Moratoriumi i skafeve, Topi firmos dekretin
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, firmosi dje tre ligje të rëndësishme që ka miratuar së fundmi Parlamenti shqiptar. Siç bën të ditur zyra e shtypit e Presidencës, kreu i shtetit ka dekretuar shpalljen e ligjit nr. 10221, datë 04.02.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, shpalljen e ligjit nr. 10220, datë 04.02.2010 “Për shpalljen e moratoriumit për mjetet motorike lundruese të Republikës së Shqipërisë”, si dhe shpalljen e ligjit nr. 10219, datë 04.02.2010 “Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Dy nga ligjet janë kundërshtuar ashpër nga opozita shqiptare, por që nuk ka kërkuar mosdekretimin e tyre. Ligji për mbrojtjen nga diskriminimi, në fakt, nuk ka pasur kundërshtime nga opozita, por bën pjesë në atë kontekst që prek një tabu për shoqërinë shqiptare. Miratimi i këtij ligji ishte finalizimi i punës së organizatave për të drejtat e njeriut, të cilat u angazhuan në realizmin e draftit të kësaj nisme ligjore dhe e ndoqën të gjithë procesin e shqyrtimit nëpër komisione deri ditën që u votua. Në nenin e parë të këtij ligji, ku radhiten grupet që mund të preken nga diskriminimi, lexohet vetëm prirje seksuale. Ligji "Për mbrojtjen nga diskriminimi" nuk merr përsipër që të legalizojë një marrëdhënie brenda gjinisë, një nismë kjo e Kryeministrit Berisha, i cili kërkoi që Shqipëria të legalizonte martesat mes homoseksualëve. Pas miratimit të ligjit ka reaguar edhe një nga shoqatat e homoseksualëve. Ndërkaq ligji për moratoriumin e skafeve shtyn edhe tre vjet mospërdorimin e mjeteve motorike në detet, liqenet apo lumenjtë e vendit të mjeteve motorike lundruese. Nga ky ligj përjashtohen vetëm skuterët e ujit. Ndërkaq ligji për ndryshime në ligjin e legalizimeve ka shtuar mundësinë e pagesës për të ligjëruar banesat në zonat informale, edhe me bono privatizimi.
#