E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, sa ndikohen në ekonomi

Qeveria pretendon se paratë që nxori nga arka për të paguar dëmet e tragjedisë së Gërdecit nuk e lënë vendin të zbuluar përballë fatkeqësive të tjera që mund të ndodhin gjatë këtij viti. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, thotë se veç fondeve të kontingjencës, qeveria ka ngrirë para të tjera që ndodhen në buxhetet e ministrive jashtë atyre të parashikuara për investime. "Nëse ne do të kishim mosrealizim të të ardhurave, sërish investimet publike të parashikuara nuk do të cenoheshin, pasi do të ngrijmë fondet shtesë të ministrive, që janë të konsiderueshme", thotë Sherefedin Shehu. Vlera e këtij fondi është 4.6 miliardë lekë dhe ai u është dhënë ministrive si shtesë përveç fondit të parashikuar për investime. Por disa ekspertë deklarojnë se rimëkëmbja e Gërdecit do të ndryshojë prioritetet e investimeve publike në vend. "Ajo që ne do të kemi tani, është se para të parashikuara për të bërë një investim publik të caktuar do të devijohen dhe do të shkojnë për të rimëkëmbur Gërdecin", thotë Milva Ikonomi, ish-drejtoresha e INSTAT.

Ekonomia

Por a do të cenohet stabiliteti i ekonomisë së vendit nga dalja e paparashikuar që në tremujorin e parë të vitit e 1.5 miliardë lekëve? Qeveria jep garanci se tashmë ekonomia shqiptare është e aftë të përballojë situata të tilla. "Kjo shifër prej 1.5 miliardë lekësh është shumë e vogël për të dhënë impakte makroekonomike. 1.5 miliardë lekë janë më pak se 0.2 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, çka e bën atë krejtësisht të absorbueshme", thotë Shehu. "Ne mendonim se dëmi do të ishte më i madh se 4 miliardë lekë, çka mund të na vinte pak në vështirësi, ndërsa 1.5 miliardë lekë, nuk krijon asnjë problem", vijon më tej Shehu. Milva Ikonomi shkon më tutje. Ajo mendon se paratë e shpenzuara për kompensimin e dëmeve mund ta gjallërojnë ekonominë. "Dalja e këtij fluksi parash nga buxheti në këtë periudhë i bën mirë ekonomisë për shkak se këto para do të rikthehen në buxhet sërish. Pra qeveria i jep para biznesit, çka gjallëron ekonominë dhe sërish i merr këto para përmes taksave", thotë ajo. Për vitin 2008, qeveria shqiptare u detyrua të mbante një sasi të madhe parash rezervë, pas këmbënguljes së fortë të Fondit Monetar Ndërkombëtar. FMN-ja i imponoi qeverisë të hiqte 15 miliardë lekë nga buxheti për t‘i paraprirë çdo të papriture, duke marrë shkas edhe nga deficiti i madh buxhetor i këtij viti.

Rezervat

Në total, qeveria shqiptare ka rreth 15 miliardë lekë rezervë, që nuk janë parashikuar në asnjë zë investimesh apo shpenzimesh në buxhet. Nga këto, 1.8 miliardë janë fond rezervë i Këshillit të Ministrave, 4.6 janë fond kontingjencë për rritjen e pagave dhe pensioneve, 4 miliardë janë Fondi i Kontingjencës, ndërsa pjesa tjetër prej 4.6 miliardësh u është dhënë si fond shtesë ministrive. Sipas Shehut, është pikërisht kjo pjesë e fondit që mund t‘u bllokohet ministrive.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›