Mbyllen shkollat dhe bëhen gati varkat për Nënshkodrën
Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, ka mbledhur dje në Shkodër Komisionin e Emergjencave Civile për të analizuar situatën e ripërmbytjes. Në një komunikim me mediat, ministri Basha është shprehur se është hartuar një plan pune për të përballuar çdo situatë problematike që mund të krijohet, duke filluar nga furnizimi me ushqime deri në evakuimin e banorëve.
Dje u vendos që të merren masa nga Drejtoria Rajonale e Arsimit për mbylljen e shkollave në komunat: Ana e Malit, Dajç, Guri i Zi, lagjet Bahçallëk, Ajasëm, Livadhe, për 24 orët në vijim, deri në një urdhër të dytë, si dhe vënia në dispozicion për Komisionin e Emergjencave Civile njërin nga konviktet e shkollave të mesme profesionale për akomodimin e komunitetit që mund të evakuohet. Ndërkohë u vendos dërgimi i ndihmave ushqimore të nevojshme nga Drejtoria e Rezervave Materiale të Shtetit. Po dje u vendos ngritja e kampingjeve me çadra në Pentar, Sukadajç të Komunës Dajç dhe në Bërdicë. Situata po monitorohet me tepër kujdes dhe po punohet me intensitet për mbrojtjen e argjinaturave.
Masat e marra nga Komisioni i Emergjencave u bënë publike nga ministri Basha, i cili u shpreh se është vendosur për krijimin e qendrës operacionale pranë institucionit të prefektit, marrjen e masave nga kryetarët e komunave për lajmërimin e komunitetit në rast evakuimi, duke bashkëpunuar me strukturat e Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura. Vendim tjetër ishte ai i paraqitjes së kërkesës pranë Forcave të Armatosura për vënien në dispozicion të Komisionit të Emergjencave Civile të Qarkut të 8 mjeteve vetëshkarkuese, 2 fadromave, 2 ekskavatorëve dhe 20 varkave me motor. Në funksion të drejtimit të operacioneve të evakuimit, shpëtimit dhe transportit të komunitetit nga ana e strukturave të ushtrisë do të vihen në dispozicion nga 2 varka në komunat problematike.
Përgjatë tri javëve në zonën e Nënshkodrës ka rënë mbi 600 milimetra shi dhe vetëm 12 orët e fundit ka rënë 70 milimetra shi. Shkarkimet nga hidrocentrali i Vaut të Dejës janë 1300 metra kub në sekondë. Prurjet nga Lumi Kir janë 800 mega kub në sekondë, nga lumi Gjadër rreth 200 metra kub në sekondë. Niveli i hidrometrit të Dajçit është 6.55 m, ndërsa i Urës së Bunës 8.55 m. Rezervuari i Shtodrit është i mbushur me kapacitet të plotë dhe për këtë shkak nga Drejtoria e Bordit të Kullimit ka filluar të lëshohet ujë nga portat fundore dhe katastrofike të këtij rezervuari. Kjo situatë ka krijuar probleme në lagjet periferike të qytetit Shkodër, si në Bahçallëk, Ajasëm, Livadhe, lagjja “Mar Lulaj”. Po kështu probleme ka në fshatrat Kuç dhe Vukatanë të Komunës Guri i Zi, në fshatin Obot të Komunës Ana e Malit, si edhe në Dajç.