E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos e fyeni popullin tim, zotërinj!

Në fillimin e viteve 1970, kur shkrimtari Ismail Kadare botoi romanin e tij "Kështjella", kritika mbeti krejt e pakënaqur që "komandanti", prijësi i arbërve, Gjergj Kastrioti, thuajse nuk ishte fare drejtpërsëdrejti i pranishëm. Ku është komandanti, ku është kryezoti? Në fakt, kjo pyetje i bëhej shkrimtarit jo për ndonjë shqetësim të vërtetë se ("ku është Gjergji?"), por për shkak të paraleles që kritika e asaj kohe mundohej të hiqte midis figurës së heroit kombëtar të shqiptarëve dhe rolit të Enver Hoxhës në kohët e reja. Shkrimtari, i detyruar të mbronte veprën e vet, sidomos prej aludimeve politike, qe shprehur se kryezoti i arbërve është gjithandej, është brenda dhe jashtë kështjellës, është fatmbrojtësi i kombit.

Pikërisht këto ditë, jo rastësisht, më erdhi ndërmend ky debat i hershëm, tashmë i harruar, që më pati mbetur në kujtesë që nga koha kur merresha me dokumentarin për dënimin jo vetëm propagandik të Festivalit të 11-të. Fillimisht ishte vetë titullimi i prijësit, "kryezot" i Arbërit, që zgjoi brenda meje një vështrim krejt të ndryshëm rreth asaj që ndodhi në vendin tim një javë më parë, ditën kur në fshatin Gërdec një farkëtore pa farkëtar, ku prej muajsh e vitesh depozitoheshin armë e municione, shpërtheu e u bë shkas që besimi i shqiptarëve se ky vend mund t‘i "mbajë", u lëkund së brendshmi.

A ka zot ky vend?! Më shumë se pyetje, ishte thjesht një ankim ndaj vetvetes, ndaj origjinës, një ankim i paadresuar diku, ndoshta më shumë një rënkim. Kryezot?! Fatmbrojtës?! Ah, jo, kjo as që duhet menduar.

Koha që ka kaluar prej ngjarjes së 15 marsit na tregoi se së ngratës Shqipëri i mungon zoti gjithandej, prej aty ku mbillen fidanët e domateve e deri te kanceleritë e larta ku nënshkruhen marrëveshje e traktate shtetërore. Është një vend pa zot. Kryezot pati një herë e një kohë, kur jo zulma, por vetëm hija e Gjergjit, e bënte kështjellën fortesë. Fatmbrojtës jo e jo, se ndryshe, pse do të binin mbi të, gjithë këto ndëshkime të pafundme e të paimagjinueshme. E ti dallon se jeton në një vend të braktisur, duke nisur qysh prej magazinierit, e deri te kreu i kreut. Kryezot këtu?! As mos e ço nëpër mend! Nuk shoh gjëkund. Një rrumpallhone e paparë, deklamonte ca vite më parë një autoritet i lartë ministror.

Nga njëra ditë në tjetrën, listës së të ikurve nga kjo botë i shtohen emra të rinj. Të dielën u njoftua se "tani lista u mbyll, të tjerë të viktimizuar nuk ka". Kështu tha një prej "zotlinjve", prej atyre "zotlinjve" me uniformë. Mirëpo ky njeri gënjen, sepse askush s‘është zot në detyrën e vet. Prandaj "zotlinjtë" e bëjnë dhimbjen që pushtoi popullin shqiptar një çështje pazari. Ka më?! Jo, s‘ka më! Por mjekët thonë se numri i të vdekurve do të jetë jo më pak se 60 ? Lëri mjekët të thonë ç‘të duan! Dakord, por janë ata që i kanë certifikuar një për një të gjithë të sëmurët që u dërguan në spitalet e vendeve fqinje, dhe të dhënat thonë se shumica prej tyre janë të pashpresë. Por më vjen në vesh një zë i mefshtë: "Lërini mjekët të merren me fashat, lista u mbyll"!

Më 15 mars 2008 ndodhi një ngjarje që nuk ka rënë kurrë mbi shpatullat e rrëzuara të popullit shqiptar. Nuk ka ndodhur as në Luftën e Dytë Botërore. Le të thonë ç‘të duan historianët për qeveritë kolaboracioniste të asaj kohe. Është një fakt i njohur prej të gjithëve se në vitin 1943, kur ushtritë aleate paralajmëruan se kishin vendosur të bombardonin me aviacion instalimet ushtarake naziste, qyteti i Durrësit u evakuua tërësisht për dy ditë. Nuk kishte kryezot, sigurisht, se me ushtri të huaj mbi krye s‘mund të ketë. Por kishte zotër, qofshin dhe të vegjël, që jo vetëm merrnin vesh ç‘plane bënin të mëdhenjtë, jo vetëm ia bënin të ditur popullit, por arrinin të evakuonin një qytet të tërë, atëherë me mbi 25 mijë banorë, dhe ta mbanin me jetë e shpresë derisa rreziku të kalonte.

Kaq ditë pas ngjarjes së 15 marsit, askush nuk është në gjendje të thotë jo se kush dreqin e mallkuar ishte përgjegjës për atë hata që ndodhi, por s‘ka përgjigje as për pyetjen më të thjeshtë: Sa janë të zhdukurit, sa janë ata që nuk mund të llogariten as gjallë as vdekur? Sa do presë i fejuari të mësojë se kur do t‘i kthehet sërish e fejuara në takimin që kishin lënë atë fundjavë? A duhet të presë ende me sytë nga qielli se, në fundpranverë, do të mbillnin së bashku pemën e ullirit në kopshtin e shtëpisë? Ajo ishte dhurata që ia kishin premtuar njëri-tjetrit ditën jo të shenjtë të të dashuruarve. Kështu tha ai: "Unë jam duke pritur Sadijen. Sa shumë më ka marrë malli për të! A thua se ajo e kish lënë dhe ish zhdukur. E ç‘të presësh miku im? Ti duhet të shkosh në shtëpi e të qetësohesh, më doli një zë së brendshmi. I riu besonte se ajo do të kthehej. Pse? Sepse nuk dinte asgjë për të, s‘kishte asnjë informacion edhe sot pas një jave. Sepse ish kaq shumë i tronditur nga padija në fakt se çfarë ndodhi gjithaq, sa u shkreh në vaj krejt dëshpërimi, duke mos pranuar dot se ajo kish vdekur.

"Zotërinjtë" me uniformë na thonë se erdhi koha që të mbyllet lista, por këta s‘di pse më sjellin ndërmend ndoca depo-ruajtës të ish-kooperativave bujqësore, që "nxirrnin totalin" e bostaneve apo të kungujve të vjelë gjatë ditës.

Ata që i gjetën, qoftë dhe indet e karbonizuara të të afërmve të tyre, e kanë qetësuar shpirtin. Kanë një vend ku mund të ndezin një qiri dhe të pëshpëritin një lutje, sepse në Shqipëri, besojeni apo jo, është fat edhe të kesh një mundësi të tillë. Por ai i ri me një të fejuar me emrin Sadije e shumë të tjerë ç‘mund të qajë më tej dhe ku ? Vëllezërit Malçi nga Laçi (me një mbiemër të lashtë po aq sa koha e kryezotit Kastriot), ndoshta të vetmit që i kanë hyrë kraterit në grykë, dëshmuan se kishin parë atje kadavra të shkrumbuara prej shpërthimit. Por lista thonë u mbyll. S‘ka më të vdekur! Po për të zhdukurit kush vallë do të mendojë?

E ti joulëritshëm thua ky vend nuk ka kryezot e fatmbrojtës, sepse këtu tallen me jetën. Edhe një "dalzots" vullnetar prej asaj që quhet "shoqëri qytetare" do të kishte arritur tashmë të merrte kopje të certifikatave të gjendjes civile të kryefamiljarëve të fshatit Gërdec, do të kishte arritur t‘i takonte ata një për një, të vërtetonte se sa janë gjallë, sa janë në spitale të sëmurë dhe sa janë as në qiell as në tokë. Një vend që nuk di as pas 10 ditësh prej traumës se sa jetë njerëzore kanë mbetur peng nuk mund të quhet vend me zot. Ai është një vend ku lojën e ndoron fati i lajthitur, jo dora e mendja njerëzore.

Në Gërdec ndodhi një krim. Edhe më i madh do të ishte ai, sepse vetëm dyqind metra larg hatasë gjendej një shkollë, ku mblidheshin afro 300 fëmijë në ditë. Një Inspektorat Shtetëror Pune, totalisht i paaftë dhe i mpirë të mos ketë pasur thua qoftë dhe një informacion të vogël që farkëtorja primitive punësonte jo njerëz të specializuar, por mëditës; jo mëditës, por më-orës. S‘e dinte kush se në atë kovaçhanë gjithë puna bëhej me dorë dhe "zoti" i saj as mbiemër nuk kishte. S‘e dinin as autoritetet më të larta shtetërore se ç‘ishte Gërdeci, se atje "punohej në të zi", dhe që zinë solli; se atje "më-orën" e jepnin fantazmat që ende vërtiten mbi kryet e këtij populli, duke paralajmëruar zezona të tjera. S‘e dinim, thonë të gjithë. Kë fyeni Zotërlinj, që kini në dorë fatet e vendit tim ? Kush beson se ju se njihnit Gërdecin dhe aq më tepër një fabrikë që çmontonte municione që deportoheshin në Afganistan? Atje dhe ku ju e të tjerë që keni bashkëqeverisur bash gjithë këto vjet nënshkruani aleanca transatlantike miqësie e bashkëpunimi? Pse silleni sikur të keni para jush një tufë bagëtish të imta qorre? Ju jeni të paditur?! Ah, e keni për padijen juridike!! Sepse padija (që nuk është gjë tjetër veçse një kalk prej latinishtes "ignorantia"), në këtë kuptim të parë, është thjesht një eufemizëm për ju. Por Jo, ju thoni se jeni të paditur për krimin që ndodhi.

Por kur krimi mbetet pa zot, i bie që gjithë Shqipëria është pa kryezot. Por çfarë presim atëherë? Ky vend nuk na mban, thotë brezi i "Shqipërisë së internetit". Po për cilin vend bëhet fjalë? Atë të legjendave me kalorës e heshta, apo atë të shpërthimit të depove e magazinave me predha sa krahu i një fëmije 12-vjeçar, si në filmat me piratët e Xhek Sparou? Por edhe ata e kishin një zot. E çfarë Zoti! I fisshëm për t‘u flijuar për "banditët" e vet. Edhe atëherë kur i duhej të largoheshin për terrene të reja e kishin me vete! Po cilin të kesh këtu e jo më kur ikën me vete? Në fakt, fare pak kohë ka mbetur për ta mbajtur nën kontroll këtë vullnet instinktiv, të njëjtin vullnet që solli eksodin e verës së vitit 1991. I vetmi "zot" në Shqipëri është krimi, sepse vetëm krimi është i lirë. Ndërsa ata që duhej të ishin së paku zotër thonë "s‘dimë asgjë çfarë dhe pse ka ndodhur!".

Por këta janë "zotërit" që nesër do të thonë "s‘e dinim" edhe për ndëshkime të tjera të pritshme. Siç thanë "s‘e dinim" kur gjysma e pasurisë së shqiptarëve shkoi për helikopterë dhe qejfe sulltanore në vitin 1995-1996. Siç thanë "s‘e dinim se ç‘ishin" kur mijëra ushtarë e policë u urdhëruan të qëllojnë nga toka, nga deti dhe nga ajri popullin e rebeluar të Vlorës, duke ua paraqitur njerëzve si ushtri pushtuese greke. E ja atëherë ishim betuar mos t‘u riktheheshim sërish atyre ngjarjeve. Por s‘ka asgjë për ta kontrolluar vetë, për ta jetësuar vetë. Ecën rrugës dhe ti ndjehesh se jeton në një kaos rrëfimesh, përshëndetjesh, bisedash, dialogjesh që s‘kanë një bosht analitik logjik. Thua ku shkon, ku vrapon, ku jeton e për kë e cilin lufton? Një vend që çdonjëri se kupton se jeton një ç‘fokusim objektivi ngado që të çosh vëmendjen. Një çmenduri sjelljesh që s‘kanë pikën e sensit, një tallje dhe përbaltje e personalitetit kudo që të hedhësh këmbën. Se dija - thotë njëri. S‘është faji im - të mallëngjehet tjetri. Dhe secili në hesapin e vet mendon se i lau duart. Por ndodh e kundërta, pavarësisht se nuk ia pohojnë njëri-tjetrit sepse mashtrimin përpiqen ta besojnë të dyja apo të tria palët. Dhe loja vazhdon. Mashtrimi rrit shkallët e tij të ndërgjegjësimit e më tej bëhet publik.

Gjithçka i ngjet mbylljes së një fushate zgjedhjesh. Ai që humbet përpiqet ta fragmentarizojë sa më shumë humbjen, që të shuajë protestën. Dhe rezultati del pas tre muajsh. Pastaj kutitë e votimit fshehin të gjithë ndotjen që ka ndodhur. Por toka nuk e fsheh kurrë krimin. Ajo e nxjerr atë mbi vete. Toka është dëshmitarja më e patrembur. Toka paditi Bosnjën dhe krimet serbe atje. Toka ngriti Kostandinin se nuk mbante dot besën e shkelur të tij ndaj britmës drithëruese të së motrës, Doruntinë.

Para dhe pas 15 marsit, shteti vetë ka dhunuar rendin shoqëror, ka dhunuar rregullin themelor të jetesës në një bashkësi kombëtare a qytetare: mbrojtjen e jetës. Punishtja vetëm pesë kilometra larg aeroportit, paraqitej fabrikë, por ishte kovaçhanë. Kishte në lista "punëtorë të kualifikuar", por në fakt në të punonin vetëm mëditës e "me-orës". Pala partnere e huaj në Qipro nuk ekziston. Pala partnere në SHBA, sipas ministrit, ishte e autorizuar nga Pentagoni, por sipas dëshmive të certifikuara pala e vërtetë ekzistonte vetëm në letra. Dyfishësia e rregullave, "dubble-standard-i", është vdekja klinike e demokracisë qytetare. Por më e keqja është se as që mund të përfytyrohet ende një alternativë ndorimi qytetar, "me-zotës", jo "me-orës". Në këtë Tokë pa zot, pa kryezot, pa fatmbrojtës, me "zotlinj" të përdorur dhe me mëditës e "me-orës" fatzinj që kanë mbjellë tokën me copëra skeletesh e indesh që s‘ka laborator t‘i identifikojë, psikologjia e mallkimit nuk është më shprehje dëshpërimi. Ajo është psikoza që vjen vetvetiu pas "fatit të pambrojtur" ndaj saj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›