E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani në Tiranë në gusht, jo vetëm një ide

• Endrra e shumë tifozëve shqiptarë për të parë Milanin në Tiranë mund të realizohet, madje kjo mund të ndodhë para se të fillojë sezoni i ardhshëm futbollistik 2008-2009.

Jetmir Halilaj

 Këtë e tha dje Daniele Masaro, i cili nuk e përjashtoi mundësinë që kampionët aktualë të Evropës të luajnë një ndeshje miqësore para se të fillojë sezoni i ardhshëm në Serinë A. “Gjatë kampionatit Milani i ka të programuara të gjitha datat, por gjatë përgatitjeve verore, pse jo, mund të vijë në Shqipëri për një ndeshje miqësore. Por, këtu pranë nesh ndodhet i vetmi person që mund ta arrijë ta organizojë këtë. Mjafton një telefonatë e zotit Taçi me presidentin Berluskoni dhe gjithçka mund të zgjidhet”, tha Masaro, i cili aktualisht është përgjegjësi i marrëdhënieve me publikun në klubin e Milanit. “Jemi këtu në Shqipëri pasi besojmë fortë në potencialin futbollistik të këtij vendi”, - tha Masaro, babai i të cilit ka qenë ushtar në Shqipëri gjatë Luftës Botërore, madje edhe i burgosur. “Babai im, i cili fatkeqësisht u nda nga jeta dy vjet më parë, më ka folur thuajse çdo natë për këtë vend kur unë isha i vogël, - tha Masaro me një ton ku dallohej lehtësisht mallëngjimi. “Të rinjtë që do të marrin pjesë në ‘Milan Junior Camp’ do të kenë mundësi të stërviten duke përdorur metodat e stafit zyrtar kuqezi”. “Kampingu do të zhvillohet nga data 30 qershor deri më 4 korrik në Tiranë. - tha Marko Skembri, drejtori i përgjithshëm i “World Camp”, pranë Milanit. “Pjesa më e madhe e aktivitetit do të zhvillohet në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ e kompleksin ‘Dinamo’, ndërsa takimi përfundimtar do të zhvillohet në “Qemal Stafa”, njëherësh edhe stadiumi më i madh në Shqipëri”, - theksoi Skembri. Në kamping do të marrin pjesë fëmijë nga mosha 8 deri në 16 vjeç dhe që dëshirojnë të mësojnë sekretet e futbollit milanist. Milani ka një filozofi të qartë dhe e di se çfarë prodhimi mund të marrë. “Filozofia jonë është kultivimi i talenteve në vendet e tyre, - tha Françeska Pietra, përgjegjëse e “Milan Junior Camp” - Ne dëshirojmë t’i risim përmes mësimeve dhe disiplinës taktike të ofruar nga trajnerët tanë”. Këtë vit në 37 kampingjet “Milan Junior Camp” në pesë kontinentet do të marrin pjesë 15 mijë djem e vajza.

Inzagi, një dedikim për shqiptarët
Filipo Inzagi, sulmuesi i Milanit u ka dërguar një përshëndetje të veçantë fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë. Nëpërmjet një interviste të dhënë për “Milan Channel” ai ka folur për projektin e Milanit në vendin tonë duke thënë se shpresonte që pjesëmarrësit në këtë turne të argëtoheshin sa më shumë. “I uroj të gjithë të rinjve shqiptarë që të argëtohen sa më shumë gjatë turneut. Të luash me fanellën kuqezi është gjithnjë kënaqësi dhe shpresoj që të jetë kështu për të gjithë ata që do të marrin pjesë në turneun e Tiranës. Unë e di që Milani ka shumë fansa në Shqipëri, kështu që jam i bindur se gjërat do të shkojnë shumë mirë”, ka thënë Inzagi.

Sedorf përshëndet projektin
Klarens Sedorf, një nga senatorët e skuadrës së Milanit e ka cilësuar projektin e klubit kuqezi në Tiranë si tepër serioz, i cili mund të bëjë të mundur edhe evidentimin e ndonjë talenti nga Shqipëria. “Mua më vjen mirë që Milani e ka shtrirë aktivitetin e të rinjve edhe në Tiranë dhe jam shumë i kënaqur që aty do të ketë një mundësi për të gjithë ata kampionë të vegjël që shpresojnë që të luajnë një ditë në skuadra të mëdha si Milani, – ka thënë holandezi. – Personalisht e kam vlerësuar si një aktivitet shumë të vlefshëm dhe domethënës, projektin e të rinjve që klubi ynë organizon në shumë vende të ndryshme të Botës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›