E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e NATO-s dhe histeria me Islamin në MC2

Nga Olsi JAZEXHI
Por një nga punimet më fantastikë të konferencës është ai i Miranda Vickersit. Miranda Vickers, e cila është bërë e famshme tashmë me muslimanët shqiptarë dhe paditurinë e saj mbi Islamin në Shqipëri mori një replikë zyrtare nga Forumi Musliman i Shqipërisë më datë 13 nëntor 2008, të cilës ajo deri më tani ka dështuar ti përgjigjet. Gjithsesi, në shkrimin e saj Zhvillimi i feve në Shqipërinë pas-komuniste autorja në vend që të merret me të gjitha besimet dhe mosbesimet e Shqipërisë, merret pak me Ortodoksinë dhe pothuajse totalisht me Islamin; duke harruar në mënyrë totale Katolicizmin. Punimi i Mirandës nis me një presupozim fantastik të cilin në Shqipëri e deklaronte rëndom Enver Hoxha dhe sot unë di ta deklarojë vetëm Petrika Thëngjilli. Sipas saj, shqiptarët i kanë ndërruar fetë sipas interesit. Por duke përsëritur tezat e komunizmit mbi Islamin, islamizimin e shqiptarëve ajo e shpjegon si pasojë e politikave të Portës së Lartë, e cila gjatë shekullit të 18-të rriti taksat mbi jo-muslimanët dhe rriti favoret me muslimanët, gjë që çoi në konvertimin masiv të shqiptarëve në Islam. Autorja përsërit këtu klishetë e Kishës Katolike dhe deklaron se ndërsa burrat u islamizuan (nga frika e turkut), gratë qëndruan burrëresha dhe kauresha. Pas përsëritjes së legjendave të komunizmit mbi islamizimin e shqiptarëve, Vickers flet edhe për situatën e sotme të Islamit në vendin tonë. Këtu ajo përsërit tezat e hedhura nga Ilir Kulla, Piro Misha dhe sigurimi i shtetit gjatë kohës së sundimit ortodoks të Fatos Nanos, ku sipas saj në gjirin e Islamit shqiptar ekziston një konflikt ndërmjet të rinjve që janë mbështetës të shkollës radikale Selefiste dhe të vjetërve që janë mbështetës të shkollës Hanefite. Përndryshe nga çpredikojnë ekspertët bushistë nëpër perëndim, ku synitët zakonisht tregohen si të këqijtë e Al-Kaedës ndërsa shiitët si të këqijtë e Iranit; Vickersi tregon që në Shqipëri kanë ekzistuar dy forma Islami të moderuar; synitët dhe bektashianët. Por kjo nuk është e gjitha. Si kudo në botë, që nga Iraku e deri në Afganistan edhe në Shqipëri, Vickersi ndërton një konflikt fantastik në shkrimin e saj. Ajo tregon që dy shkollat e mira të Islamit shqiptar po kërcënohen nga të rinjtë që po kthehen nga shkollat e institucioneve islamike jashtë vendit. Sipas saj selefijtë që vinë nga jashtë Shqipërisë, tamam si muxhahedinët e al-Kaedës në Irak, kanë konsoliduar kontrollin në xhamitë e vendit dhe Tiranës. Kur një njeri i paditur me Shqipërinë lexon shkrimin e Vickersit krijon padyshim imazhin në mendjen e tij se Tirana ndodhet diku next to Kandahar dhe këta selefijtë portretizohen si ca mullenjë talebanë me mitraloza dhe dykëmbësha, të cilët autorja i tregon sikur janë rreshtuar për xhihad kundër tolerancës së Kauristanit te xhamia e Dine Hoxhës dhe Etheme Beut. Mama mia!
Histeria e Miranda Vickersit me muslimanët shqiptarë vazhdon edhe mandej. Ajo tregon sesi kur një grua viziton xhamitë e Tiranës ajo pritet me shikime me sytë poshtë dhe dinakë të të rinjve. Xhamitë e Pazarit të Ri dhe Dine Hoxhës tregohen si të mbushura me një atmosferë dyshuese për të huajt. Vickers vë në pah që vizitorët ndjehen më pak të mirëpritur nga djemtë e rinj që tanimë janë kthyer nga Arabia Saudite dhe Jemeni të cilët nuk kanë qejf të ulen dhe bisedojnë me të huajt, siç ka qenë tradita më parë. Të rinjtë që vinë nga jashtë jo vetëm që kanë shkaktuar përçarje në Komunitetin Musliman, por perceptohen edhe si terroristë potencialë. Unë nuk e di nëse ndonjë djalë i ri e ka rrahur me sheriat Miranda Vickersin në ndonjë xhami të Tiranës dhe i ka vendosur ferexhenë në kokë, por shkrimi i autores mua më bën të më çohet mishi përpjetë nga frika. Gjithsesi për njerëzit zemërbutë si puna ime, konkluzioni i autores është triumfues. Ajo tregon se si pasojë e monitorimit të ashpër të organizatave islamike në vend, radikalët kanë gjetur shumë vështirësi të operojnë. Kohët e fundit, radikalët, dmth të rinjtë selefinjë, janë mundur nga të moderuarit dmth pleqtë, të cilët ruajtën medhhebin Hanefi nga radikali Selefi. Në konkluzion, Vickersi konkludon se duke qenë se në Shqipëri ka shumë xhamira, pra 431 copë, dhe organizata islamike që operojnë jashtë kontrollit të Komunitetit Musliman, vlerat tradicionale muslimane janë në rrezik si pasojë e influencave të huaja.
Fantazitë e Miranda Vickersit ndiqen në libër nga një seri shkrimesh të tjera, të shkruara me një anglishte të dobët dhe plot gabime të cilat nuk po marr mundimin ti komentoj. Por në pjesën e dytë të librit, lexuesi kënaqet kur sheh që shkrimi i parë i këtij seksioni fillon me një shkrim patriotik nga ish-asistent kryetari i Komunitetit Musliman Ermir Gjinishi; një person për të cilin mediat kanë shkruar shumë, por që në këtë konferencë përfaqëson muslimanët e Shqipërisë. Në punimin e tij autori është munduar të japë një background të historisë së Komunitetit Musliman nga viti 1912 në 1920. Gjinishi, i cili në faqen 29 të librit tregohet nga Miranda Vickersi si drejtues i krahut radikal dhe anti-modernist të selefijve, që normalisht, sipas përshkrimit të Vickersit duhet të ishte një mulla me turban që në sallë duhet të bërtiste Allahu Ekber dhe ti vinte ferexhenë kaureshës nga Ingilizistani, në faqen 57 e tregon veten si heroin e patriotizmit shqiptar. Është një gallatë të cilën studiuesi hungarez Gyorgy Lederer në shkrimin Islamists and public security concerns in eastern Europe e ka përshkruar si rezultat i terrorit të policisë shqiptare për tju përgjigjur pritshmërive amerikane - të cilat kanë detyruar edhe selefistët ndërkombëtarë që të sillen si patriotë krenarë. Dhe ky patriotizëm lexohet qartë në shkrimin e Gjinishit, i cili nacionalizmin pafe shqiptar e shtrin që nga Lidhja e Prizrenit, dhe e deklaron me krenari si të finalizuar në vitin 1923 kur Komuniteti Musliman u nda me dhunë nga Kalifati dhe muslimanët shqiptarë nisën të çislamizohen dhe ti falen zotit të nacionalizmit. Por tolerancën dhe bashkekzistencën e feve në Shqipëri, Gjinishi e shpjegon si një armë (unë do thoja tamam si lufta më pushkë dhe me penë e kohës së rilindjes) që patriotët shqiptarë përdorën kundër pushtuesit Turk, Grek dhe Serb. Më pas, kur flet për situatën aktuale të Islamit në vend, Gjinishi, ashtu si Ilir Kulla disa vite më parë, tregon sesi Komuniteti Musliman ka refuzuar ndihmën e të huajve për të ruajtur kornizat teologjike kombëtare; ka forcuar hanefizmin si mburojë kundër influencave të huaja etj. Ai vë në pah që donacionet e dyshimta që janë bërë nga të huajt në Shqipëri kanë krijuar marrëdhënie antagoniste ndërmjet Islamit shqiptar dhe Islamit arab. Për më tepër dërgimi jashtë vendit dhe pa lejen e Komuniteit Musliman të studentëve ka sjellë në Shqipëri eksportimin e medhhebit Hanbeli. Megjithatë për Gjinishin, muslimanët në Shqipëri janë jopolitikë dhe të bindur. Ata nuk mërziten pse në vend ekziston një Parti e Krishterë. Muslimanët vetë nuk duan parti islamike. Ai kujton që qeveria shqiptare duhet të përfundojë masat ligjore për të ndaluar hyrjen në vend të ideologjive militariste dhe fetarisht të deformuara që ekzistojnë në Egjipt dhe Pakistan dhe vë në pah që ndodhitë e 11 shtatorit janë dënuar në mënyrë ekuivoke, në të gjithë xhamitë e Shqipërisë duke shpëtuar kështu vendin nga infeksioni i ideologjive fetare. Si përfundim, Gjinishi konkludon që muslimanëve shqiptarë nuk i kanë bërë përshtypje si muslimanëve të tjerë jashtë vendit, as karikaturat kundër Profetit dhe as ofendimet e Papës kundër Islamit, pasi muslimanët shqiptarë janë të moderuar dhe kanë konsoliduar traditën e paqes në Shqipëri. Kur dikush lexon shkrimin e Vickersit ku Gjinishi tregohet taliban dhe të Gjinishit i cili tregohet më kaur se Papa dhe më patriot sesa vetë rilindasit e lashtë dhe modernë lexuesi pyet veten; ore po armiku cili është këtu?

Last Updated on Tuesday, 09 June 2009 11:06

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›