E Diel, 1 Nëntor 2026

PDS, thirrje partive politike dhe presidentit që çdo shqiptar të votojë

Partia Demokracia Sociale nisur nga problemet që hasen në procesin e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime, ku sipas tyre një pjesë e mirë e tyre mund të mbesin pa votuar, u bënë thirrje partive politike të takohen në një tryezë të përbashkët për të mundësuar gjetjen e një zgjidhjeje ligjore për votimin e çdo shqiptari më 28 qershor. Sipas tyre, kjo tryezë apo çdo konsultë ndërpartiake do të tregojë përgjegjshmërinë e forcave politike, që garojnë për të qeverisur vendin. Gjithashtu, PDS i bën thirrje Presidentit të Republikës, Bamir Topi, të ushtrojë të gjithë ndikimin institucional dhe politik, në mënyrë që partitë të angazhohen për të mos lënë asnjë votues jashtë mundësisë që të shprehë vullnetin e tij më 28 qershor. Partia Demokracia Sociale ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me pajisjen e shtetasve me karta identiteti duke u ndalur tek një numër i lartë votuesish, që sipas tyre rrezikojnë të mbeten pa votuar më 28 qershor. Kontakte tona gjatë fushatës elektorale na dëshmojnë se shumë shtetas nuk zotërojnë as pasaportë dhe as letërnjoftimin e ri, dy dokumente këto, të rëndësishme për të votuar pas 20 ditësh, thuhet në deklaratë, ku nënvizohet fakti se qeveria aktuale ka detyrimin dhe përgjegjësinë direkt për tua mundësuar këtë të drejtë kushtetuese të gjithë shtetasve që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe kanë të drejtë për të votuar. Ndër të tjera vihet theksi edhe tek koha e shkurtër që ka mbetur në dispozicion deri në ditën e votimeve, ku PDS e sheh si të pamjaftueshme për të garantuar plotësisht të drejtën e shqiptarëve për të shprehur preferencën e tyre me anë të votës. PDS shprehë besimin se faktori ndërkombëtar mund të luajë një rol të rëndësishëm në krijimin e kanaleve të vlefshme të komunikimit, që do të ndihmonin partitë politike të shkëmbenin idetë e duhura për zgjidhjen e krizës së kartave të identitetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›