E Diel, 1 Nëntor 2026

Mos më shitni!

Dimitar Berbatov lutet të mbetet në Manchester United. Reprezentuesi bullgar ka kërkuar edhe një shans për të shpëtuar karrierën e tij në Old Trafford.

Edhe pse menaxheri i Djajve të Kuq, Sir Alex Ferguson ka insistuar se ende i beson Berbatovit që i kushtoi klubit rekord 30.75 milionë funta kur ishte transferuar nga Tottenham, në fillim të sezonit të kaluar, në periudhën e fundit kanë qarkulluar spekulime se Manchester United ka humbur durimin me sulmuesin.

Berbatov ka shënuar 14 gola këtë sezon, më pak se gjysma e sulmuesit kryesor Wayne Rooney, dhe ka dështuar të tregojë veten në ndeshjet e fundit kundër Chelseas, Blackburnit dhe Manchester Cityt, derisa ekipi ka mbetur të disavantazh në garë për titull në Premierligë.

Kjo ka sjellë përfundimin se Ferguson nuk do të tolerojë më tepër paraqitjet zhgënjyese të Berbatovit dhe mund ta shesë në fund të këtij sezoni. Megjithatë, Berbatov ende beson se mund të shkëlqejë në Old Trafford.

“Njerëzit ende nuk e kanë parë Berbatovin e vërtetë këtë sezon dhe do të kisha pasur dëshirë që të bëja më tepër për klubin. Ëndrra ime është të triumfoj me Manchester Unitedin dhe të fitoj një tjetër titull në Premierligë”, tha Berbatov për tabloidin anglez, The Sun.

Reprezentuesi bullgar ka rekord të shkëlqyeshëm të golave në të gjitha klubet e tij të kaluara, por jo në Manchester United. Ai realizoi 25 gola në 59 paraqitje në CSKA Sofia nga 1998-2001, ndërsa në pesë vitet e kaluara në Bayer Leverkusen nga 2001-2006 ai shënoi 69 gola nga 154 ndeshje.

Në dy sezone në Tottenham 2006-2008, Berbatov realizoi 46 herë në 102 paraqitje. Ai pranon se ka vështirësi të shënojë për gjigantin nga Old Traffordi.

“Në Tottenham shënoja më tepër gola me më pak probleme, por në Manchester United është më vështirë. Por, nuk brengosem rreth kritikave. Në futboll është vështirë të jesh sulmues, sepse njerëzit analizojnë gabimet më tepër se suksesin. Morali im është i lartë dhe gjithmonë mundohem të tejkaloj situatat e vështira”, përfundoi Berbatov.

Pavarësisht dëshirës së tij për të mbetur në Manchester United, ende nuk është e sigurt se ai do të jetë pjesë e ekipit edhe sezonin e ardhshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›