E Diel, 1 Nëntor 2026

"Jo hapje portash, por eksport drejt Kosovës"

Reshjet e mëdha të ditëve të fundit kanë përmirësuar ndjeshëm nivelin e prurjeve hidrike në hidrocentralet e kaskadës së Drinit. Prurjet e ujit jo vetëm kanë rritur prodhimin vendas, por kanë shtuar mundësinë e përmbytjeve nga mbushja e niveleve të ujit në HEC-e. Por kreu i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, ka garantuar se nuk do të ketë hapje portash për të derdhur ujin e tepërt, por do të rrisë prodhimin, teprica e të cilit do të shkojë për eksport ose depozitim në Kosovë. "Sasia e energjisë elektrike që do të dërgohet jashtë vendit do të merret sërish, në të njëjtat kuota, në raste krizash". Deklaratën Bojaxhi e bëri dje gjatë inspektimit në HEC-in e Vaut të Dejës. "Shirat e rënë në ditët e fundit, garantojnë një furnizim të rregullt me energji elektrike për gjatë gjithë vitit 2008, dhe kjo, jo për meritë të qeverisë apo KESH-it, por vetë klimës që po shoqëron vendin", vijoi kreu i KESH. Sistemi elektroenergjetik në vend ka një varësi nga kushtet klimaterike në masën 98%, pasi prodhimi i energjisë elektrike ka si lëndë të parë ujin. Aktualisht, niveli i ujit në HEC-in e Vaut të Dejës është 74.60 cm, rreth 1,40 m larg pikës maksimale ku hidrocentrali është i detyruar të hapë portat. Kjo rrezikon përmbytjen e fshatrave të Shkodrës, sikundër ka ndodhur në vitin 2003.

Situata në HEC-et e Drinit

HEC i Fierzës niveli 286,54m pika maksimale 296 m

HEC i Komanit niveli 171 m pika maksimale 173 m

HEC i Vaut Dejës niveli 74.60 m pika maksimale 76 m

Prodhimi i këtyre tre HEC-ve, 10.4 milionë kWh/orë


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›