E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci rrit paranë jashtë bankave

Në fakt tragjedia e Gërdecit pritet që të ketë dhe një efekt tjetër anësor. Paraja jashtë bankave ka gjasa që të rritet si pasojë e fluksit të madh të kompensimit. Janë më shumë se 1.5 miliardë lekë që do të dalin ekstra nga buxheti paralelisht me pagesat e tjera që qeveria bën nga buxheti. Ekspertët parashikojnë që kjo të mos ndikojë në rritjen e inflacionit për shkak të ndikimit thuajse të papërfillshëm të kësaj zone në kërkesën e brendshme. Fenomeni i qarkullimit të lekut jashtë bankave ka ndodhur sa herë që qeveria ka rritur fluksin e investimeve publike zakonisht në fund të vitit financiar. Këtë herë shpenzimet e buxhetit marrin hov që në fillim të vitit, çka nga njëra anë mund të jetë edhe pozitive. Ekspertët në Ministrinë e Financave shpjegojnë se, situata në fjalë do të shoqërohet me kosto buxhetore, por ekuilibrat makroekonomikë nuk do të dëmtohen nga mbajtja e inflacionit në ekuilibër dhe rritja ekonomike do të arrihet sipas niveleve të parashikuara. Dy vitet e fundit monedha vendase, leku, ka forcuar në mënyrë sistematike pozitat e këmbimit me valutat kryesore, euron dhe dollarin. Ky mbiçmim, nënkupton uljen e konkurrencës ndaj tregjeve ndërkombëtare dhe atraktivitet më të lartë për importet e mallrave të huaja. Sjellja mbiçmuese e lekut si në terma realë, ashtu edhe nominalë, reflekton qëndrueshmërinë makroekonomike në vend, thellimin e diferencës së normave të interesit, si dhe nivelet e krahasueshme të inflacionit me partnerët kryesorë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›