“Mos lejoni djegien e mandatit tuaj, merrni në Kuvend detyrimet që u ngarkon Kushtetuta

Kryetarja e Kuvendit, Topalli, letër konfidenciale të gjithë deputetëve të PSKryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u ka dërguar dje nga një letër të gjithë deputetëve socialistë, duke u apeluar t’i japin fund bojkotit të Kuvendit dhe të marrin pjesë në punimet e sesionit të ri parlamentar që rinis më 18 janar. Duke identifikuar personalisht në letrat e dërguara të 64 deputetëve të PS, kryeparlamentarja bën thirrje që opozita të shqyrtojë me seriozitet këtë ftesë, pasi ligjvënësit socialistë, sipas Kushtetutës, rrezikojnë të djegin mandatet. Në citimin e nenit të ligjit Themeltar të shtetit, kryetarja e Kuvendit, thekson se në nenin 71, pika 2 parashikon ndër të tjera: Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: kur ai nuk bën betimin....dhe kur mungon pa arsye 6 muaj resht në Kuvend. “Që nga 7 shtatori i 2009-ës, Kuvendi i zhvilloi punimet pa praninë e deputetëve të opozitës. Si kryetare e Kuvendit në mënyrë të vazhdueshme kam bërë thirrje që çdo deputet i zgjedhur duhet të zërë vend në Kuvend dhe të marrë pjesë në veprimtarinë e tij, në përmbushje të detyrimit si përfaqësues zgjedhësish. Më datën 6 mars 2010 mbushen 6 muaj nga mbledhja e Kuvendit në Legjislaturën e XVIII. Sesioni i ri i legjislaturës do të mblidhet më 18 janar 2010. Ju njoftoj se ju keni mundësi të ndërprisni bojkotin tuaj dhe të merrni pjesë në seancat plenare, për të mos lejuar mbarimin e mandatit tuaj, për shkak të mosbërjes së betimit ashtu dhe për shkak të mos pjesëmarrjes në kuvend për 6 muaj me radhë”, thuhet në letrat e dërguara nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.Kryeparlamentarja fton zyrtarisht opozitën të ndërpresë bojkotin dhe të kryejë në kuvend detyrimet Kushtetuese. Me çeljen e punimeve të parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009, deputetët socialistë vendosën të bojkotojnë për shkak të qëndrimit që u mbajt për zgjedhjet dhe kërkesës për hapjen e kutive. Kësisoj, nëse bojkoti do të vazhdojë deri më 6 mars, atëherë Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është i detyruar të nisë procedurat e zëvendësimit të deputetëve që humbasin mandatin. ...