm
DEFEKTI/ Çarja e tubacionit kryesor në zonën e Kafarajt nuk është rregulluar as ditën e premte
MPPTT njoftoi gjatë pasditen se rikthimi i ujit do të bëhej mëngjesin e së shtunës
FIER - Edhe dita e premte i gjeti qytetarët e Fierit pa ujë të pijshëm, pavarësisht se pretendohej se gjithçka do të rregullohej që të enjten në mbrëmje. Për 48 orë komunitetit fierak, si dhe biznesit i ka munguar uji i pijshëm, çka ka bërë që të gjithë në zonë t'u turren dyqaneve për të blerë ujë me bidonë 5 ose 7 kg.
Dhe duket se në të gjithë këtë situatë shumë problematike për të gjithë qytetin, tregtarët e ujit kanë dalë shumë të fituar. "Na duhet të blejmë ujë jo thjesht për të pirë e për të gatuar, por edhe për të larë fytyrën", shprehen shumë prej tyre teksa dalin me bidonë në duar nga dyqanet.
Mungesa i ka gjetur të papërgatitur të gjithë, çka ka çuar edhe në zbrazjen e shpejtë të depozitave të ujit nga banorët. Ndërkohë, burime nga ujësjellësi bënë të ditur se po bëheshin përpjekje për të vënë në punë linjën e vjetër të ujësjellësit, pasi e reja kërkon punë të specializuar dhe kohë.
Vetë Ministria e Punëve publike njoftoi se stacioni i pompimit do të fillonte punë në orën 24:00, por gjatë natës do të bëheshin teste dhe si rrjedhojë shpresohej që furnizimi me ujë të fillonte vetëm në mëngjes.
Defekti i rëndë në rrjetin e ujësjellësit të qytetit të Fierit u njoftuar rreth orës 8:00 të mëngjesit të së enjtes, defekt i ndodhur në tubacionin kryesor, në zonën e Kafarajt, prej nga furnizohet qytetit. Çarja e tubacionit ka sjellë shembje të dheut në një gjatësi prej më shumë se 10 metrash.
Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve, Agim Plepi, pohoi faktin se shkak i çarjes së këtij tubacioni janë bërë punimet për pastrimin e kanaleve kulluese në këtë zonë të rëndësishme, nga një firmë private. Gjithsesi, edhe pse difekti është i rëndë, ai siguroi se do të punohej gjatë gjithë ditës dhe natës për t'i risjellë ujin banorëve të këtij komuniteti.
Sipas Plepit, dëmi është i madh. Rreth 6 mijë metra kub ujë janë derdhur, ndërsa ende nuk është bërë bilanci i dëmeve të shkaktuara qytetarëve dhe vetë biznesit. Rrjeti i ujësjellësit është ndërtuar para tre vjetësh. Për këtë qëllim do të ndërhyhet me hapjen e rrjetit në një gjatësi disa dhjetëra metrash për të futur tubacione të reja po prej gize.
Për ndërtimin e këtij rrjeti u investuan rreth 5 milionë euro nga Komuniteti Evropian. Pasditen e djeshme nga ana e MPPTT-së u njoftua se furnizimi me ujë do të fillojë mëngjesin e sotëm.