Moratti Fitorja merite e Leonardo-s

"Trajneri ynë u tregua shumë i aftë në administrimin e ndeshjes, sepse ndryshoi kartat gjatë zhvillimit të takimit dhe bëri një punë shumë të mirë”, deklaroi Moratti për “La Gazzetta dello Sport”, gjatë ditës së sotme.
”Mendoj se e bëmë mirë punën tonë. Duhet të fitonim dhe ishte pikërisht kjo ajo që bëmë. Është e qartë se ajo me Catania-n ishte një ndeshje shumë e vështirë”.
I pyetur për arsyet e rikthimit të Inter-it në formën e duhur pas një pjese të parë të errët të sezonit, Moratti nuk akuzoi ish-trajnerin Benitez. “Jemi rikthyer në nivelin e duhur pasi shumë futbollistë janë kthyer nga dëmtimet, Botërori i Klubeve na ktheu moralin dhe pastaj është edhe energjia e trajnerit të ri”.
Në fund, Moratti shprehu edhe keqardhjen e tij për pamundësinë për të sjellë në kohë në Milano sulmuesin e Napoli-t, Edison Cavani-n. “E kemi ndjekur prej kohësh dhe na vjen keq që nuk bëmë lëvizjen në kohën e duhur, por është e qartë edhe që jo çdo futbollist që të pëlqen mund të blihet”.